Nga Robert Goro
Në 1997, Shqipëria u ndodh në buzë të greminës, nga trazirat më të rënda pas Luftës së Dytë Botërore. Falimentimi i skemave piramidale, ku më shumë se një milion shqiptarë kishin investuar jo thjesht kursimet, por edhe pasurinë e tyre të pakët, u shoqërua nga një valë protestash masive që u ashpërsuan sidomos në pjesën jugore të vendit.
Në mjaft zona të Shqipërisë u sulmuan repartet ushtarake, bazat detare dhe ajrore, nga u muar prej popullsisë civile i gjithë armatimi dhe municionet; në zonat që kishte ende nën kontroll partia demokratike në pushtet iu shpërndanë armë militantëve që t’i përdornin ndaj kundërshtarëve.
U shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe autoritetet përgatitën plane operative për të bombarduar, madje dhe me lëndë helmuese luftarake, rajonet që dominoheshin nga kryengritësit.
Vlora ishte qendra e këtyre protestave që u përshkallëzuan në konflikt të armatosur, me shenja të një lufte të mundshme civile, pas vrasjes së qytetarit vlonjat, Artur Rustemit.
Të raportosh me kokën në torbë
Ato ditë të zjarrta ndodhej në Vlorë dhe raportonte drejtpërdrejtë nga sheshi i protestave të përditshme, korrespondenti i BBC Aleksandër Furxhi. Një tjetër Aleksandër – Çipa -, raportonte nga Gjirokastra, gjithashtu zonë trazirash intensive.
Në krahun tjetër, radiotelevizioni shtetëror që kontrollohej totalisht nga qeveria, transmetonte vetëm njoftimet zyrtare të ministrisë së rendit, sipas të cilës situata vazhdonte të ishte nën kontrollin e autoriteteve.
Aleksandër Furxhi është vetë nga Vlora dhe fakti se ndodhej mes njerëzish që me shumë prej të cilëve njiheshin prej vitesh, e rëndonte edhe më shumë ngarkesën emocionale. “Megjithatë, përpiqesha të isha i ftohtë në raportime; të bëja gazetari a la BBC”, kujton pas njëzetë vjetësh.
Ndërkaq, përmbajtja e vetvetes ishte një punë mjaft e vështirë…
“Nuk më harrohet mësuesi im i letërsisë i gjimnazit. Ai kishte shitur shtëpinë dhe paratë i kishte vendosur te firmat piramidale. Mësuesi është gjithmonë një figurë e respektuar, e nderuar. E shihja tani si bërtiste “Duam paratë tona!”. Ishte shokuese. Ishte i shpërfytyruar dhe më ngjante si një bandit”.
Ato qenë ditë kur jeta e njeriut qëndronte me plot kuptimin e fjalës e varur në fije të perit. Por Aleksandri më thotë se nuk ndihej i kërcënuar, pse ndodhej në qytetin e vet. Megjithatë, në një moment, shpëtoi për qime, si i thonë fjalës. Gjatë protestës së radhës ishte në trotuar, me mikrofonin të ndehur përpara, “për të marrë atmosferë”, siç thuhet në gjuhën e profesionit. “Në drejtimin tim erdhi një gur i tmerrshëm, që u përplas diku. Nuk më zuri, po ishte një derr guri, që mund të më kishte lënë në vend… Nuk di kush e hodhi, ashtu siç nuk e di në ishte për mua apo për dikë tjetër. Por nja dy çuna që ishin me mua më thanë: Për ty ishte…”.
Nga një gur desh e pësoi edhe Ilir Kadia. Por ai në një farë mënyre “e kërkoi vetë belanë”. Kishte shkuar në Lushnje, një tjetër qendër e protestave të fuqishme dhe të dhunshme, për të mbuluar reagimet pas daljes në televizion të njerit prej bosave të fondacionit Xhaferri.
“Ishim disa gazetarë, edhe nga AFP e Reuters, por të gjithëve na konsideronin si BBC… Një moment, te vendi i quajtur “Shinat” në hyrje të qytetit, lindi një përplasje e egër. Një djalë i ri që deshi të ndihmonte një shofer taksie, u sulmua nga turma që ndodhej tek tarracat e Varrezave të Dëshmorëve. Pashë se si, në çast, djaloshi fatkeq, i linçuar nga turma, u shëndërrua në një pirg me gurë.
