Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan mbërriti sot në Tiranë për një vizitë zyrtare. Në axhendën e tij një ditore Presidenti turk dhe delegacioni i tij zhvilluan një takim në Presidencë me presidentin e Shqipërisë z. Bajram Begaj.
Më pas Presidenti turk vijoi axhendën e tij me takimin kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama. Takimi u pasua nga firmosja e disa marrëveshjeve bilaterale dhe një konferencë e përbashkët shtypi. Ndërkohë pasdite presidenti Erdoğan së bashku me kreun e qeverisë shqiptare pritet të inaugurojnë xhaminë e Namazgjasë.
***Deklaratë e përbashkëte Kryeministrit Edi Rama me Presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan:
Fjala e Presidentit Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan: Të nderuar, ministra! Të nderuar, anëtarë të shtypit!
Ju përshëndes me ndjenjat e mia më të përzemërta në emrin tim personal dhe të kombit tim. Jam i nderuar që jam në vendin mik dhe vëllazëror, Shqipërinë, me rastin e takimit të dytë të Këshillit tonë të bashkëpunimit të nivelit të lartë. Siç e dini vitin e kaluar ne festuam 100-vjetorin e marrëdhënieve tona diplomatike me Shqipërinë. Marrëdhëniet tona miqësore me Shqipërinë të forcuara nga lidhjet historike dhe afërsia kulturore në fakt shtrihen përtej një shekulli. Me konsultimet tona të sotme ne e thelluam më tej partneritetin tonë strategjik të cilin e ndërtuam në vitin 2021 mbi këtë themel historik njerëzor dhe kulturor. Shkëmbyem pikëpamje të hollësishme mbi fushat e bashkëpunimi që përcaktuam në takimin tonë të parë të Këshillit në Ankara shkurtin e kaluar. Gjithashtu me deklaratën e përbashkët që nënshkruam, theksuam vendosmërinë tonë për të zhvilluar dhe thelluar Këshillin tonë në fusha të ndryshme. Ne konfirmuam vullnetin tonë për të avancuar bashkëpunimin tonë me tre marrëveshjet që sapo kemi nënshkruar në fushën e bujqësisë, arsimit të lartë dhe marrëdhënieve me publikun dhe komunikimin.
Të nderuar, anëtarë të shtypit, ne i shohim nismat tona në fushën e tregtisë dhe të investimeve si hapa që do të rrisin mirëqenien e popujve tanë. Në këtë kuadër ne vazhdojmë përpjekjet tona të përbashkëta për të rritur vëllimin tregtar në 2 miliardë dollarë në fazën e parë kjo. Gjatë takimeve tona ne ramë dakord që të diversifikojmë investimet tona të ndërsjella për të përfshirë sektorë novatorë që do të ofrojnë avantazhe në kushtet e sotme.
Ne do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë të fortë në fushën e shëndetësisë me operimin e përbashkët të Spitalit të Miqësisë në Fier të cilin ne e ndërtuam në një kohë rekord në vitin 2021.
Ne gjithashtu do të ofrojmë mbështetjen e nevojshme për të përmbushur nevojat e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, partnerit tonë strategjik, aleatit tonë të NATO-s në fushën e pajisjeve ushtarake dhe trajnimeve ushtarake.
Ne diskutuam edhe çështjen e luftës së përbashkët kundër organizatave terroriste, veçanërisht kundër FETO-s me mikun rim të dashur kryeministër, zotin Rama.
Shpresojmë që ta vazhdojmë luftën tonë kundër organizatave terroriste në mënyrë efektive përmes vendimeve që ne kemi marrë sot.
Të nderuar anëtarë të shtypit! Me zotin kryeministër shkëmbyem edhe ide për çështje globale dhe rajonale. Ne ndjekim me admirim përpjekjet e Shqipërisë për vendosjen e paqes dhe stabilitetit si në rajonin tonë ashtu edhe në arenën ndërkombëtare. Mizoritë izraelite në territoret e pushtuara palestineze, veçanërisht në Gaza dhe Liban ishin ndër pikat prioritare të agjendës së takimit tonë.
