E vërtetë, këmbët i kanë rënë kokës. Madje me gishtat e tyre është shkruar edhe historia jonë. Nuk ka asnjë shkencë tjetër në mesin tonë që të vuajë kaq shumë njollat e krimit. Politika përpiqet ta folklorizojë e politizojë atë. Liria i jep gjithsecilit mundësi të kthehet përsëri në njeri, ndonëse pikëpyetjet për natyrën humane mbeten kur ai i shkreti shfaqet si admirues i terrorizmit. Të përpiqesh sot të gjesh moral dhe të drejtë historike në veprimet e Enver Hoxhës dhe shërbëtorëve të tij qoftë me uniformë, qoftë me kostum është ose marrëzi, ose përlyerje në makabritetin e tij. Debati i fundit mbi Prek Calin dhe shumë më tepër, akti i rrëzimit të mureve të kullës së tij nga kushdo të çojnë në të tilla përfundime të trishta. Në historinë moderne të kombit tonë zor se gjen dy shqiptarë më të panjollë se Dedë Gjo Luli e Prek Cali.
Njëri i vrarë nga serbët drejtpërdrejt, tjetri nga shqiptarët nën komandën e serbëve. Ky i dyti në të ri ka luftuar krah Dedës në Deçië kur për herë të parë pas pesë shekujsh flamuri shqiptar ngrihej në majën e Bratiles. Ishte një malësor i pashkollë, por i vetëdijshëm se ishte shqiptar. Nga ata që nuk negociuan asgjë me otomanët dhe të tjerët. Ai nuk tha kurrë hamdyrylah jam turk ose dobro jutro jam serb…! Jetoi si të parët e vet me po ato sakrifica, me po atë çmim që i paguhet jetës kur çatinë e ke në majë malesh, por me kujtime të patjetërsueshme. Për ata që e kanë origjinën nga Malësia e Madhe ose jetojnë ende aty, çdo gjë ka qenë e qartë si drita e diellit pa dilemë në lidhje me Prek Calin.
Ai ishte dhe mbetet hero semantik i një bote që nuk bëri kurrë pazar me identitetin e vet. Nuk ndërroi emra, gjuhë e fe. Qysh në kohën e Vuci pashës kelmendasit, paçka se hanin lëkurën e qarrit, kishin zgjedhur trimërinë, këtë virtyt themelor të kontinentit europian. Kryengritja u shndërrua në kuptim jete, në sintoni me temperamentin. Lufta në emër të nderit me gjasë u ka shijuar shumë më tepër se paqja në emër të frikës. Pak e pakuptueshme për kohët e sotme ku dimë çmimin e çdo gjëje dhe vlerën e asgjëje. E përqeshur kafeneve nga kulimet gegofobë, nipër të atyre që në rastin më të mirë thoshin…kam njohur filanin në Malësi…aaa ishte i zgjaur ai, jo si të tjerët.
Lufta e klasave kishte nevojë për kundërvënie krahinore, për çirakë që lubrifikonin këtë mekanizëm. Mes zgjedhjesh epike për bashkohësinë e sotme pothuaj të pakuptueshme dhe të paimitueshme ka lindur dhe është rritur Prek Cali. Pasi ka zgjedhur, i është dashur të ndeshet me turqit e Anadollit dhe “turqit” e Shqipërisë që nuk shkëputeshin dot nga baba, me serbët e malazezët, me shqiptarët e blerë prej tyre për lirinë e për kufijtë. Në vitin 1913, kjo përpjekje arrin zenitin e vet, por jo fundit.
Në këtë vit, falë qëndresës së pushkës dhe aftësisë argumentuese të këtij malësori, Kelmendi do t’i mbetej Shqipërisë. Kjo përpjekje do të finalizohej veç në vitet 1924-26 ku përsëri Prek Cali shkëlqen përballë diplomatëve të huaj, të cilët ia pranojnë urtinë dhe forcën e argumentit dhe mbyllin përfundimisht çështjen e kufijve veriorë me marrëveshje.
