Albania
Nga 115, në “jo më pak se 71 mandate”/ Si u zbeh deliri i Ramës për 11 Majin
Për të shpjeguar komunikimin publik të Edi Ramës në rrjete sociale, në mitingje apo edhe në konferenca me gazetarët, shpeshherë flitet për sondazhet që organizon Partia Socialiste dhe që i dhurojnë atij orientimin e duhur mbi çështje dhe probleme të ndryshme që ngrenë qytetarët. Edhe vetë Rama mburret se PS organizon për çdo muaj anketa, të cilat, sipas tij, janë ku e ku më pranë të vërtetës, në krahasim me ato të televizioneve.
Prandaj, kur kryeministri ndan parashikimet për 11 Majit, këto nuk duhen parë si fjalë që i merr era, por si produkte të pyetësorëve, që masin pëlqimin e qytetarëve për njërën parti apo tjetrën, në një moment të caktuar.
Dhe në një hark kohor prej tetë muajsh, Edi Rama ka bërë një seri parashikimesh për rezultatin e 11 Majit, të cilat nëse shihen nga afër tregojnë atë që çdo lider politik do të donte ta fshihte para ditës së zgjedhjeve: pritshmëritë e PS për 11 Majin janë në rënie.
T’i marrim me radhë:
Më 8 shtator 2024, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e PS, Edi Rama fluturoi lart me bastin publik për fitoren në zgjedhje. Me arrogancën karakteristike të pushtetarit që sheh para tij një shoqëri të gjunjëzuar para pushtetit, Rama lëshoi një parashikim për të cilin sqaroi se nuk e kishte parë në filxhanët e kafes, por e kishte falë “instituteve moderne të matjes së opinionit”.
“Dhe mbajeni mend këtë që po iu them, ne do e lëmë PD me rezultatin e vitit 1997”, deklaroi ai, duke iu referuar një nga momenteve më dramatike të vendit, kur shteti nuk ekzistonte; Partia Demokratike mori vetëm 25 deputetë dhe Partia Socialiste arriti mbi 115 mandate në parlament.
Vetëm një lider delirant ose një autokrat i sigurtë se e ka eleminuar opozitën, mund të shpallë një fitore të tillë 8 muaj para zgjedhjeve.
Pastaj filloi zbritja. Më 10 prill 2025, një ditë para nisjes së fushatës, ndërsa fliste para ekranit të kompjuterit në rubrikën “Sy m’sy” në Facebook, Edi Rama lëshoi një version më të zbutur të fitores: “Nuk e di rezultatin, mbase do të fitojmë më shumë se 77 deputetë” u shpreh ai.
Nuk ishin më 115, por gjithsesi një shumicë komode, që socialistët e synuan por nuk e arritën dot në vitin 2021. Në të njëjtën frymë, ai paralajmëroi se do ta shpallë rezultatin nga Kuçi, siç bëri katër vite më parë.
Shtatë ditë më pas, më 17 prill, u tregua më i rezervuar, ndërsa përsëriste se parashikimin ekzakt do ta bënte nga Kuçi i Vlorës.
“Ne ndjekim dhe anketojmë popullin çdo muaj prej 12 vitesh, i kemi shumë të dhëna për të parë luhatjet, kështu që mbi bazën e tyre do të ta them ekzakt se cili do të jetë numri minimal” tha Rama.
Kësaj radhe, nuk përmendi numër mandatesh, por iu referua numrit prej 74 mandatesh, që ka aktualisht në Kuvend. “Që sot mund të them se minimali do të jetë mbi atë që kemi”, u shpreh Rama, që aludoi për rritje simbolike në krahasim me rezultatin e katër viteve më parë.
Por sot në datën 21 prill, ndërsa fliste me simpatizantët në Kavajë, kryeministri zbriti përfundimisht në tokë dhe i çoi pritshmëritë disa herë më poshtë: “Po e përsëris dhe një herë: edhe sikur bota të përmbyset, ne nuk marrim më pak se 71 mandate… PS nuk merr kurrë më pak se 71 mandate” u dëgjua të thotë Rama një parashikim, me të cilën mbyllet cikli i një ëndrre që filloi me 115 deputetë.
Një lider i kujdesshëm politik nuk do të lëshonte në asnjë mënyrë mesazhe të tilla dekurajuese për mbështetësit e tij, të cilët në fillim i ndez me fitore plebishitare, por më pas, ai vetë, ia zbeh pritshmëritë dhe ia pret hovin e angazhimit gjatë fushatës. Të zbresësh reziltatin nga 115 deputetë tek minimumi i 71-shit, tregon më së paku kaos në komunikim dhe mungesën e një strategjie të qartë elektorale.
E nëse ky komunikim, bazohet në anketa dhe sondazhet që organizon vetë Partia Socialiste, kjo rënie graduale dëshmon minimalisht se as vetë Rama nuk i ka të sigurta pritshmëritë dhe rezultatin në 11 Maj.
Dhe kjo është normale, vetëm po të llogarisësh se votat në Shqipëri ose i blen me para në dorë, ose i rrëmben me presionet për një vend pune, ose kur në terren për ty punojnë banditë që nuk i kap dot policia, e jo më t’i kapin sondazhet dhe anketat që bëhen me disa telefonata./ Nga Dorian Kodra për Lapsi.al
Albania
Autoboti i pastrimit të ujërave të zeza, po shpërndan ujë për qytetarët në Vlorë
Qytetarët e Vlorës kanë protestuar sërish sot para dyerve të Bashkisë pasi prej 4-5 ditësh janë pa ujë të pijshëm pas një defekti në linjën kryesore të ujësjellësit.
