Përpjekja për vrasjen e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, pason një histori dhune politike që synon presidentët në detyrë ose të mundshëm të SHBA-së.
Që nga themelimi i vendit, katër presidentë janë vrarë dhe disa të tjerë janë vënë në shënjestër, si dhe disa kandidatë.
Ja një vështrim në disa atentate thuajse të humbura në historinë amerikane.
Abraham Lincoln – 1865
I qëlluar për vdekje nga John Wilkes Booth më 14 prill të vitit 1865, Abraham Lincoln ishte presidenti i parë që u vra.
Ai ndodhej në një teatër me gruan e tij Mary Todd Lincoln, në kohën kur u qëllua. Lincoln vdiq të nesërmen nga plagët e marra në pjesën e pasme të kokës.
Dy vjet para vrasjes së tij, gjatë Luftës Civile, Lincoln lëshoi Deklaratën e Emancipimit që u jepte liri skllevërve brenda Konfederatës.
Mbështetja për të drejtat e njerëzve me ngjyrë është përmendur si një motiv pas vrasjes së tij.
Booth u qëllua dhe u vra më 26 prill pasi u gjet i fshehur në një hambar pranë Bowling Green në Virxhinia.
James Garfield – 1881
Garfield ishte presidenti i dytë që u vra i cili u qëllua nga Charles Guiteau, ndërsa po ecte në një stacion treni në Uashington më 2 korrik të vitit 1881.
Alexander Graham Bell, shpikësi i telefonit, ishte përpjekur ta gjente plumbin e vendosur në gjoksin e Garfield me anë të një pajisjeje që e kishte projektuar posaçërisht për presidentin, por pa sukses.
Presidenti qëndroi në Shtëpinë e Bardhë për disa javë derisa vdiq në shtator, shkruan Skynews.
Guiteau u shpall fajtor dhe u ekzekutua në qershor të vitit 1882.
William McKinley – 1901
William McKinley u qëllua më 6 shtator të vitit 1901 pasi mbajti një fjalim në Buffalo, New York.
Ai u qëllua dy herë në gjoks nga një distancë e afërt.
Ndërsa mjekët prisnin që McKinley të shërohej, rreth plagëve të tij iu shfaq gangrena dhe ai vdiq më 14 shtator.
Leon Czolgosz pranoi fajin për të shtënat dhe u dënua me vdekje në karrigen elektrike në tetor të atij viti.
Franklin D. Roosevelt – 1933
Presidenti i zgjedhur nuk u plagos nga të shtënat në Miami në shkurt të vitit 1933.
Nga të shtënat mbeti i vrarë kryetari i bashkisë së Çikagos, Anton Cermak, për vrasjen e të cilit u dënua me vdekje Guiseppe Zangara.
Harry S. Truman – 1950
Harry S. Truman po qëndronte në Blair House, përballë Shtëpisë së Bardhë, në nëntor të vitit 1950 kur dy persona të armatosur hynë brenda.
Ai mbeti i padëmtuar, por një polic dhe një nga sulmuesit u vranë, ndërsa dy të tjerë u plagosën.
Oscar Callazo u arrestua dhe u dënua me vdekje për të shtënat, por Truman e ndryshoi dënimin e tij me burgim të përjetshëm në vitin 1952.
Ndryshe, ai u lirua nga burgu në vitin 1979 nga presidenti i asaj kohe, Jimmy Carter.
John F. Kennedy – 1963
Ndoshta vrasja më famëkeqe ndodhi më 22 nëntor të vitit 1963 kur John F. Kennedy u qëllua teksa kalonte nëpër Dealey Plaza në Dallas, në autokolonën e presidentit.
Disa orë pas atentatit, policia arrestoi Lee Harvey Oswald pasi zbuloi pozitën e një snajperi në një ndërtesë aty pranë, në Depozitën e Librave të Shkollës së Teksasit.
Dy ditë më vonë, Oswald po dërgohej nga policia në burg kur pronari i klubit të natës në Dallas, Jack Ruby, e qëlloi për vdekje.
Kennedy u pasua nga zëvendëspresidenti i tij, Lyndon Johnson, i cili u betua në bordin e Air Force One, duke e bërë atë të vetmin president që bëri betimin e detyrës në një aeroplan.
Gerald Ford – 1975
Gerald Ford mbeti i padëmtuar në dy atentate brenda disa javësh në vitin 1975.
Në përpjekjen e parë, Ford ishte rrugës për në një takim në Sacramento, kur kriminelja amerikane Lynette Fromme iu afrua me pistoletë.
Arma nuk u shkrep dhe Fromme u dënua me burg dhe u lirua në vitin 2009.
Vetëm 17 ditë më vonë, një grua tjetër, Sara Jane Moore, u përball me Ford jashtë një hoteli në San Francisko, duke shkrepur armën një herë dhe më pas duke u zhdukur.
Një kalimtar i rastësishëm e kapi nga krahu teksa tentonte një goditje të dytë.
Ajo u lirua nga burgu në vitin 2007.
Ronald Reagan – 1981
Pasi mbajti një fjalim në Uashington, Reagan u qëllua nga John Hinckley Jr, i cili ishte në turmë në mars të vitit 1981.
Reagan u shërua, por nga të shënat sekretari i tij i shtypit James Brady mbeti pjesërisht i paralizuar.
Hinckley u arrestua dhe u dërgua në një spital mendor pasi një juri e gjeti atë të pafajshëm për shkak të problemeve mendore. Ai u lirua në vitin 2022.
George W. Bush – 2005
George W. Bush ishte në një tubim në Tbilisi të Gjeorgjisë kur një granatë dore u hodh drejt tij.
Fatmirësisht, granata nuk shpërtheu.
Vladimir Arutyunian u shpall fajtor dhe u dënua me burgim të përjetshëm.