Unë ndava pikëpamjet tona për agresionet e qeverisë Netanyahu të cilat shkojnë përtej fushëveprimit rajonal dhe tani janë bërë një kërcënim për rendin global. Gjenocidi që po vazhdon prej 1 viti në Gaza është turpi i përbashkët i të gjithë njerëzimit. Për këtë arsye ne si komunitet ndërkombëtar duhet të bëjmë çmos për të siguruar një armëpushim të përhershëm, për të ofruar ndihma humanitare dhe për të bërë presionin e nevojshëm mbi Izraelin. Unë sinqerisht besoj se Shqipëria do të bëjë pjesën e saj në këtë drejtim.
Të nderuar anëtarë të shtypit! Përsëri sot me mikun tim të dashur, zotin Rama do të hapim xhaminë e Namazgjasë e cila është dhuratë e popullit turk për motrat dhe vëllezërit e tyre myslimanë në Shqipëri, më mbështetjen e entit tonë të çështjeve fetare dhe fondacionit tonë fetar, Diyanet.
Falënderoj të gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Kjo vepër e shquar, xhamia më e madhe në Ballkan do të jetë një vend adhurimi ku do të lulëzojë ndjenja e paqes dhe unitetit, vlerat supreme të islamit.
Me këto mendime dua të falënderoj të gjithë miqtë tanë shqiptarë veçanërisht Kryeministrin Rama, për mikpritjen e sinqertë. Shpresoj që konsultimet tona dhe vendimet që marrim, të jenë të dobishme dhe ju përshëndes dhe këto hapa që do të hedhim ne për turizmin dhe këto konsultime, vendimet që kemi marrë të jenë të dobishme për të dy vendet tona.
Fjala e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama: Së pari, dua të përsëris edhe njëherë, për të disatën herë qysh kur presidenti ka ngjitur shkallët e kësaj godine, falënderimet dhe shprehjen më të sinqertë të mirënjohjes për vizitën sot në Tiranë, së bashku me një pjesë të konsiderueshme të ekipit të tij qeveritar. Ejvallah!
Jam vërtetë shumë i kënaqur që zhvilluam takimin e dytë të Këshillit të nivelit të lartë të Bashkëpunimit ku jo vetëm konfirmuam vendosmërinë për ta forcuar më tej karakterin strategjik të këtij bashkëpunimi por edhe mundën të vlerësojmë zbatimin konkret të marrëveshjeve të bëra si edhe potencialin e jashtëzakonshëm të kësaj marrëdhënieje.
Presidenti i Republikës së Turqisë e përsërit sa herë takohemi dhe me shumë të drejtë që niveli i shkëmbimeve tregtare mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk e pasqyron ashtu siç duhet potencialin mes dy vendeve dhe sikundër e dëgjuat dhe nga ai vetë, ambicia jonë është që sa më shpejt ne të arrijmë tavanin e 2 miliardë eurove për të çelur pastaj një fazë të dytë me edhe më shumë zhvillim të këtyre shkëmbimeve.
Nga ana tjetër, ndava me Presidentin kënaqësinë që në tërësinë e zhvillimit shumë inkurajues të turizmit në vendin tonë, numri i qytetarëve turq që kanë vizituar Shqipërinë gjatë 8 muajve të parë të këtij viti është rritur me 85% dhe nga ana tjetër, duke parë interesimin në rritje të përditshme të agjencive dhe të operatorëve turistikë të vendit mik, ne jemi besimplotë që vitin e ardhshëm, numri i qytetarëve turk që do të vizitojnë Shqipërisë do të jetë ende më mbresëlënës.