Më doli nga shpirti thirrja që nëse kishte ndonjë lushnjar me besë, ta ndalte tmerrin. Dikush më futi krahun dhe më tërhoqi mënjanë, duke më kërkuar të iknim sa më shpejt. Më pas, shoqëruesi im –kushëri i një koleges tonë në BBC-, më tha që, pasi kisha bërë thirrjen për besën e lushnjarëve, dikush prej turmës më ishte afruar me një gur në dorë për të më hapur kokën. Por shoqëruesi i kishte thënë se më kishte në besë dhe se isha gazetar i BBC-së”.
Por Kadia do ta ndiente veten edhe më pisk, pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme. “Mbrëmjen e asaj dite, në murin e shtëpisë sime, por edhe te pallati ngijtur me rrugën ku zbrisja nga autobusi, ishte shkruajtur me gemra të mëdha “SEPOLTURA”. Nuk e dija kuptimin e asaj fjale, prandaj hapa fjalorin: “Varrosje për së gjalli!”… U tremba. I telefonova Sansarola-s; (Ian Sansarola ishte një oficer britanik i specializuar për sigurinë, të cilin BBC e kishte dërguar urgjentisht në Tiranë, që të kujdesej për korrespondentët. Të nesërmen në mëngjes ‘Sepoltura’ ishte fshirë”.
Në fakt, BBC në përgjithësi, dhe Furxhi e Aleksandër Çipa në veçanti, po anatemoheshin ato ditë e për shumë kohë më vonë, nga mbështetësit e qeverisë si “pjesëmarrës aktivë të komplotit”.
“SHIK-u (Shërbimi Informativ Kombëtar) kishte një fiksim, që BBC merrte udhëzime nga drejtuesit e revoltës dhe çfarë transmetonte BBC në mbrëmje, ndodhte të nesërmen”, shpjegon Aleksandër Furxhi.
Shefi i atëhershëm i SHIK-ut, Bashkim Gazidede, e ka shprehur në mënyrën më zyrtare këtë “fiksim”, duke raportuar në parlament në ditët e para të marsit 1997, ndërsa situata në vend vazhdonte të ishte tejet e tensionuar. “Të ndihmuar edhe nga propaganda e disa stacioneve të medias elektronike apo edhe te shtypit, në Vlorë u dhunua dega e SHIK-ut të këtij rrethi, e paralajmëruar një ditë më parë nga radio “BBC”…” .
Në fakt, mëria e pushtetarëve të atëhershëm përfshinte – me përjashtim gjithsesi të vetvetes!-, gjithkënd, brenda dhe jashtë vendit; madje edhe Shtetet e Bashkuara.
“Ambasadorja e SHBA-ve, zonja Mariza Lino, bëri një deklaratë në “Zërin e Amerikës” se nuk ka ndërhyrje të shërbimit të fshehtë të Amerikës në Shqipëri. Ne politikanët po bëjmë sikur e besojme. Por a e beson populli shqiptar këtë deklaratë? Edhe fëmija i djepit e di tashmë se këtë katrahurë e kurdisi Amerika dhe nuk është zor i madh të disekuilibrosh Shqipërinë e varfër, ku njerëzit pa karakter blihen për njëqind dollarë”, deklaroi në të njëjtën seancë parlamentare Blerim Çela, një nga figurat kryesore të PD-së në pushtet, i duartrokitur nga deputetët e partisë së tij…
Duhet thënë që, ende pa nisur kriza, por edhe më pas, sidomos shtypi britanik kishte qenë shumë aktiv me publikime që rrekeshin të vërtetonin korrupsionin në rangjet e larta të shtetit shqiptar. Ndërsa në shkurt-mars 1997, qeveria shqiptare sulmoi me deklarata zyrtare, disa herë, veçanërisht agjencinë Reuters dhe BBC-në, duke i akuzuar se “me raportet që ishin komplet shpifje, kanë shkaktuar radikalizimin e situatës në qytetin e Vlorës” .
Në një ngjarje që mbeti e pazbardhur, korrespondenti i BBC në Gjirokastrës, Aleksandër Çipa, u kap nga persona të panjohur, të cilët e rrahën keqas dhe madje e shpuan me bajonetë.
