Ka startuar dje edicioni i katërt i Kupës së Botës në minifutboll, eveniment që po mbahet në Ras Al Khaimah të Emirateve të Bashkuara Arabe. 32 përfaqësuese janë në garë për trofeun më prestigjioz të minifutbollit, ndërsa dje janë zhvilluar edhe ndeshjet e ditës së parë, si dhe është mbajtur gjithashtu edhe ceremonia e hapjes së aktivitetit.
Për herë të parë në një kampionat botëror merr pjesë edhe Shqipëria, e cila bën pjesë në Grupin F, së bashku me Francën, Anglinë dhe Sllovakinë, që konsiderohet edhe si një prej grupeve më të forta të kompeticionit.
Kuqezinjtë kanë mbërritur mbrëmjen e së enjtes në qytetin Ras Al Khaimah, ndërsa dje kanë zhvilluar edhe kanë zhvilluar edhe seancat e para stërvitore. Kuqezinjtë, të cilët synojnë fillimisht kalimin e fazës së grupeve, do të debutojnë sot në 16:30 me orën shqiptare, teksa do të luajnë ndeshjen e parë kundër Sllovakisë.
Prej më shumë se një muaj, Kombëtarja shqiptare është stërvitur në Tiranë për pjesëmarrjen në Botëror, aktivitet në të cilin kuqezinjtë do të kërkojnë që të thonë fjalën e tyre. Ndërkohë ndeshjet e tjera në grup për Shqipërinë do të jenë më 29 tetor në orën 15:15 kundër Francës dhe më 31 tetor në të njëjtën orë kundër Anglisë.
Kujtojmë se vendet e para dhe të dyta të tetë grupeve, kualifikohen për në raundin e dytë, aty ku do të startojnë përballjet me eliminim direkt. Kujtojmë se të gjitha ndeshjet e Shqipërisë në kampionatin botëror do të transmetohen ekskluzivisht në “Panorama TV”.
DITA E PARË – Kupa e Botës 2023, një kompeticion i organizuar në mënyrë perfekte deri në detaje, në arena mjaft të bukura, ka zhvilluar dje ndeshjet e ditës së parë. Sfida hapëse ishte ajo mes Meksikës, si kampione në fuqi e botës dhe Irlandës, takim i vlefshëm për Grupin B.
Asnjë surprizë në këtë përballje, me meksikanët që fituan në shifra tenistike 6-0. Në të këtë grup edhe Gjeorgjia triumfoi me rezultatin e njëjtë, 6-0, kundër Guatemalës.
Në Grupin A, Kazakistani shkatërroi Ganën 7-0, ndërsa vendësit e Emirateve të Bashkuara Arabe mundën minimalisht 1-0 Indinë. Në Grupin D, Rumania shpartalloi 10-1 Sudanin, ndërsa SHBA-Spanjë u mbyll në barazim 2-2. Ndërsa në ndeshjen e fundit të ditës, Egjipti mundi Kuvajtin 2-0 në Grupin G.