Lirim Hajrullahu kishte besim se një ditë do të arrijë të luajë në një nivel më të lartë të futbollit amerikan. E ka thënë rregullisht nëpër mediume të ndryshme botërore.
Por, ai nuk e kishte menduar se do të arrinte marrëveshje me një skuadër në një situatë të jashtëzakonshme. E tillë është tash situata kur e gjithë bota është duke luftuar për ta fituar betejën me pandeminë COVID-19. Por, Hajrullahu ditë më parë e ka fituar një kontratë trevjeçare me klubin e ligës më të fortë në botë NFL-së, Los Angeles Rams.
Hajrullahu, që luan në pozitën “kicker”, pozitë kjo ku lojtari ka përgjegjësitë e gjuajtjeve me këmbë, ka thënë se ëndrra e kamotshme i është bërë realitet, shkruan KOHA.
“Gjithmonë kam shpresuar se mund të arrij në këtë ligë, por gjërat vijnë ashtu si janë të shkruara nga Zoti. Të gjithë duan të luajnë në ligën më të fortë dhe ta fitojnë kampionatin. Jam i kënaqur që do ta kem këtë mundësi”, ka thënë Hajrullahu për gazetën.
Futbolli amerikan është një sport i kontaktit dhe ngjason me ragbin, kurse për Hajrullahun 29-vjeçar, i lindur në Gjilan, do të jetë përvoja e tij e parë në ligën më të fortë në këtë sport – NFL.
Hajrullahu ka treguar edhe rrugën që e ka ndjekur për t’u bërë lojtar i Los Angeles Rams. Ai thotë se ka arritur ta fitojë garën e fortë në kampin që mbahet rregullisht në Arizona.
“Po bëhen tre vjet që po marr pjesë në kamp. Në këtë kamp për lojtarët e së njëjtës pozitë ku luaj edhe unë, vijnë nga SHBA-ja, Japonia, Meksika dhe disa vende të tjera të botës. Pra, të gjithë lojtarët konkurrojnë të bëhen pjesë e ndonjë ekipi në NFL. Dhe, nga 120 lojtarë jam zgjedhur më i miri. Kam qenë goxha i suksesshëm në këtë kamp. Kam pasur më së shumti përvojë në atë grup të lojtarëve pjesëmarrës dhe kjo më ka ndihmuar shumë”, tregon Hajrullahu.
Ai thotë se ka mundur edhe më herët të nënshkruajë kontratë, por një gjë të tillë ia ka mohuar përhapja e pandemisë në të gjithë botën.