Para se të hiqte dorë nga këndimi në vitin 2020, Antonio Colombo, i njohur me emrin e artit si “Tony” ishte një prej këngëtarëve më të vlerësuar të neomelodikos, një lloj zhaneri muzikor që është më së shumti i përhapur në rajonet jugore të Italisë. Këngët e tij ishin shumë të vlerësuara edhe në botën e nëndheshme të mafias.
Kur ai u martua në vitin 2019 me Tiana Rispolin, ish-gruan e bosit të vrarë të mafias napoletane, Gaetano Marino, në dasmën e tyre morën pjesë disa anëtarë të Camorra-s. Colombo ishte bërë aq shumë i famshëm në radhët e mafias, saqë sipas policisë, përfundoi duke punuar për ta. Ai, bashkë me gruan, Tina Rispolin, ishin mes 27 personave të arrestuar gjatë kësaj jave gjatë kapjes së disa anëtarëve të mafias napoletane. Ata dyshohet se punonin për klanin e Marco di Lauros, i burgosur tashmë.
Sipas prokurorisë, Colombo, 37 vjeç, mendohet se ka përfituar fonde të paligjshme nga klani mafioz, duke i fshehur ato si të ardhura nga karriera muzikore. Colombo dhe Rispoli kanë mohuar të jenë përfshirë me krimin e organizuar.
Mes sipërmarrjeve të këtij grupi mafioz ishte edhe një linjë veshjesh e quajtur ‘Corleone’, duke iu referuar familjes mafioze në filmat “Kumbari” (The Godfather). Po ashtu, ata kishin nxjerrë në treg një pije energjike të quajtur “9mm”, duke iu referuar kështu kalibrit të armatimit të pistoletave.
Sipas asaj që shkruajnë mediat, këngëtari Colombo para se të tërhiqej kishte nxjerrë 20 albume dhe kishte performuar në Itali, Gjermani, Kanada dhe SHBA. Në 2019 ai u martua dhe 1 vit më vonë njoftoi largimin nga muzika. Kënga e fundit e Colombo-s në Youtube, “Do të të pres në altar”, ka marrë rreth 60 milionë shikime.
Lloji i muzikës që ai këndonte, neomelodika, lindi në vitet 1980 si pasojë e ndryshimeve shoqërore dhe vështirësive të këngëve tradicionale napoletane, që janë përshkruar shpesh si rap-i gangster i Italisë. Por kjo nuk është hera e parë që një këngëtar i këtij zhaneri është arrestuar për lidhje me mafian. Shpesh ata janë të lidhur me bosët e mafias, ose karrierat e tyre janë të financuara nga ata.
Përveç akuzave për lidhje mafioze dhe zhvatje, të arrestuarit e fundit, ku përfshihet edhe këngëtari, akuzohen për manipulim ankandesh dhe kontrabandë të duhanit. Sipas policisë, këto ishin aktivitetet e reja “sipërmarrëse” të klanit Di Lauro, kreu i së cilit, u vu në pranga në vitin 2019, pas 14 vitesh në arrati.
Autoritetet thonë se anëtarët e këtij grupi kanë hequr dorë nga përdorimi i armëve sidomos pas një lufte të gjatë e të dhunshme për kontrollin e tregtisë së drogës. Në vend të kësaj, ata u fokusuan në rregullimin e ankandeve duke përdorur dhunën për të frikësuar ofertuesit e tjerë dhe për të ulur çmimet e pronave. Më pas i shisnin ato me një çmim të konsiderueshëm.
Klani mafioz siguronte edhe salla sportive, bastesh dhe supermarkete duke kontrabanduar cigare nga Bullgaria dhe Ukraina, shpesh duke përdorur ndërmjetës. Sipas policisë, gjatë operacionit janë sekuestruar asete me vlerë rreth 8 milionë Euro./