Pasditen e 2 marsit 1997, parlamenti votoi ligjin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme. Në nenin 1 përcaktohej që “rebelët e armatosur të dorëzojnë armët brenda orës 12,00 të datës 3 mars 1997. Pas kësaj ore rebelët e armatosur do të qëllohen pa paralajmërim”. Veçanërisht gjatë u debatua për nenin 4, që vendoste “kufizime për ushtrimin e lirisë së shtypit e të informacionit”. Në zbatim të këtij ligji, radiostacioneve të huaja iu bllokuan antenat e ritransmetimit në FM, që ndodheshin brenda territorit shqiptar.
“Kaluam menjëherë në transmetimin në valë të shkurtra”, kujton Tim Cooke, shef i shërbimit shqip në atë periudhë. Kur më herët e kisha pyetur Timin se cila ka qenë situata më e vështirë që i është dashur të menaxhonte, ai u përgjigj në moment: “Sigurisht, 1997-a!”.
Ndërsa Julia Goga-Cooke, më thotë se prej asaj kohe i ka mbetur në mendje imazhi i njerëzve në Shqipëri, të mbledhur grup rreth një radioje me valë të shkurtra, duke dëgjuar emisionin e BBC-së…
Ngjarjet e 1997-s ishin vërtetë një sfidë për shërbimin shqip të BBC. Një sfidë që jo thjesht u përballua me sukses, por e “shpërbleu” BBC në Shqip me një rekord që bëri bujë në gjithë redaksitë e Bush House-it: Dëgjueshmëria e testuar në Shqipëri arriti në 52%. “Vetëm në Kosovë, gjatë luftës, është thyer ky rekord, me 80%”, kujton Juli.
Kujdesi për korrespondentët
Në fakt, ende pa ardhur viti 1997, BBC kishte shqyrtuar mundësinë e një situate të jashtëzakonshme –jo gjendje emergjence, sigurisht!-, me shkak firmat rentiere piramidale. Në një trajnim me korrespondentët e rajonit, në Ulqin, në ditët e para të nëntorit 1996, kjo kishte qenë një nga temat kryesore që na kishin shtjelluar Timi dhe Juli, të ardhur nga Londra. Ne ndoshta nuk e kishim fort të qartë se çfarë do të mund të ndodhte, edhe pse vetëm pak ditë më përpara FMN kishte bërë paralajmërime serioze që ndërkaq, shumica prej nesh thuajse nuk e kishte vlerësuar.
Gjithsesi, zhvillimet e ardhshme me piramidat ishin më së shumti punë e kontabilistëve dhe politikanëve. Detyra jonë, kryesisht e korrespondentëve në Shqipëri dhe e redaksisë në Londër, ishte që ato zhvillime të na gjenin të parapërgatitur. Çdo ngjarje duhej mbuluar –ashtu si deri atëherë-, me profesionalizëm, me objektivitet dhe paanshmëri. Plus që skenarët e mundshëm të cilët shkonin deri te trazirat –por gjithsesi jo si ato që ndodhën realisht-, kërkonin edhe platforma operative për t’u përballuar.
Përndryshe, parapërgatitja është një nga tiparet kyçe dhe karakteristike të BBC-së. Në vitin 2000, pas përfundimit të luftës në Kosovë, korrespondentët e BBC dhe gazetarë të tjerë nga rajoni, u mblodhën në Ohër, në një trajnim të organizuar nga Bush House. Tema e trajnimit ishte “gazetari në kushtet e luftës dhe të situatave kërcënuese për jetën dhe sigurinë e tij”. Aty na mësuan (më saktë na shpjeguan!) praktikisht, madje edhe si të luftojmë trup me trup për të t’iu shpëtuar rrëmbimeve, nuk po ngelem tek situata luftarake që na ngjante vetja si protagonist filmash aksion…
Vetëm pak muaj më pas, shpërtheu konflikti në Maqedoni dhe për mua, që u ndodha në Tetovë më 25 mars 2001, ditën e ofensivës së forcave qeveritare kundër UÇK-së, ai trajnim i Ohrit më vlejti shumë. Jo pse m’u desh të vija në jetë mësimet që na kishte dhënë një ushtarak britanik, simpatik e me mustaqet dy pëllëmbë. Por më vlejti sepse, po të mos kisha çertifikatën e pjesëmarrjes, BBC nuk do të më lejonte të shkoja në një zonë ku luftohej.
Sepse kujdesi për korrespondentët, sidomos për ata që ndodhen “përtej detit” – pra jashtë ishullit të Britanisë- është (ose ishte, pse unë flas për 18 vitet që punova aty), një tjetër vlerë e shenjtë për BBC-në.
