Shtetasit europianë që udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar pa viza, shumë shpejt do të detyrohen të paguajnë një tarifë prej 10 paundesh për t’u futur në ishull, raporton CNN.
Rregulli i ri hyn në fuqi vitin e ardhshëm. Fillimisht autorizimi elektronik për udhëtim ishte i zbatueshëm vetëm për shtetasit e Katarit, Bahreinit, Omanit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, por nga pranvera 2025 zgjerohet për një sërë shtetesh të tjerë, përfshirë ata të Bashkimit Europian. Në nëntor, pagesa e tarifës hyn në fuqi edhe për udhëtarët nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Tarifa duhet të paguhen nga çdo person që do të futet në Britaninë e Madhe pa vizë, pa përjashtuar foshnjat dhe fëmijët. Gjithashtu tarifa duhet paguar edhe nga ata që futën në vend me vizë pune apo studimi.
Të përjashtuar nga pagesa e tarifës janë vetëm shtetasit e Republikës së Irlandës.
Një tarifë të ngjashme, për udhëtarët pa viza, do të aplikojë edhe Bashkimi Europian nga viti i ardhshëm, që do të kushtojë 7 euro.
Ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë nisur që prej vitit 2009 zbatimin e këtij sistemi, ku udhëtarët pa viza paguajnë një tarifë prej 21 dollarësh, që vlen për 2 vite.