Diku Ernest Koliqi shkruan se Shkodra mbahej nga malet e saj, ndërsa Indro Montaneli te “Shqipëria një dhe një mijë” thotë se këtë qytet mund ta kuptosh më mirë pasi ngjitesh lart në male. Po e vërtet, malet ishin të Dedë Gjo Lulit, Bec Patanit, Cun Mules, Marash Ucit, Prek Calit, Llesh Marashit etj. Prek Cali ishte mik i Fishtës e Gurakuqit, një antizogist i orëve të para. U internua në kalanë e Gjirokastrës.
Do t’i bënte përshtypje të madhe piktorit e profesorit francez Marshand me gjatësinë dhe tiparet e forta me disa portrete, si dhe nxënësit të tij, tiranit të ardhshëm Enver Hoxha. Por Ahmet Zogu nuk ishte i etur për gjak, ishte shumë më tolerant se ç’e përshkruajnë e sidomos atdhedashës, e liroi malësorin e pazakontë duke e shoqëruar aktin me një dhanti, me gradën kapiten në rezervë dhe një nagant mbi dorezën e të cilit dukeshin shkronjat A Z. Viti 1945 e zë Prek Calin në moshën 75 vjeç atje në bjeshkët e tij rrethuar me lavdi e mirënjohje.
Një moshë kjo për të zënë qoshen e oxhakut dhe trazuar drutë në të dhe jo për të marrë pushkën dhe malet me dëborë apo shpellat me stalagmite. Qysh në të ri ai ishte objekt këngësh dhe venerimi si prijës me cilësi deri në kufijtë e legjendave. Nënat u këndonin kerthive në djep…të bëheni trima apo të hijshëm si Prek Cali…me flatra e të besës si ai. Një mit ky që na shoqëroi edhe ne që lindëm gjatë komunizmit, megjithëse ai ishte pushkatuar e shpallur armik përsëri e përsëri në familjet tona nuk reshtej së foluri për të dhe Dedë Gjo Lulin.
Personalisht mund të pohoj se ai është heroi i fëmijërisë dhe adoleshencës sime. Po çfarë ndodhi që ky burrë plak pranoi të dilte nga shtëpia dhe t’u printe malësorëve në një rezistencë të pabarabarte ndaj forcave partizane? Ata nuk shkuan thjesht për të vendosur autoritetin e shtetit në malësi, siç thotë Dritan Hila. Partizanët e Shefqet Peçit dhe Mehmet Shehut po shkonin si terroristë dhe dominues krahinorë.
Dritan Hila me ndershmërinë intelektuale që në përgjithësi nuk i mungon, do të bënte mirë të lexonte kujtimet e Pandi Kristos, kur thotë se “lleshrat e prengerat i kemi qëlluar veç se quheshin kështu, veç se ishin katolikë”. Në Shkodrën e çliruar nuk po vendosej autoriteti i shtetit, por i termidorit të kuq i një terrori të panjohur më parë pa asnjë kriter arsyeje, të paushtruar as nga turqit, as nga malazezët. Po vritej pa gjyq elita, kleri, shkrimtarët, tregtarët, nëpunësit. Po ndodhte vetë apokalipsi. Shqipëria ishte çliruar prej javësh dhe veriu konsiderohej i pushtuar nga “reaksionarët”.
Regjimi i ri nuk ishte demokratik, përkundrazi një thundër tiranike që nuk duhet ngatërruar me luftën kundër nazifashizmit se biem në abuzim. Të ishe kundër tij ishe në anën e lirisë, në krah të tij në anën e terrorit. Po ashtu brigadat partizane u sollën në malësi më keq se trupat e Turgut pashës në ekspeditën e vitit 1908. Ata vrisnin nga një pothuaj për çdo shtëpi, digjnin kullat, sekuestronin pasurinë, internonin familjet dhe fyenin gratë! Ky ishte autoriteti i përbindshëm i krimit dhe jo i shtetit. Fjala kishte mbërritur edhe në Kelmend. Alternativat ishin dy.