Siç e pamë më sipër, në “vitin e mbrapshtë” 1997, BBC dhe veçanërisht korrespondentët e saj u gjendën në shënjestrën e pushtetarëve të atëhershëm.
Përballë rreziqeve në rritje, BBC vendosi të tërhiqte nga Shqipëria gazetarët e vet, që me të drejtë konsiderohej se ishin më të kërcënuar. Për këtë –në marrëveshje me qeverinë britanike- u dërgua në Tiranë edhe një oficer i shërbimeve inteligjente: “Ian Sansarola, që dinte edhe gjuhën e gjarpërit”, kujton Ilir Kadia.
Ndërsa pritej shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, Sansarola u takua me Kadinë dhe Furxhiun në terracën e hotel Tiranës. Aty, me një telefon satelitor –“flisni; tani askush nuk mund t’ju përgjojë”-, u lidhën direkt me Tim Cooke-un në Bush House, që do t’iu shpjegonte operacionin e largimit nga Shqipëria.
Më herët, pasi ishte kthyer nga Vlora, Furxhi kishte patur disa “vizita” në shtëpi nga agjentë të policisë dhe të SHIK-ut, që thjesht e kishin kërcënuar, ndërsa gjithë kohës ata qëndronin në sheshin mbrapa pallatit të tij te “Shallvaret”.
Pas bisedës nga terraca e Pesëmbëdhjetëkatëshit, Furxhi u nis menjëherë bashkë me të shoqen e dy fëmijtë, vajzë e djalë. Arritën pa problem në aeroport; përndryshe kishin udhëtuar me një makinë të ambasadës franceze, ndërsa shoqëroheshin nga numri dy i kësaj ambasade, si dhe nga oficeri britanik.
Mbërritja në aeroport ishte vetëm gjysma e punës; tani mbetej më e vështira, kalimi nga kontrolli i pasaportave. Tregon Aleksandri:
“Morëm bording pass-et dhe ecëm në drejtim të daljes për në pistë. Sa panë pasaportat tona, dy civilë më thanë “prisni pak” dhe u futën në një dhomë. Dolën pastaj që andej e më thanë “hajde pak me ne”. U futën në një si kthinë e më pyetën “çfarë ke në çantë?”.
Ishte hapur fjala se po iknin gazetarët dhe po merrnin me vete kaseta me filmime për të diskredituar Berishën. Gjithë SHIK-u kishte këtë panik; kërkonin për këto kaseta. Unë kisha me vete vetëm magnetofonin profesional SONY dhe mikrofonin.
Gjithë kohës po më torturonte shqetësimi për Mirelën (bashkëshorten) dhe fëmijtë, që kishin mbetur në krahun tjetër. Dëgjoja avionin që kishte ndezur motorrat dhe më zuri frika se mos ikte pa na marrë. Gjithë kjo zgjati rreth 45 minuta. Nuk me prekën – ishte thjesht presion psikologjik”…
Aleksandër Furxhi u kthye pas disa muajsh, kur gjërat kishin nisur të qetësoheshin në Shqipëri dhe vazhdoi të punonte për BBC nga Tirana, deri në 2011, kur shërbimi shqip u mbyll. Pas kësaj, karriera e tij vazhdoi si moderator emisionesh politike “me aromë BBC-je”në televizion.
Në fushën e vet konsiderohet nga të paktët profesionistë me integritet, mirëpo “damka” e 1997-s nuk është zhbërë krejtësisht. Ia vënë në dukje sa herë u jepet rasti, militantët fanatikë të pushtetit të atëhershëm, të cilët, natyrisht, kanë një perceptim të tyrin mbi informimin e pavarur dhe objektiv; kanë një perceptim të tyrin mbi gjithçka…
BBC që zhgënjen qeveritë
Akuzat e “demokratikasve” për implikim komplotist të BBC-së në ngjarjet e 1997-s, ishin thjesht qershia mbi tortë. Mëria ndaj shërbimit shqip, e ka zanafillën shumë më herët: vetëm disa muaj pas rifillimit të transmetimeve, më 1993. Në korrik të atij viti, kryetari i partisë socialiste të opozitës, Fatos Nano, u arrestua dhe më pas u shpall fajtor për akuzat e korrupsionit dhe të abuzimit me ndihmat humanitare që i ishin dhënë Shqipërisë në 1991, kur Nano ishte për disa muaj kryeministër.
