Vendet e Afrikës Perëndimore ultimatum një javë për të rikthyer rendin kushtetues, sulmohet ambasada e Francës në Niger
Mijëra mbështetës të Juntës Ushtarake që mori në kontroll Nigerin me 1 grusht shteti, marshuan nëpër rrugët e kryeqytetit Niamey, duke valëvitur flamuj rusë dhe brohoritur emrin e presidentit rus Putin dhe duke denoncuar ish-fuqinë koloniale, Francën.
Protestuesit marshuan drejt Ambasadës Franceze dhe i vunë zjarrin pjesës hyrëse të kompleksit. Presidenti francez, Emmanuel Macron dënoi dhunën dhe u zotua se do t’i përgjigjet me forcë çdo sulmi ndaj qytetarëve dhe interesave të Francës.
Për të qetësuar situatën, u desh ndërhyrja e ushtrisë së Nigerit që shpërndau turmën e protestuesve. Situata e sigurisë në Niger dhe në vendet perreth mund të ndryshojë pasi blloku ECOWAS që përfshin 15 shtete të Afrikës Perëndimore, u ka dhënë një ultimatum udhëheqësve ushtarakë të Nigerit për të rikthyer në pushtet brenda një jave presidentin e rrëzuar, Mohamed Bazoum në të kundërt ka kërcënuar se do të përdorë forcën ushtarake.
Gjithashtu, në kuadër të sanksioneve ECOWAS dhe Unioni Ekonomik dhe Monetar i Afrikës Perëndimore deklaruan se kufijtë me Nigerin do të mbyllen, fluturimet tregtare do të ndalohen, transaksionet financiare do të ndalen, asetet kombëtare do të ngrihen dhe ndihma do të përfundojë.
Në një samit urgjent, udhëheqësit e Komunitetit Ekonomik të Shteteve të Afrikës Perëndimore kërkuan rivendosjen e rendit kushtetues.
“Masa të tilla mund të përfshijnë përdorimin e forcës”, thuhet në komunikatën e tyre.
Pas grushtit të shtetit në Niger dyshohet se qëndron grupi mercenar rus Wagner, i cili është aktiv në Malin fqinj dhe presidenti rus, Vladimir Putin do që të zgjerojë ndikimin e vendit të tij në rajon.
Një konflikt i armatosur në këtë rajon të Afrikës Perëndimore rrezikon të nxisë një valë të re refugjatësh drejt vendeve të tjera afrikane dhe Europës dhe është pjesë e skenarit të paralajmëruar prej kohësh nga qeveritë europiane për një luftë hibride të Rusisë në Afrikë me qëllim për të dëmtuar Europën.