Në Pallatin e Kongreseve në Tiranë nisi mbrëmë mes një shkëlqimi mbresëlënës Fest ’58, festivali më i vjetër i muzikës së lehtë shqiptare, ngjarja kryesore artistike e fundvitit në Shqipëri, një prodhim i Radio Televizionit Shqiptar.
Fituesja e vitit të kaluar, Jonida Maliqi ka çelur spektaklin e hipur në një piramidë të mbuluar me të kuqe 2.5 metra të lartë duke kënduar “Ktheju tokës”.
Drejtuesja e festivalit Alekta Vjesiu solli më pas në skenë hap pas hapi 10 këngë nga 20 që janë përzgjedhur për këtë festival i cili vjen me regjinë e së mirënjohurës Vera Grabocka.
I pari u ngjit në skenë Bojken Lako me këngën “Malasen”, më tej Kanita me këngën e titulluar “Ankth”, Devis Xherahu me “Bisedoj me serenadën”, Sara Bajraktari me “Ajër”, Genc dhe Nadia Tukiçi me këngën “Ju flet Tirana”, Kamela Islamaj me këngën “Më ngjyros”, Elvana Gjata me këngën “Me Tana”, Aldo Bardhi me “Melodi”, Renis Gjoka me “Loja” dhe Albërie Hadërgjonaj me “Ku ta gjej dikë ta dua”.
Këngët u shoqëruan nga Orkestra Sinfonike e RTSH-së.
Nata e parë e Fest ‘58 ishte një spektakël prej më shumë se 120 minuta, ku ishin të ftuar dhe figura emblematike të muzikës së lehtë shqiptare mes tyre Luan Zhegu, artisti i njohur nga Italia, Mahmood, por edhe të ftuar të tjerë.
Nata e parë u mbyll me këngën himn “Rrjedh në këngë e ligjërime” një duet mes tenorit të njohur Gëzim Myshketa dhe drejtueses Alketa Vejsiu.
Sonte publiku do të ndjekë 10 këngët e natës së dytë. Ndërsa nata finale do të zhvillohet të dielën.
Në përfundim do të mësohet dhe kënga fituese e Fest ‘58 e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian të Këngës.