Në këtë aspekt, presidenti ritheksoi dhe patjetër që ramë plotësisht dakord që duhet të bëhet më shumë për investime të drejtpërdrejta nga ana turke në sektorin e turizmit ku e dimë të gjithë dhe falë, në radhë të parë, të zotërisë në krahun tim, Turqia ka bërë një transformim marramendës dhe është kthyer në një vend që jo thjesht mirëpret miliona e miliona turistë, por ka një kapacitet të dijes në nivelin e ekselencës që për ne do të ishte shumë i vyer.
Nga ana tjetër, sot ne firmosëm disa marrëveshje, të gjitha të rëndësishme, por më e rëndësishmja dhe më e mirëpritura dhe pak si e shumëpritura nga ana jonë ishte firmosja e marrëveshjes për Universitetin Teknik të Stambollit në Tiranë. Kjo është diçka shumë e rëndësishme në disa aspekte dhe patjetër që është diçka që do të sjellë një hapësirë të re studimesh të larta të nivelit të lartë botëror pasi Universiteti Teknik i Stambollit është i kuotuar ndër universitetet më të mira të botës, por dhe për një arsye tjetër, sepse është hera e parë në praktikën e Republikës së Turqisë që bën diçka të tillë dhe kjo thjesht dhe vetëm për përkushtimin e presidentit Erdogan ndaj kësaj marrëdhënieje vëllazëror dhe prandaj dua që ta falënderoj specifikisht për këtë marrëveshje të nënshkruar sot dhe uroj dhe dua të besoj që edhe në implementim, njerëzit që do të merren me zbatimin e marrëveshjes do të kenë, të paktën, gjysmën e energjisë dhe të këmbënguljes të presidentit sepse t’i kërkosh që ta kenë të tërën është diçka që është jo realiste.
Nga ana tjetër, ne jemi shumë të interesuar dhe patjetër edhe shumë të përmbushur sot pas konfirmimit të një etape të re në fuqizimin e industrisë ushtarake të Republikës së Shqipërisë dhe në fuqizimin e kësaj marrëdhënieje në aspektin ushtarak ku dihet botërisht që Turqia ka arritur një nivel shumë të lartë kapacitetesh për prodhimin e industrisë ushtarake dhe ku ne kemi identifikuar konkretisht investime në këtë fushë.
E thashë në hapje të mbledhjes së Këshillit dhe e përsëris që unë e çmoj posaçërisht dhuratën e presidentit sot në këtë kohë të trazuar kur bota ka marrë një drejtim, të çuditshëm për ta thënë me një fjalë të butë, për t’i dhënë ushtrisë së Republikës së Shqipërisë një numër të konsiderueshëm dronësh kamikazë.
Është një dhuratë që nuk duhet të shqetësojë askënd se kë do të godasë Shqipëria, por besoj që është një dhuratë që përmban brenda një mesazh shumë të qartë të Republikës së Turqisë në raport me këtë marrëdhënie, që Shqipëria është e pagoditshme.
Sigurisht që Ukraina është një temë qendrore e të gjitha diskutimeve që bëhen në këto nivele kudo, por është një temë qendrore e çdo bisede që unë kam pasur me presidentin e Republikës së Turqisë dhe po ashtu sot, përveç konfliktit të tmerrshëm në Ukrainë që po godet, në mënyrë të pamëshirshme dhe tërësisht të padrejtë, një popull që është në të drejtën e vet për të jetuar i lirë dhe për ta zgjedhur vetë se ku do të pozicionohet, edhe ajo që ndodh përditë në Gaza është një tragjedi me proporcione kolosale.
Ne bashkë-ndajmë me presidentin Erdogan vlerësime të njëjta lidhur me agresionin rus në Ukrainë dhe lidhur me të drejtën e pamohueshme të popullit palestinez për të jetuar i lirë në shtetin e tij, por në një pikë kemi një këndvështrim të ndryshëm sepse duke qenë tërësisht të vendosur, bashkë me Republikën e Turqisë dhe me shumë të tjerë, po flas për këtë marrëdhënie kundër terrorizmit, kundër terrorit, për ne terrori, në çdo formë dhe me çdo pamje që të shfaqet është i pa tolerueshëm.
