Një foto e buzëqeshur, që mbart një histori të rrëfyer teksa gjerbte një filxhan kafeje dhe një model suksesi në Irlandën e Veriut. Në postimin e fundit në rrjete sociale, Blendi Fevziu ka ndarë historinë e triumfit të një shqiptari, të mësuar në aeroportin e Belfastit në një orë të vonë të mbrëmjes.
Një shqiptar, teksa pastronte dyshemenë e aeroportit, e kishte ftuar Fevziun për t’i ofruar një kafe, ndërsa ishin mbyllur të gjitha kafenetë. Për habinë e moderatorit, ai hoqi shiritin e bllokimit të kafeneve duke i zbuluar se në të vërtetë, ishte pronari i tyre dhe dyshemeja ishte thjesht një punë shtesë.
Shqiptari nga Sevasteri i Vlorës kishte braktisur vendin e tij që në eksodin e ’90-ës nga Greqia, në Francë e më pas në Britani. Në postimin e tij, Blendi Fevziu rrëfen hollësisht të gjithë ngjarjen dhe historinë e këtij emigranti që mbi varfërinë e skajshme ndërtoi një kështjellë.
“La mënjanë makinën e vogël mbi të cilën po pastronte dyshemenë e aeroportit të Belfastit në atë orë të vonë dhe më ftoi për kafe. U mundova ta refuzoja me xhentilesë, duke e falenderuar dhe kur insistimi nuk reshti, i tregova që zona e kafeneve ishte mbyllur tashmë. “Mos ki merak”, më tha, bëri përpara, hapi shiritin që ndalonte hyrjen e kafeneve, ndezi ekspresin nën hutimin tim total.
⁃ I kam unë me qira këto këtu, më tha, “po hajde ulu”.
⁃ Ti po laje dyshemenë, i thashë, “ç’punë ke me lokalet?”
⁃ Jam pronari. Dyshemenë e bëj si punë shtesë. Sot s’kisha punëtor dhe po e bëj vetë. Sapo mbylla lokalet.
U zgjat mbi banak, mori një copë kek dhe ma afroi ndërsa ngrohej ekspresi. “Këtë e bën një grua nga Vlora”, më tha. “E bën si qëmoti. Unë ia marr asaj dhe i shes”.
Historia e tij ishte thuajse e pabesueshme. Kishte ikur nga Sevasteri i Vlorës si shumë shqiptarë të tjerë në vitet ‘90 – të. Kishte kaluar malin për në Greqi ku kishte punuar ca vite. “Ishim shumë vëllezër”, më tha “dhe shumë të varfër. Prisja që vëllai të hiqte këpucët që t’i vishja unë”. Pas ca vitesh në Greqi kishte marrë rrugën për Angli. Nën kamion nga Franca në Britani. Kishte punuar në Londër dhe kur djali i vetëm po i rritej ishte transferuar në Irlandën e Veriut. Kishte bërë çdo lloj pune dhe tani kishte një stabilitet financiar për t’u admiruar. Por punonte sërish. Ku të mundte. Me pasionin që mund të punojë vetëm një njeri që e do punën. “Kur kisha prindërit gjallë” më tha, “shkoja në Shqipëri me makinë. Ishte larg, por e mbushja me dhurata për plakat dhe pleqtë e fshatit”. Tani vinte më rrallë. Djali po i bëhej grafik dizajner dhe ishte krenar për të.
⁃ Ne nuk bëmë shkollë, tha, nuk mundëm. Por djali po!
Më përcolli deri tek avioni. Më mahniti historia e tij. Besimi se me punë mund të rimëkëmbesh. Ishte kaq e ngjashme me historitë e plot emigrantëve të tjerë. Që ikën nga mjerimi i viteve ‘90, që besuan tek ëndrra e lirisë dhe ajo ua ktheu sërish mbrapsht”./tvklan.al