Ngritja e heshtur e Rrahmanit te Napoli

albnews
By
5 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Nëse dikush do të kishte ndonjëherë një ide të çmendur për t’ia kushtuar një film historisë së Amir Rrahmanit te skuadra e Napolit, atëherë me siguri se ai do të ishte njëri prej më të shikuarve. Në të vërtetë, historia e Rrahmanit te Napoli është e veçantë, pasi futbollisti i Kosovës i mori çelësat e mbrojtjes së ekipit nga Serie A, pa bërë shumë zhurmë kanë shkruar mediumet italiane.

Javët e fundit, Rrahmani, falë lëndimit të grekut Kostas Manolas, më në fund ka gjetur hapësirë për të luajtur pasi ishte i ulur në stol për muaj të tërë te Napoli. Tani, megjithatë, ai thjesht duket se nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq. Ndeshje pas ndeshjeje, Rrahmani asnjëherë nuk hoqi dorë nga posti i tij – madje as kur “senatorët” e mbrojtjes së Napolit janë përsëri në dispozicion të trajnerit Gennaro Gattuso. Ndeshja kundër Bolognas, që u luajt vikendin e shkuar, ishte e shtata rresht për Rrahmanin si titullar. Në fakt, ai në gjashtë ndeshjet e fundit ka qenë i pazëvendësueshëm te Napoli duke e dëshmuar vazhdimisht zhvillimin e tij. Ai filloi të bëhet i rëndësishëm te Napoli pa tërhequr shumë vëmendje, pothuajse gjithmonë i përsosur në markimin e kundërshtarëve dhe me topin në këmbë. Duelin e ardhshëm në Serie A, Napoli e luan të dielën mbrëma kundër Milanit në stadiumin “San Siro”, dhe ai pritet të jetë prej minutës së parë në fushë duke e mposhtur konkurrencën e Manolasit tashmë të rikuperuar nga lëndimi.

Megjithatë, sezoni i Rrahmanit te Napoli nuk filloi në mënyrën më të mirë të mundshme: ish-futbollisti i Veronas e bëri debutimin e tij me napolitanët vetëm në janar të këtij viti, pas disa muajve që nxitën dyshime të shumta për Rrahmanin dhe të ardhmen e tij tek ekipi që e transferoi për 14 milionë euro. Madje, deri para debutimit të Rrahmanit me fanellën e Napolit, pyetja më e shpeshtë ishte: “Pese nuk luan një lojtar që kushtoi 14 milionë euro?”, aq më tepër në një vit si ky, në të cilin orari është i ngjeshur me ndeshje që zhvillohen çdo tri ditë. Deri para debutimit, Rrahmani dukej një objekt misterioz te Napoli. Pastaj, krejt papritur, dëmtimet e Kalidou Koulibalyt dhe Manolasit, e detyruan trajnerin Gattuso t’i jepte Rrahmanit shansin e parë si titullar në kampionat kundër Udineses. Mirëpo debutimi i Rrahmanit te Napoli nuk ishte aspak i mirë. Udinese avancoi me pasimin e gabuar të Rrahmanit, i cili e humbi pothuajse çdo duel individual dhe detyroi Gattuson që ta zëvendësojë në fund të pjesës së parë. Pas debutimit katastrofal ndaj Udineses, kritikat u shtuan edhe më shumë ndaj Rrahmanit që u tregua kokëfortë: mbylli veshët dhe vazhdoi të stërvitej ditë pas dite, pa u shqetësuar tepër për kritikat e ashpra që ishin drejtuar ndaj tij. Në fund, kokëfortësia e Rrahmanit u shpagua, me grumbullimin e minutave në këmbë, rritjen e nivelit të paraqitjeve që bënë të gjithë kritikët të ndryshojnë mendimin që e kishin në fillim. Testi i vërtetë i Rrahmanit ishte ndeshja kampionale kundër Juventusit, në të cilën ai markoi në mënyrën më të mirë të mundshme Cristiano Ronaldon dhe në fund u shpërblye me notën tetë për paraqitjen e tij. Ai jo vetëm që siguroi penallti për Napolin, por edhe ishte një mur i vërtetë në mbrojtje duke fituar të gjitha duelet, thjesht ishte i pakalueshëm. Edhe pse nuk ofron gjithmonë paraqitje të nivelit të lartë, Rrahmani pa dyshim që po zhvillohet edhe më shumë si lojtar dhe rritja e tij po jep rezultate të mira. Në ndeshjet kundër Beneventos dhe Bolognas, Rrahmani ka treguar një efektshmëri të madhe në ndërhyrjet e tij të sakta. Ai me hapa të vogël po del nga hija dhe në heshtje po e fiton besimin e të gjithëve te Napoli. Mbi të gjitha, Rrahmani dëshmoi se po e priste vetëm një rast për të dëshmuar vlerën e tij, dhe nëse vazhdon me këtë ritëm, atëherë shpresat janë të mëdha se mund të jetë kapiteni i ardhshëm i Napolit, ashtu siç kishte pretenduar agjenti i tij javë më parë.

Share This Article