Ne jemi absolutisht dhe kemi votuar në mënyrë të përsëritur në Këshillin e Sigurimit për një armëpushim që patjetër duhet të nënkuptojë dhe lirimin e menjëhershëm të gjitha pengjeve, por për ne Hamasi dhe çdo burim tjetër i terrorit nuk ka vend në të ardhmen paqësore që duhet të vendoset mbi dy shtete sovrane, Izraeli dhe Palestina, të cilat duhet të jetojnë të sigurta dhe nga ana tjetër, askush nuk duhet të vërë në pikëpyetje të drejtën e ekzistencës së tyre.
Pas kësaj vizite dhe këtij momenti kaq të rëndësishëm, të cilit i shtohet si një vlerë e madhe edhe hapja e xhamisë të madhe të Namazgjasë, presidenti do të niset për Beograd dhe e sjell këtë në vëmendje për t’ju kujtuar të gjithëve një fakt historik. Republika e Turqisë, kur presidenti Erdoğan ishte kryeministër, e ka njohur Kosovën e para, por nuk ka qenë një njohje e Kosovës e para thjesht zyrtare dhe diplomatike; ka qenë një njohje e Republikës së Kosovës në kohë reale në sinkron me punimet e Parlamentit të Kosovës dhe në momentin kur në televizor, përpara të cilit ishte mbledhur gjithë qeveria me atëherë kryeministër dhe sot president, deputetët e Kosovës kanë ngritur dorën për të miratuar pavarësinë, qeveria e Republikës së Turqisë ka njohur Kosovën. Pra, një mik më të padiskutueshëm në të gjitha ditët sesa Turqia dhe presidenti, Republika e Kosovës nuk e gjen dot as gjëkundi.
Ne ndajmë shqetësimin që situata mes të dyja shteteve duhet të përmirësohet dhe se dialogu duhet të prevalojë dhe e them këtë përpara një personaliteti që dialogun e ka pasur dhe e ka mjetin më të zakonshëm të punës me të gjithë dhe gjithmonë.
Zoti president, nuk dua të zgjatem më tutje. Dua edhe njëherë t’ju falënderoj dhe t’ju siguroj që pjesa e mërzitshme e ditës mbaroi dhe fillon një pjesë tjetër, ku jam i bindur që për ju do të jetë një gëzim i posaçëm sepse jo vetëm ishit zëri i Komunitetit të besimtarëve Myslimanë Shqiptarë, përpara Komunitetit Mysliman Turk duke garantuar mbledhjen e mjeteve për ndërtimin e xhamisë së madhe, por keni qenë, në çdo rast kur jemi takuar, shumë i vëmendshëm dhe këmbëngulës për të parë këtë ditë sot.
Jam i bindur që ju në Turqi keni xhami shumë të bukura, por ajo xhami që do të shihni sot do të hyjë në koleksionin e xhamive më të bukura të ndërtuara në kohët moderne dhe pa diskutim që kjo është, në radhë të parë, merita juaj sepse e kujtoj shumë mirë, jemi takuar për herë të parë dhe në fund të takimit kur unë erdha kryeministër i sapo zgjedhur në Shqipëri, ju bëtë atë dorën kështu nga dera dhe erdhi projekti dhe më thatë: “Ky është projekti i vëllazërisë shqiptaro-turke”.
Unë kisha vërejtje për projektin dhe ju më thatë: “Projektin po ta lë ty sesi do të duket. Xhaminë dua të vij ta hap me ty”. E pas pak unë do t’ju shoqëroj me shumë kënaqësi dhe shumë i nderuar sepse të gjitha ikin, por shtëpitë e besimit mbeten edhe kur emrat tanë, përveç tuajit, të harrohen.//TCH