Menjëherë pas arrestimit të Fatos Nanos, BBC në shqip transmetoi një analizë të Gabriel Partoshit, ekspertit të njohur të BBC për çështjet e Europës Lindore. Sipas Partoshit, arrestimi i Nanos tregonte se qeveria shqiptare kishte filluar “një gjueti shtrigash”. Reagimi i Tiranës zyrtare ishte i rrufeshëm dhe zhurmëmadh, gjithashtu. Agjencia Telegrafike Shqiptare (ATSH), publikoi një letër të hapur në modelin e letrave të ngjashme që iniconte me shumë zell udhëheqja partiake në kohën e komunizmit. Me përmbajtje denigruese për vetë Partoshin dhe pjesëtarët e stafit të BBC në Shqip, që i akuzonte si pinjollë të drejtpërdrejtë të nomenklaturës së lartë të regjimit komunist.
Pasi i jepte mësime profesionalizmi (sic!) BBC-së, ATSH-ja kërkonte në mënyrë ultimative nga Londra zëvendësimin e menjëhershëm të stafit të seksionit shqip!
Thuhet se të njëjtën kërkesë ia bëri disa muaj më vonë kryeministrit britanik John Major, edhe presidenti Sali Berisha, gjatë një vizite zyrtare në Londër.
Vetëm pak muaj më parë, Berisha kishte përshëndetur si një “ngjarje të rëndësishme rifillimin e transmetimeve të BBC në shqip. “Transmetimet nga Londra ishin një thirrje për liri për shqiptarët, në vitet e tyre më të vështira. Këto programe do të japin padyshim një kontribut të veçantë në promovimin e shoqërisë demokratike dhe të informacionit të pastër, informacion që do të ndihmojë zhvillimin e demokracisë në Shqipëri”, kishte deklaruar atëherë Berisha.
Në fillim të 1994-s radiotelevizioni shqiptar nuk i rinovoi BBC-së kontratën për përdorimin e ritransmetuesve të valëve të mesme në Shqipëri. “Problemi me ritransmetuesit nuk ishte vetëm në Shqipëri”, vëren Tim Cooke.
Gjatë përgatitjeve për rifillimin e transmetimeve në gjuhën shqipe, Cooke ishte takuar në dhjetor 1992 në Tiranë, me presidentin Berisha. Jo vetëm në atë takim, por edhe në biseda të tjera kishte kuptuar se bashkëbiseduesit e tij shqiptarë “prisnin që BBC të ishte si Zëri i Amerikës”, me gjithçka që nënkuptonte kjo. Mirëpo, siç thuhet edhe në prezantimin zyrtar, Zëri i Amerikës, “promovon objektivat e politikës së jashtme të SHBA-ve, në një rajon që është i ndjeshëm ndaj forcave destabilizuese të brendshme dhe të jashtme”.
Në të kundërt, BBC ka pavarësi të plotë nga qeveria, dhe nuk kanë munguar edhe rastet e përplasjeve për të ruajtur këtë pavarësi. Në “Biblën e Bardhë” të Shërbimit Botëror të BBC-së, hartuar në vitin 1946 nga qeveria laburiste e kryeministrit Clement Attle, përcaktohej: “Qeveria thekson se Korporata duhet të mbetet e pavarur në përgatitjen e programeve për audiencat e jashtme; edhe pse duhet të marrë nga departamentet përkatëse të qeverisë informacion lidhur me situatën në ato vende dhe politikën e qeverisë së Madhërisë së Tij ndaj tyre, që do t’i lejojnë (BBC-së) të planizojë programe sipas interesit kombëtar”.
(Edhe më herët, gjatë Luftës së Dytë Botërore, BBC nuk transmetonte në Bashkimin Sovjetik, që mos të acaroheshin marrëdhëniet me Stalinin, i cili ishte aleat i Perëndimit në luftën kundër boshtit nazi-fashist. Transmetimet filluan në mars 1946, kur marrëdhëniet me Moskën kishin nisur të ftoheshin, për t’u pasuar nga konfrontimi me Luftën e Ftohtë).
Në 1959, shefi i shërbimit botëror dhe më vonë drejtor i përgjithshëm i BBC-s, Sir Ian Jacob, e paralajmëronte qeverinë: “Transmetimet nuk janë diçka që mund të hapen e të mbyllen si një çezmë. Audienca dhe reputacioni për shkak të së vërtetës dhe cilësisë ndërtohen ngadalë dhe me mundim. Por nëse sakrifikohen, është shumë e vështirë që të rindërtohen”.
