Ministria e Mbrojtjes së Nagorno-Karabakh ka njoftuar të mërkurën se edhe 40 ushtarë të vet kanë humbur jetën në luftimet, duke çuar shifrën totale të ushtarëve të vdekur në 280 që kur kanë nisur luftimet me Azerbajxhanin më 27 shtator, raporton agjencia Interfax.
Rajoni është duke i parë luftimet më të ashpra në më tepër se 25 vjet.
Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, të mërkurën ka thënë se është i shqetësuar se luftimet mes Azerbajxhanit e Armenisë mund të kthehen në një luftë rajonale.
Ai ka thënë se është totalisht e papranueshme që predha të bien në territor iranian, pasi mediumet iraniane kanë njoftuar se predha kanë rënë në fshatra në afërsi të kufirit veriperëndimor të Iranit, ndërsa është lënduar një fëmijë dhe janë dëmtuar disa ndërtesa.
“Duhet të jemi të vëmendshëm që lufta mes Armenisë dhe Azerbajxhanit të mos kthehet në luftë rajonale”, ka thënë Rouhani, raporton agjencia Reuters.
Armenia ka akuzuar Turqinë, duke thënë se po kërkon të vazhdohet me gjenocidin në Nagorno-Karabakh.
E presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se do të vazhdojë bisedimet me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev për Nagorno-Karabakh. Putin me Aliyevin kanë folur nëpërmjet telefonit të mërkurën.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, ka thënë se shteti i tij mund të bëjë koncesion për rajonin Nagorno-Karabakh nëse Azerbajxhani është i gatshëm ta bëjë këtë.