Policia ka vendosur në pranga tre persona të cilat ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar. Ata janë arrestuar në bashkëpunim mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore italiane dhe atyre amerikane.
Të tre personat të dënuar në mungesë me 6, 7 dhe 9 vjet burgim për vepra të ndryshme penale që nisin që nga pastrimi i produkteve kriminale deri te mashtrimi kompjuterik.
“Në bazë të informacioneve të dërguara nga Seksioni i Kërkimit i DVP Tiranë, në bashkëpunim me Interpol Tirana, janë lokalizuar:
Në Itali, shtetasi Alesandro Locateli, dhe shtetasi Stefano Bottura; në USA, shtetasi Elton Daka”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas policisë, italiani Alesandro Locateli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi “Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 7 vjet burgim, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim”.
“Në vitin 2010, ky shtetas ka kryer dy transferta nga Sllovenia në Shqipëri, në shumën 500 000 euro, të cilat e kanë burimin nga veprimtaria kriminale e këtij shtetasi, në shtetin italian”, bën të ditur policia.
Ndërkaq italiani Stefano Bottura ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 9 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
“Ky shtetas me anë të një skeme mashtrimi, ka krijuar në Shqipëri një kompani në të cilën ka kryer disa transanksione, ku shuma e parave të hedhura në karta, ka qenë më e madhe se shuma e blerjeve të kryera”, thekson policia.
Sa i përket shqiptarit Elton Daka ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi kërkohej nga gjykata e Fierit e ka dënuar me 6 vjet burgim, për veprën penale “Mashtrimi”.
“Ky shtetas, duke ushtruar profesionin e tij si avokat, në vitin 2013, ka mashtruar dy shtetas të përfshirë në një aksident, të cilëve iu ka marrë vlera të konsiderueshme parash dhe nuk ua ka zgjidhur çështjen.
Vijojnë procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve drejt vendit tonë”, përfundon njoftimi i policisë.