Në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviç, nga sot qytetarët mund të nënshkruajnë peticionin për të shkarkuar kryetarët e komunave nga radhët e komunitetit shqiptar.
Mbledhja e nënshkrimeve do të nisë në orën 09:00.
Në Mitrovicë të Veriut, peticioni nis bëhet pasi asamblistët komunalë miratuan kërkesën e iniciatorit që mbledhja e nënshkrimeve të bëhet në sallën e sportit në këtë komunë në veri të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Ndërkaq në Leposaviç, sipas njërit nga iniciatorët e peticionit, Vesellin Radoviç, është marrë leje që të shfrytëzohet hapësira para komunës për mbledhjen e nënshkrimeve.
Sanja Kërtiniç, një nga nismëtaret e kërkesës për nisjen e peticionit në Mitrovicë të Veriut, përmes mediave njoftoi qytetarët që të marrin me vete dokumentet e nevojshme për nënshkrimin e peticionit.
Ajo ftoi qytetarët që të nënshkruajnë kërkesën për shkarkimin e kryetarit aktual të komunës, duke u bërë thirrje edhe drejtorëve të institucioneve që financohen nga Serbia dhe punonjësve të këtyre institucioneve, që kanë vendbanim në Mitrovicë të Veriut, të marrin me vete letërnjoftimet dhe të nënshkruajnë peticionin.
Sipas disa burimeve të Radios Evropa e Lirë, mesazhe me thirrje të tilla për nënshkrimin e peticionit u janë dërguar punëtorëve të Qendrës Klinike Spitalore në Mitrovicë të Veriut, mësimdhënësve, punëtorëve të institucioneve komunale që punojnë sipas sistemit serb, si dhe atyre që janë larguar nga institucionet e Kosovës më 2022, por që tani paguhen nga buxheti i Serbisë.
Punonjës të institucioneve të ndryshme në Mitrovicë të Veriut pritet që të shkojnë të organizuar në sallën e sportit për të nënshkruar peticionin. Në rrjetet sociale u është bërë thirrje punonjësve që ata në orën 09:00 të jenë atje.
Radio Evropa e Lirë ka mësuar se drejtuesit e institucioneve paralele u kanë thënë punëtorëve që janë në pushime dimërore dhe nuk gjenden në Mitrovicë të Veriut, se mund ta nënshkruajnë peticionin deri më 21 janar.
Javën e ardhshme, mbledhja e nënshkrimeve prite të nisë edhe në Zveçan dhe Zubin Potok.
Kryetarët në katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe – Mitrovicë e Veriut, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok – janë shqiptarë, pasi partitë dhe popullata serbe bojkotoi zgjedhjet lokale të vitit të kaluar.
Nënshkrimet për largimin e tyre tani po mblidhen në bazë të Udhëzimit Administrativ të Qeverisë së Kosovës, i cili është miratuar në fillim të shtatorit 2023.
Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), në Mitrovicën e Veriut duhet të mblidhen së paku 3.640 nënshkrime për shkarkimin e kryetarit të komunës, pasi në listën zgjedhore janë regjistruar 18.199 persona me të drejtë vote.
Në komunën e Leposaviçit të drejtë vote kanë 13.441 persona, që do të thotë se të paktën 2.689 prej tyre duhet ta nënshkruajnë peticionin për shkarkimin e kryetarit.
Në Zubin Potok peticionit duhet t’i përgjigjen së paku 1.347 votues, që është 20 për qind nga 6.732 të votuesve të regjistruar.
E në Zveçan, që peticioni të jetë i suksesshëm duhet të nënshkruhet nga së paku 1.411 persona. Sipas Udhëzimit Administrativ për shkarkimin e udhëheqësit të komunës, një grup qytetarësh, pas marrjes së autorizimit për të shfrytëzuar një zonë publike apo vend për të nisur një peticion, kanë 30 ditë kohë për të mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e kryetarit. Ky afat mund të zgjatet vetëm një herë deri në 15 ditë.
Mirëpo, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, deklaroi javën e kaluar se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviçit dhe Zubin Potokut kanë afat për të mbledhur nënshkrime deri më 22 dhjetor. Ai shtoi se afati për qytetarët e komunës së Zveçanit është më i gjatë për rreth pesë ditë, për shkak në KQZ është dorëzuar më vonë kërkesa për të ditur numrin e saktë të votuesve të regjistruar.
Nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë aq sa kërkohet dhe i verifikon ato, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, duhet 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri në 45 ditë për të shpallur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
Nisja e detyrës së kryetarëve shqiptarë në komunat në veri, nxiti tensione në fund të majit të kaluar, tensione që kulmuan në Zveçan, pasi protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar uljen e tensioneve dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës./