Autoritetet kanë identifikuar disa nga viktimat e sulmit me armë zjarri në plazhin Bondi, ku humbën jetën të paktën 15 persona gjatë një aktiviteti për festën e Hanukës.
Mes tyre janë fëmijë, rabinë, një i mbijetuar i Holokaustit dhe anëtarë të njohur të komunitetit hebraik.
Matilda (10 vjeçe) – Vajza e mitur u identifikua nga familja e saj. Ishte nxënëse në Harmony Russian School of Sydney dhe përshkruhej nga mësuesit si një fëmijë i gëzuar dhe plot jetë. Motra e saj ndodhej pranë saj në momentin e sulmit.
Rabbi Eli Schlanger (41) – I njohur si “Rabini i Bondit”, ishte një nga organizatorët kryesorë të aktivitetit. Drejtues i misionit lokal Chabad, baba i pesë fëmijëve, më i vogli vetëm dy muajsh.
Dan Elkayam – Shtetas francez, analist IT në NBCUniversal, i zhvendosur në Australi vitin e kaluar. Ishte gjithashtu futbollist aktiv në një klub lokal në Sydney.
Alexander Kleytman – I mbijetuar i Holokaustit, me origjinë nga Ukraina. Sipas komunitetit Chabad, humbi jetën duke mbrojtur bashkëshorten e tij nga plumbat. La pas dy fëmijë dhe 11 nipër e mbesa.
Peter Meagher – Ish-oficer policie në NSW, me rreth katër dekada shërbim. Në momentin e sulmit po punonte si fotograf i pavarur në aktivitet.
Reuven Morrison – Biznesmen dhe filantrop, i ardhur në Australi nga ish-Bashkimi Sovjetik në vitet ’70. I njohur për mbështetjen e komunitetit hebraik dhe organizatës Chabad.
Rabbi Yaakov Levitan – Koordinator i njohur i aktiviteteve të Chabad në Sydney, sekretar i Sydney Beth Din dhe punonjës në BINA Center.
Tibor Weitzen (78) – Anëtar i dashur i sinagogës Chabad në Bondi. U vra teksa përpiqej të mbronte një mik të familjes. Kishte emigruar në Australi nga Izraeli në vitin 1988.
Autoritetet kanë bërë të ditur se identifikimi i plotë i viktimave vijon, ndërsa komuniteti hebraik në Australi ka shprehur dhimbjen për humbjet e rënda njerëzore.




