Nis punimet Seminari i 15-të Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Në organizim të përbashkët të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, sot në Prizren nisi punimet Seminari i 15-të Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë.

Në këtë seminar tradicional po marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit të Kosovës dhe Shqipërisë, mësimdhënës që jetojnë e veprojnë në diasporë, të angazhuar në procesin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Zëvendësministri në detyrë i Arsimit të Kosovës, Heset Sahiti, tha se seminari është në funksion të këmbimit të përvojave më të mira të mësimdhënies për fëmijët në diasporë, ruajtjes së gjuhës, traditës, e të kulturës sonë kombëtare.

Ai tha se çdo ditë e më shumë po ndërmerren hapa konkret në jetësimin e marrëveshjes së përbashkët Kosovë-Shqipëri në fushën e arsimit, duke filluar nga kurrikulat e përbashkëta, tekstet shkollore për diasporën, programe e metodologji të reja të mësimdhënies moderne, për ta bërë sa më atraktiv të mësuarit e gjuhës shqipe.

“Mësimi i gjuhës shqipe nga të rinjtë tanë në mërgim është i rëndësisë së veçantë, pasi mban lidhjet me vendlindjen dhe gjithë trevat shqiptare. Është detyrë dhe përgjegjësi e dy qeverive tona që të mbështesim këtë proces në vazhdimësi me të gjitha mundësitë që disponojmë”, tha ai, raporton ksp.

Zëvendësministri Sahiti, gjithashtu tha se MASHT e vlerëson punën dhe sakrificën e mësimdhënësve për angazhimin e palodhshëm për të mbajtur të gjallë gjuhën, kulturën dhe traditën tonë kombëtare.

Ndryshe, Seminari i 15-të Mbarëkombëtar i Mësimit të Gjuhës Shqipe dhe Kulturës Shqiptare në Diasporë do të vazhdojë punimet deri më 3 gusht.

Share This Article