Sipas historianit Alban Webb, interesimi i qeverive britanike ndaj Shërbimit Botëror të BBC-së ishte shumë i madh, “jo vetëm pse Foreign Office-i e financonte, por sepse e konsideronte një mjet shumë të rëndësishëm për t’u dëgjuar në të gjithë botën pikëpamjet e Britanisë”.
Në librin e tij “Ju flet Londra: Britania, Shërbimi Botëror i BBC-së dhe Lufta e Ftohtë”, Webb sjell një ngjarje që, siç konkludon, ishte përplasja më e madhe në të gjitha kohërat, midis BBC dhe qeverisë.
Ishte kaq e madhe vlera strategjike e BBC World Service, shkruan Webb, saqë kryeministri Anthony Eden, gjatë krizës së kanalit të Suezit në 1956, u përpoq ta vendoste nën kontroll Shërbimin Botëror. “Eden pretendoi se BBC duhet të transmetojë në mbështetje të përpjekjeve të Mbretërisë së Bashkuar për të rimarrë kanalin e Suezit në Egjipt që kishte rëndësi strategjike. BBC, në reflektim të ndarjes së thellë të opinionit publik në Britani, nuk pranoi. Atëherë kryeministri udhëzoi ministrat dhe zyrtarët që të marrin kontrollin e BBC. Ndërkaq, deri në momentin që kjo do të mund të miratohej, kriza e Suezit kishte rezultuar një dështim katastrofik për qeverinë britanike dhe brenda dy muajsh, Eden kishte dhënë dorëheqjen. Kërcënimi për Shërbimin Botëror ishte shmangur”…
Pas “pezmatimit” të qeverisë shqiptare me BBC-në, u tha sikur Sali Berisha në një takim me kryeministrin britanik Jon Major, kishte kërkuar zëvendësimin e gjithë stafit të Londrës me persona të tjerë, të preferuar nga Tirana. Tim Cooke më thotë se ai nuk ka dijeni për këtë –përndryshe, është nga gjërat që nuk harrohen lehtë. Mirëpo, shton me vendosmëri, “Askush, as në BBC, as nga Foreign Office, as nga qeveria shqiptare nuk na ka ndërhyrë në përmbajtjen e transmetimeve tona. As na është bërë zyrtarisht ndonjë ankesë”.
Por Tim ndoshta e thotë këtë pse nuk mund të mbajë mend gjithçka, ose për shkak të xhentilesës së njohur britanike. Sepse Aleksandër Furxhi tregon një rast, kur ishte bashkë me Timin në një takim me kryetarin e komisionit parlamentar të medias (deputet i partisë Demokratike), dhe ky i fundit pjesën më të madhe të kohës e shpenzoi me ankesa për kronikat që transmetonte BBC dhe që sipas tij, “atakonin qeverinë”…
Në fakt, ka patur edhe një ndërhyrje të Sali Berishës, jo për të zëvendësuar stafin e BBC në shqip, por vetëm për të hequr një person. Objekti i kësaj kërkese ishte Arben Manaj –babai i të cilit kishte shërbyer si kryetar i Kuvendit Popullor (që teorikisht përcaktohej si “organi më i lartë i pushtetit shtetëtor”) në periudhën e komunizmit.
“Në 1994-n, ish presidenti Berisha bashkë me zëvendëskryeministrin e tij Bashkim Kopliku, kanë kërkuar zyrtarisht nga guvernatorët e BBC në takimin e drejtpërdrejtë me kryeministrin e atëhershëm të Britanisë, John Major, largimin tim nga BBC, ‘për pikëpamje antieuropiane’, siç i tha Berisha kryeministrit Major në takimin në Downig Street… Mirëpo BBC nuk lejoi që Berisha të më shndërronte në ‘dele të zezë’ dhe qëndrimi zyrtar ishte që, ‘se kë punëson BBC është atribut, e drejtë dhe përgjegjësi e këtij institucioni mediatik dhe e askujt tjetër’.
