Niko Kovaç nuk është më trajneri i Bajern Munihut. Lajmi është zyrtarizuar pak minuta më parë nga klubi bavarez, një ditë pasi ai pësoi një humbje turpëruese 5-1 përballë Aintraht Frankfurt.
Ishte paralajmëruar një mbledhje në klub për të folur rreth situatës së krijuar, por pakkush mendonte që sezoni do të merrte një kthesë kaq të papritur për bavarezët duke i zhytur në kaos.
“Paraqitja e skuadrës tonë në javët e fundit dhe rezultatet kanë treguar se kishte nevojë për veprim. Unë, Hënes dhe Salihamixhiç kishim një bisedë serioze me Niko këtë të diel duke arritur konsensusin sipas të cilit ai nuk është më trajneri i Bajernit. Ndjejmë keqardhje për këtë zhvillim, dua ta falënderoj Niko Kovaç në emër të klubit për punën që ka bërë e sidomos duke fituar dy trofetë në edicionin e kaluar”, shpjegoi Karl Hainz Rumenige në komunikatën zyrtare.
Hans Flik, asistenti i tij, do të drejtojë ekipin në ditët në vazhdim, duke përgatitur skuadrën për pjesëmarrjen në Ligën e Kampioneve ndaj Olimpiakos si dhe duelin në kampionat të fundjavës së ardhshme ndaj rivalëve të Borusia Dortmund.