Në kurorëzimin e muajit të ardhshëm, bashkëshortja e mbretit Charles do të marrë, më në fund, titullin plotësisht të ligjshëm si mbretëreshë. Megjithatë, pak dihet për Camilla-n e cila rrallëherë është shfaqur nëpër intervista apo aktivitete. Por ajo që e ka vënë gjithmonë në qendër të vëmendjes, dekadat e fundit, është historia komplekse e marrëdhënies së saj me mbretin Charles dhe familjen e tij. Nga një figurë aspak e pëlqyer për britanikët e deri te ngjitja në fron, po rendisim më poshtë periudhat më të rëndësishme të jetës së Camilla-s.
1947-1964: Një fëmijëri e zakonshme
E lindur në spitalin e King’s College në jug të Londrës më 17 korrik 1947, Camilla Shand u rrit në një shtëpi fshati të shekullit të 18-të në Plumpton, East Sussex. Alice Keppel, e njohur për një marrëdhënie komplekse me mbretin Eduardi VII dhe Thomas Cubitt, projektues i shumë ndërtesave të rëndësishme në Londër, janë pjesë e trungut të saj familjar. Camilla, vëllai i saj Mark dhe motra e saj Annabel u rritën nga prindër të pasur, të cilët zotëronin shtëpi në East Sussex dhe South Kensington.
Camilla studioi në shkollën Queen’s Gate në Kensingtonin e Jugut dhe më pas në Mon Fertile, një shkollë tashmë e mbyllur në Zvicër. Pas përfundimit të studimeve të saj në Zvicër, ajo mori vendimin për të udhëtuar në Francë dhe për të studiuar letërsi në Institutin e Universitetit të Londrës në Paris, për gjashtë muaj. Megjithatë, të dhënat për arritjet e saj akademike, janë të pakta.
1965-1973: Debutuese
Në vitin 1965, në moshën 17-vjeçare, Camilla u shfaq si një debutuese në rrethet e larta aristokrate të Londrës. Asokohe, në fakt, kjo traditë e prezantimit të vajzave të reja me beqarë, po merrte fund. Pasi u largua nga shtëpia, ajo ndau një apartament të vogël në Kensington me shoqen e saj Jane Wyndha. Punoi si sekretare për një sërë firmash në West End dhe më vonë u punësua si recepsioniste nga firma e dekorimit Sibyl Colefax & John Fowler.
Një nga pasionet më të mëdha të Camilla-s ishte hipizmi, ndaj shpesh shihej të merrte pjesë në aktivitetet me kuaj. Gjithashtu, i pëlqente të pikturonte, të peshkonte, si dhe të merrej me hortikulturën dhe kopshtarinë. Pasione këto që e afruan shumë me Charlse-n. Ndaj shpesh pyetja që ngrihet në të gjithë sagën e Camilla-s dhe Charles, është se përse nuk u martuan menjëherë nëse pëlqeheshin dhe përputheshin aq shumë me njëri-tjetrin? Kurrë nuk u tha një përgjigje fikse nga askush, por zërat qarkullonin se ajo nuk ishte shumë elegante, pra nuk dukej mjaftueshëm si një princeshë dhe mbi të gjitha në kohën kur u takua me Charles në vitin 1971, nuk ishte e virgjër.
Camilla u takua me Andrew Parker Bowles në vitin 1966 dhe qëndruan në lidhje për shtatë vjet. Pas shumë debatesh, në vitin 1973 u martuan me një ceremoni tipike katolike, me rreth 800 pjesëmarrës. Të ftuarit mbretërorë të pranishëm ishin vajza e Mbretëreshës Elizabeth II, motra Margaret dhe Nëna Mbretëreshë.
1974-1986: Një martesë e dështuar
Pas martesës së saj, Camilla u transferua në Bolehyde në Wiltshire dhe lindi dy fëmijë, djalin Tom në 1974 dhe vajzën Laura në 1978. Mirëpo në verën e 1979, nisi të aludohej se Charles dhe Camilla, ishin bashkë. Kur Charles zgjodhi Highgrove si rezidencën e tij në 1980 – që ishte shumë pranë shtëpisë së Camilla-s – u kuptua qartë dëshira e tij për të qenë me të.
Charles u martua me Diana Spencer në 1981 dhe këmbënguli në një intervistë në vitin 1994 se asgjë nuk kishte ndodhur mes tij dhe Camilla-s. Por Diana ishte e bindur se ata kishin qenë gjithmonë të dashuruar.
1987-2004: Një figurë e urryer
Në vitin 1993, një revistë australiane transkriptoi një bisedë intime mes Charles dhe Camilla-s që u shpërnda menjëherë nga tabloidet britanike. Biseda kishte ndodhur në fund të viti 1989, në një kohë kur të dy ishin zyrtarisht të martuar me partnerët përkatës. Diana hoqi të gjitha dyshimet rreth kësaj historie, duke u shprehur në një intervistë me Martin Bashir në vitin 1995: “Ishim tre në këtë martesë”. Camilla dhe Parker Bowles u divorcuan menjëherë atë vit, ndërsa Charles dhe Diana vitin tjetër. Pikërisht, në këtë moment, Camilla u shndërrua në një figurë të urryer për britanikët.
Në emër të Diana-s, njerëzit e urrenin Camilla-n dhe e shihnin si një grua të padrejtë që shkatërroi një familje. Nëse do të ishte në dorë të tabloideve dhe opinionit publik, përmes një referendumi, thuhej se do të ishte zgjedhur që Camilla të përfundonte në burg. Me vdekjen e Diana-s, urrejtja vetëm u shtua. Ndërsa kritika më konkrete e thënë ndaj saj është ajo e princit Harry. Këtë vit, ai i tha një intervistuesi amerikan: “Unë shoh dikë që është martuar në këtë institucion dhe ka bërë gjithçka që mundet për të përmirësuar reputacionin dhe imazhin e saj”.
2005-2023: Bashkëshorte dhe mbretëreshë
Më 9 prill 2005, Charles dhe Camilla u martuan në një ceremoni civile në kështjellën Windsor. Harry, në librin e tij “Spare”, zbulon se ai dhe William i ishin lutur Charles të mos martohej me Camilla-n, por kur u bë e qartë se ai do të martohej, i uruan më të mirat. “Ne e kuptuam se ai më në fund do të ishte me gruan që donte, gruan që kishte dashur gjithmonë”, thotë Harry. Pasi u bë dukeshë e Cornwall-it, Camilla fitoi automatikisht gradën si gruaja e dytë më e lartë në renditjen britanike të përparësisë (pas mbretëreshës Elizabeth II). Ndërsa më 8 shtator 2022, pas vdekjes së mbretëreshës Elizabeth, dhe shpalljes së të shoqit si mbret, Camilla u bë bashkëshortja mbretëreshë. Më 6 maj, Camilla pritet të kurorëzohet në krah të mbretit Charles III.