Njëri prej qytetarëve ka telefonuar kryebashkiaken Brunilda Mersini duke i kërkuar që të vijë personalisht dhe të bisedojë me qytetarët për situatën por Mersini i ka mbyllur telefonin qytetarit pa i dhënë asnjë zgjidhje.
Si pasojë e pakënaqësisë, qytetarët janë zhvendosur në rrugën kryesore, duke bllokuar qarkullimin. Ata kanë pasur disa përplasje me policinë dhe kanë hedhur vezë dhe letra higjenike para ambienteve të Bashkisë.
Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës ka njoftuar banorët se uji i sjellë me autobotë duhet përdorur vetëm për nevoja emergjente dhe jo për konsum oral. Në njoftim thuhet:
‘Ujësjellës Kanalizimeve Rajoni Vlorë, njofton qytetarët se ujin të cilin po e marrin nga autobotet, duhet t’a përdorin për nevoja emergjente dhe jo për përdorim oral.’
Nga ana tjetër qytetarët shprehen se autoboti që shihni në foto përdoret për zhbllokimin e pusetave të ujërave të zeza, por tani po shpërndan edhe ujë dhe në pikë të hallit kanë marrë bidonat dhe po mbushin ujë.
Albania
Vlora 4 ditë pa ujë, kryetarja e bashkisë: Defekti, fatkeqësi natyrore. Ujësjellësi s’është në varësinë tonë, protestën po e bën opozita
Kryetarja e Bashkisë së Vlorës Bruna Mersini, në një deklaratë për mediat lidhur me situatën e mungesës së ujit prej katër ditësh në Vlorë, u shpreh se problemi vjen prej ujësjellësit dhe se kjo nuk është në përgjegjësi të bashkisë.
Sipas saj, defekti në tubacion që la Vlorën katër ditë pa ujë, është “fatkeqësi natyrore” dhe se nuk duhet përdorur për politikë.
“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të bëjmë analiza dhe të gjejmë fajtorin, është momenti të japim zgjidhjen.
Dhe zgjidhja është duke ardhur nga Turqia: në orën 02:30 zbret avioni me tre pjesë rezervë, të cilat në orën 17:00 mbërrijnë në Vlorë.
Ndërkohë, zgjidhja e përkohshme duket se po funksionon pjesërisht. Jemi duke i dhënë ujë qytetit pjesërisht nëpërmjet ujësjellësit dhe, ndërkohë, 15 autobotë dhe emergjencat civile janë në terren duke shpërndarë ujë me koli”, tha ajo.
Albania
U kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
Gjykata në Mechelen të Belgjikës ka shpallur fajtor për trafik droge një shqiptar 23-vjeçar. Dy muaj më parë, pas një ndjekjeje, ai u bllokua nga policia dhe në makinën e tij u gjetën pothuajse 5 kilogramë kokainë. I riu – që sipas tij vepronte për shkak të borxheve nga lojërat e fatit – nuk i mohoi faktet. “Por ju lutem, më lini të kthehem sa më shpejt në vendin tim,” kërkoi ai gjatë seancës gjyqësore.
Policia e kishte vënë re makinën e të riut në fillim të shtatorit 2024 gjatë një kontrolli në Mechelen. Kur oficerët tentuan ta ndalonin, ai u largua me shpejtësi. Ndjekja zgjati shumë pak: disa metra më tutje, makina u bllokua.
“Kjo ndodhi sepse disa automjete kishin ndaluar në rrugë,” u tha në seancë.
Ajo që ra në sy ishte se xhami i pasmë i makinës ishte i hapur. Një qese blu, e vërejtur gjatë kontrollit, ishte zhdukur.
“Por u gjet shumë shpejt,” shpjegoi prokurori Bjorn Vervoort. “Në qesen plastike kishte pak më pak se 4.6 kilogramë kokainë.”
Vlera e drogës në tregun e rrugës ishte mbi 230 mijë euro.
“Një sasi e tillë nuk u jepet tregtarëve të zakonshëm,” theksoi prokurori, duke sugjeruar se shqiptari nuk ishte një shitës i thjeshtë, por kishte mundësisht një rol të rëndësishëm në një rrjet më të madh trafiku.
“Edhe 600 eurot cash – në prerje prej 50 eurosh – si dhe dy telefonat celularë të gjetur në makinën e tij (një makinë me qira) mund të jenë prova shtesë,” shtoi prokurori.
Ai kërkoi një dënim me 2 vite burg dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.
“Kam ardhur në Belgjikë për të punuar në ndërtim,” tha 23-vjeçari. “Me këto para doja të shlyeja borxhet e bixhozit, rreth 30.000 euro. Por këtu nuk gjeta punë.”
I riu deklaroi se kishte hyrë rastësisht në botën e drogës.
“Gjatë një daljeje nate në Bruksel,” pranoi ai. “Papritur më folën, më dhanë para dhe gjithë atë kokainë. Në këmbim, duhej ta shisja”.
Avokati i tij, Kilian Rabau, i kërkoi gjykatës të mos japë dënim efektiv me burg, por burg me kusht.
“Le të jetë një sinjal i fortë, por lejojeni të kthehet në vendin e tij,” tha ai.
Pas shqyrtimit, gjykatësja vendosi se faktet ishin të provuara dhe e dënoi të riun me 2 vite burg me kusht dhe një gjobë prej 8.000 eurosh.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
UK2 hours agoFOTO/ Nëna me dy fëmijët humbën jetën në një zjarr tragjik në Angli
-
Albania3 hours agoU kap me kokainë me vlerë 230 mijë euro, shqiptari: Mos më dënoni, më lejoni të kthehem në Shqipëri
-
UK2 days agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Sports2 hours agoIsh-kampioni i botës në boks Anthony Joshua plagoset në një aksident automobilistik në Nigeri, dy persona humbin jetën
-
Albania19 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania19 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
Albania20 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