Për këtë fakt i jam mirënjohës përjetësisht BBC-së”, kujton Manaj. “Nuk e vija në dyshim integritetin e këtij gjigandi mediatik, siç –nga ana tjetër- ndihesha në siklet dhe i turpëruar nga sjellja parademokratike dhe a la komuniste e presidentit të vendit tim, i cili vinte deri në Londër, takonte kryeministrin britanik dhe kërkonte largimin nga puna të një gazetari. Për ironi të fatit, kjo më bënte nder në sytë e institucionit ku unë punoja”.
Ndërkaq, problemet e Ben Manajt nuk mbaruan në 1994. Tre vjet më vonë, në ngjarjet e 1997-s, “unë personalisht dhe familja ime në Tiranë dhe në Londër kanë marrë kërcënime të drejtpërdrejta me vdekje. Madje, kjo u publikua edhe në median britanike, në gazetat më të mëdha në vend si The Times, The Guardian, The Independent, shoqëruar me fotografinë time në studio”, tregon Beni, që sot punon si korrespondent i televizionit Top Channel në Londër.
Në shkurt 1994, në Athinë erdhi ministri i jashtëm shqiptar, Alfred Serreqi, i cili, pjesën më të madhe të vizitës së vet e konsumoi me homologun grek, Karolos Papulias. Ka qenë një bisedë tepër interesante, pasi përveç faktit që ndanë të njëjtat mendime dhe aspirata për bashkëpunimin në realizimin e disa projekteve në kuadër të programeve të ndryshme komunitare, Tirana dhe Athina kishin pikëpamje diametralisht të kundërta lidhur me zhvillime të fuqishme të asaj kohe në Ballkan, si lufta e Bosnje dhe situata në Kosovë e Maqedoni.
Unë intervistova ministrin e jashtëm grek, por çuditërisht Serreqi nuk pranoi të intervistohej. “Nuk jap intervistë për një radio komuniste!”, me tha me një brutalitet që stononte me imazhin që unë kisha krijuar për të. Konsiderata ime pozitive ishte mbështetur vetëm mbi faktin se ai ishte koleg (mjek) dhe mik i vjetër me tim atë. Për një çast mendova se ministri po bënte shaka, prandaj ia ktheva seriozisht se publiku ishte i interesuar të mësonte se çfarë kishin biseduar në një takim që konsiderohej shumë i rëndësishëm, me ndikim jo vetëm në marrëdhëniet dypalëshe – emigrantët shqiptarë në Greqi, por edhe me zhvillimet më gjerë në rajon. “Të thashë, ju jeni radio komuniste!”.
Për mua, që isha disi i mënjanuar në Athinë, qëndrimi i ministrit të jashtëm ishte i pashpjegueshëm. Po për kolegët e mi në Tiranë dhe në Londër, refuzimi i tij, lidhej me një porosi të pashkruar e ndoshta dhe të pashqiptuar nga maja e piramidës së shtetit se zyrtarët e lartë duhej ta bojkotonin BBC-në. Përndryshe, një njeri që ishte shumë pranë presidentit Berisha në atë kohë, më ka thënë se gjatë periudhës së “armiqësisë” të Tiranës zyrtare me BBC, ai kishte blerë kufje që të dëgjonte “si klandestin” emisionet tona…
“Viktimë” e kësaj armiqësie kisha rënë edhe unë vetë. Në një nga shkrimet e shumta kundër BBC-së, një nga gazetat e partisë Demokratike (jo “RD”), kishte përdorur faktin se unë bashkëpunoja edhe me të përditshmen Koha Jonë (e cila gjithashtu ishte në shënjestër të pushtetit), për të ilustruar “verdiktin” se gazetarët e BBC janë pjesë e një komploti kundër qeverisë.
Por në verën e 1994-s ndodhi diçka e pazakontë, të paktën për stafin e vogël të zyrës së BBC në Tiranë, siç kujton Furxhi.
Sekretari britanik i shtetit për çështjet europiane, David Davis, mbërriti për vizitë në kryeqytetin shqiptar. Mirëpo, nga aeroporti i Rinasit, ai nuk shkoi direkt në selinë e ministrisë së jashtme, siç e kërkonte programi i vizitës. Makina e tij dhe e gjithë eskorta, ndaluan para shtëpisë private në rrugën “Myslym Shyri”, ku ndodhej zyra e BBC-së. Zyrtari i lartë britanik u ngjit lart e qëndroi për njëzetë minuta me gazetarët. “Ishte një akt simbolik, për t’i dhënë një mesazh të qartë Tiranës. Por neve na u duk një gjë e jashtëzakonshme”, kujton Furxhiu.