A do të masakroheshin duke pritur në shtëpi, apo duke u përballur? Qeveria e Tiranës ishte në aleancë me atë të Beogradit dhe duhet thënë se një flamur armik u printe brigadave partizane, pikërisht Trobojnica, flamurijugosllav. Është e vërtetë se në Urën e Tamarës u vranë 36 partizanë, siç është e vërtetë se i gjithë batalioni u zu rob dhe u la i lirë nga malësorët me këshillën: “Hajdeni si vllazën e jo si vrasës”.
Natyrisht keqardhja për ata 36 partizanë është legjitime, por duhet pranuar se po kryenin terror në një kohë që Shqipëria ishte çliruar nga pushtuesit nazifashistë. Vazhdimi i historisë është edhe më tragjik. Brigada e parë sulmuese bashkëpunoi me malazezët, kaloi nga territori i tyre dhe i ra Kelmendit pas shpine në një betejë të pabarabartë. Prek Cali me 16 burra rrethohet në një shpellë.
Për t’i nxjerrë prej aty përdoret prifti i fshatit. Cali i kërkon atij që të negociojë me komandantin partizan për t’u falur jetën malësorëve që ishin me të (jo atij), sidomos të një djali pesëmbëdhjetëvjeçar dhe të mos i çudnonin kufomën në rast pushkatimi. Priftin e gënjyen dhe ai i bindi ata të dilnin. Asnjë premtim nuk u mbajt. Mehmet Shehu e priti në Shkodër pas një spektakli të ndyrë me popullin si skenografi ku i thotë: “Të thafshin krahët Prek Cali, po të ishe me ne, historia jote do të shkruhej me shkronja të arta”.
Ai i përgjigjet”: “Dëgjo Mehmet Shehu, edhe nji qind jetë po t’i kisha, nuk më dhimben me luftue kundër Trobojnices dhe bolshevizmit. Mos u ngut me thanë se kush do jetë tradhtar e hero i kombit. Jeta e Shqipnisë vazhdon edhe kur të desim na”. Tani të zënë në ethet e fajit dhe pesha e krimit të gjyshërve dhe etërve gjatë këtyre 27 viteve konsumohet si përligjie historia e shkruar nga propaganda e regjimit dhe historianet e tij “që nuk vdesin kurrë” krejt si heronjtë e tyre. Ata vazhdojnë të ndyjnë ato vlerat të pakta, bartësit e tyre kur shumica u përkul dhe bashkëpunoi me kriminelët duke prodhuar mjaft të tillë edhe vetë.
Njeriu i ri kundër njeriut të Zotit. Qeveria e Edi Ramës po flet për një nismë, e cila synon të zhveshë nga dekoratat hierarkët e diktaturës. Gjë e mirë. Më mirë vonë se kurrë, por më parë t’i nxjerrë të vetët, fëmijët e nomenklaturës të kërkojnë falje në emër të baballarëve dhe Gramoz Ruçit t’i thotë më fal u nxitova me ty, gabova dhe provokova rëndë kujtesën antikomuniste të Shqipërisë. Më pas t’i propozojë Presidentit të Republikës që Prek Calin të dekorojë me “Urdhrin e Flamurit”, shtizë e të cilit ai qe në çdo ditë të jetës së tij. Presidenti bën mirë ta pranojë.
Ilir Meta çdo fillim shtatori shkon në Skrapar dhe nderon çlirimin e qytetit, por po kaq mirë do të bënte të shkonte në Kelmend çdo shkurt për të përkujtuar kryengritjen e parë antikomuniste në Europën Lindore dhe “Robin Hudin” e maleve, Prek Calin. Aty zë fill liria nëse liri duam e bij skllevërish nuk jemi. Përndryshe një komb që nuk nderon heronjtë e vet do t’u përkulet batakçinjve të vet, i mjerë dhe i pazoti që nuk i bën zap ata. /Publikuar në Facebook/