Zv.ministri i Brendshëm, Julian Hodaj firmosi sot me homologun grek Eleftherios Oikonomou marrëveshjen për ngritjen dhe funksionimin e Qendrës së përbashkët shqiptaro-greke për bashkëpunimin policor e doganor.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për Qendrën u zhvillua në Kakavijë, në pjesën greke, ku do të ngrihet Qendra. Në ceremoni ishin të pranishëm autoritete të kufirit të të dy vendeve, si dhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë.
Në fjalën e rastit, ndër të tjera Hodaj u shpreh se kjo Qendër do të krijojë kushtet për të parë dhe ndjekur nga afër situatën në kufirin greko-shqiptar si dhe për t’u informuar në lidhje me problemet që lidhen me pandeminë në situatën aktuale.
Në marrëveshjen për ngritjen e qendrës është parashikuar të shkëmbehen informacione që kapin një spektër të gjerë, që nga migracioni i paligjshëm, trafikimi i qenieve njerëzore etj. deri te trafiku i drogës, armëve, falsifikimi i dokumenteve të udhëtimit, kartave të identitetit, si dhe rekrutimit të luftëtarëve të huaj.
Zv.ministri grek i Mbrojtjes së Qytetarit, Oikonomou ndër të tjera nënvizoi se ky është një zhvillim i rëndësishëm, pasi ka të bëjë me një strukturë të përhershme që operon në kufi dhe kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në bashkëpunimin mes dy vendeve si në shkëmbimin e informacionit ashtu edhe në nivelin operacional.
Bashkëpunimi dypalësh përmes Qendrës do të jetë në përputhje me legjislacionin kombëtar të të dy vendeve dhe do të fokusohet kryesisht në vlerësim dhe analizë të përbashkët, me qëllim kryerjen e analizës së riskut si dhe në asistencë dhe koordinim të veprimtarive.
Ngritja e kësaj qendra i jep një hop cilësor bashkëpunimit policor dhe kufitar mes dy vendeve, duke krijuar kështu një lehtësi të jashtëzakonshme në kanalet e komunikimit të fushës./ATSH/