“Kur nuk e kupton BBC-në, e pëson…”
Shqiptarët e paduruar ishin zhgënjyer shumë shpejt nga udhëheqja e re e vendit. Vetëm tre muaj pasi kishte ardhur në pushtet me një votë gati plebishitare, Partia Demokratike në thelb i kishte humbur zgjedhjet lokale të korrikut 1992, duke marrë vetëm 25 mijë vota më shumë nga Partia Socialiste. Demokratët kishin fituar 18 bashki kundrejt 23 që kishin fituar socialistët.
Opozita, e cila brenda një nate (qershor 1991) e kishte flakur –të paktën në aparencë- trashëgiminë e saj komuniste, duke ndërruar emrin nga partia e Punës në Partia Socialiste, po fitonte shumë shpejt terren. Këtij zhvillimi i shërbeu edhe burgosja e Fatos Nanos në verën e 1993-shit. Pavarësisht se ai akuzohej për abuzime me vlerë 9 milionë dollarë gjatë periudhës që kishte qenë kryeministër, vetë partia Socialiste, por edhe organizata ndërkombëtare e cilësonin arrestimin e tij si një akt të mirëfilltë hakmarrjeje politike.
Dy ishin radiot e huaja që dëgjoheshin më shumë në Shqipëri asaj kohe: BBC dhe Zëri i Amerikës. Kjo e fundit kishte nisur të konsiderohej si një radio proqeveritare, për shkak të qëndrimit të natyrshëm të Uashingtonit (që më pas ndryshoi jashtëzakonisht), për të mbështetur dhe inkurajuar qeverinë me synimin që ajo të realizonte reformat aq të domosdoshme demokratike. Por sidomos për të kontrolluar ndikimin e Tiranës në zhvillimet e mundshme dramatike me shqiptarët në rajon.
BBC, përkundrazi, i jepte më shumë hapësirë opozitës; jo pse Londra kishte qëllime specifike në Shqipëri. Por sepse, një nga parimet bazë të Shërbimit Botëror të BBC-së është që, në vendet ku nuk ka pluralizëm të zhvilluar politik, apo aty ku mjetet e informimit kontrollohen nga shteti, t’i japë më shumë hapësirë mendimit opozitar.
Përndryshe, vetë Partia Demokratike e vërtetoi këtë gjatë qëndrimit tetëvjeçar në opozitë (1997-2005), kur figurat e saj qendrore ishin gati çdo ditë të ftuar në studion e BBC në Tiranë, për të shprehur mendimin e tyre.
Ilir Kadia, si korrespondent i BBC-së në Tiranë mbuloi për shumë vite aktivitetin e Partisë Demokratike dhe pas mbylljes së shërbimit shqip, punoi si këshilltar për mediat i kryeministrit Sali Berisha, deri në shtator 2013, kur ky i fundit ia dorëzoi “çelësat” pasaardhësit të tij socialist, Edi Rama.
Tregon Kadia për kohën që PD ndodhej në opozitë:
“Protestat pas vrasjes së Azem Hajdarit (shtator 1998), PD i niste gjithmonë në orën 18,00 kur fillonte programi i Zërit të Amerikës dhe i mbaronte pak para orës 19,00, kur fillonte BBC. Berisha vraponte me të tjerë në zyrë, për të dëgjuar programin tonë. Një herë, Genc Pollo, që kishte filluar ndërkaq t’i dilte kundër, më tregoi se si Berisha kishte kërkuar nga të gjithë qetësi dhe ishte kthyer nga radioja për të dëgjuar raportimin e BBC për protestën që sapo kishte mbaruar. Në fund, gjithnjë me sytë të fiksuara në aparatin e radios, ishte shprehur: “Thank you, Ilir!”. Sali Berisha, kur ishte president na hoqi valën. Tani mbyllej në zyrë, për t’u kyçur në valën tonë”.
Duke iu rikthyer përplasjes së 1993-shit shkaktuar nga konstatimi i Gabriel Partoshit për “gjuetinë e shtrigave”, Kadia, me elokuencën e tij natyrale, më thotë: “Partosh nuk ndryshoi nga standardet e BBC! Qeveria shqiptare, kur nuk kuptoi, e pësoi! Kur e kuptoi, erdhi në pushtet!… Edhe në raportimet tona pati herë – herë tepërime, por përgjithësisht ishim dashamirës dhe korrektë”.