Neymar nuk do të mund të marrë pjesë në “Copa America” 2024, të planifikuar për në qershor dhe korrik në SHBA, për shkak të dëmtimit të rëndë të pësuar në tetor. Këtë e ka bërë të ditur mjeku i kombëtares braziliane.
Ylli i “Selecao” u dëmtua gjatë humbjes 2-0 kundër Uruguajit në Montevideo, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Ai u transportua me barrelë në lot dhe iu nënshtrua një operacioni në nëntor për këputje të ligamentit të kryqëzuar dhe meniskut në gjurin e majtë.
Duhen të paktën 9 muaj rehabilitim për t’u rikthyer në lojë, pas një dëmtimi të tillë, nga më të rëndët për një futbollist, ka shpjeguar mjeku brazilian, Rodrigo Lasmar, duke përjashtuar mundësinë që Neymar të marrë pjesë nga data 20 qershor deri më 14 korrik në kompeticionin që bashkon 10 kombëtaret e Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Jugut dhe 6 të Konfederatës së Futbollit të Amerikës së Veriut, Amerikës Qendrore e Karaibeve.
Mjeku i kombëtares braziliane, megjithatë, është besimplotë për shanset që 31-vjeçari, i cili luan për klubin saudit Al-Hilal, të luajë sërish në nivele të larta.