Analisti nga Shqipëria, Andi Bushati ka komentuar zhvendosjen e festivalit “Sunny Hill” në Tiranë.
Bushati përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se “duhet të jeni ose shumë naivë ose shumë të pa ditur” për ata që mendonin se VV do dinte të joshte një tregtar të etur për fitime si Dukagjin Lipa më shumë se Rama apo Velijaj.
Festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet sivjet në Prishtinë. Ky festival që organizohet nga këngëtarja Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa, është zhvendosur në Tiranë. Hapësira ku do të mbahet festivali është parku buzë liqenit artificial të Tiranës.
Dukagjin Lipa, një prej organizatorëve të festivalit “Sunny Hill” njoftoi dje se festivali s’do të mbahet sivjet në Prishtinë.
Ai tha se shkaku i zvarritjes së procedurave nga ana e Qeverisë për tokën që komuna u ndau, kanë marrë vendim që ta mbajnë festivalin në Tiranë.
Të menjëhershme ishin reagimet e Kryetarit të Tiranës, Erion Veliajt dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës.
Veliaj publikoi në InstaStory njoftimin e festivalit, derisa Rama reagoi i ekzaltuar për këtë lajm.
“LAJM I MIRË. Festivali “Sunny Hill” vjen në Tiranë, ku në javën e parë të gushtit Dua Lipa dhe të ftuarit e saj do të ndriçojnë netët e kryeqytetit me shkëlqimin e tyre. S’ka si Tirona jo”, shkroi Rama.
Tashmë është zbuluar edhe lokacioni ku do të mbahet festivali.
Shpat Begolli, anëtar i ekipit organizativ ka zbuluar se festivali do të mbahet në parkun buzë liqenit artificial të Tiranës.
Ai tha se Bashkia e Tiranës është zotuar se do t’i bëjë të gjitha adaptimet që festivali të mbahet aty.
“Është park, mirëpo atje është shumë më i madh sesa Gërmia. Si është kryer edicioni i vitit 2019, ne kemi kërkuar hapësirë të përshtatshme sepse festivali po rritej. Po të mbahej sot, Gërmia nuk do të na zinte”, është shprehur Begolli.