Një ditë pas ngrirjes së planeve për mbajtjen e një samiti të ardhshëm mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, kryeministri hungarez Viktor Orban ka dhënë një deklaratë ku bëri me dije se po vijojnë përgatitjet për një takim në Budapest mes dy udhëheqësve.
Planifikimi i takimit ngeci, pasi refuzimi i Moskës për një armëpushim të menjëhershëm në Ukrainë ndikoi negativisht në përpjekjet për negociata.
“Ministri i Jashtëm hungarez Péter Szijjártó është në Uashington. Përgatitjet për samitin e paqes janë duke vazhduar. Data është ende e pasigurt. Kur të vijë koha, ne do ta mbajmë atë”, tha Orbán në një postim në Facebook.
Një ditë më parë (21 tetor), presidenti Trump tha se nuk donte të zhvillonte një “takim që do të shkonte dëm”, por la të kuptohej se mund të ketë zhvillime të tjera dhe vuri në dukje se “do t’ju informojmë gjatë dy ditëve të ardhshme”.
Orban është një aleat i hershëm i Trump. Ai gjithashtu mban marrëdhënie të ngrohta me Moskën, duke përforcuar pozicionin që kishte fituar tashmë si një dele e zezë në Bruksel pas viteve të konfrontimit mbi atë që BE-ja e quan kthim prapa demokratik në Budapest.