Çelsi po përgatitet për një verë të nxehtë me një numër të madh largimesh nga skuadra, ku deri në 14 lojtarë pritet të ikin nga ekipi.“Blutë” përfunduan kampionatin në vendin e katërt, duke siguruar kualifikimin për Ligën e Kampioneve dhe për më tepër fituan edhe trofeun e Ligës së Konferencës, por trajneri Enzo Mareska është gati të nisë sezonin e ardhshëm me një ekip të ri dhe lojtarë të rinj.
AFRIMET- Liam Delap pritet të transferohet nga Ipsuiçi për 30 milionë paund, ndërsa Xhemi Gitens dhe Alehandro Garnaço janë të lidhur me një kalim në Londrën perëndimore.
LARGIMET- Por sipas “The Guardian”, Çelsi po kërkon të largojë një numër të konsiderueshëm lojtarësh që nuk janë në planet e klubit. Mes tyre është edhe sulmuesi Noni Madueke, i cili shënoi 11 gola sezonin e kaluar, por pritet të shitet për të bërë vend për një lojtar krahu të ri. Kristofer Nkunku dhe Zhoao Feliks, të cilët kaluan pjesën e dytë të sezonit të kaluar me huazim, janë gjithashtu në listën e largimeve. Nkunku, i cili u transferua nga Lajpcigu për 52.7 milionë paund në 2023, shënoi 14 gola në total, por vetëm tre në Premier Ligë. Performanca e tij në role të ndryshme në sulm ka qenë zhgënjyese, dhe klube si Bajerni i Mynihut dhe Mançester Junajtidi janë shfaqur të interesuar. Zhoao Feliks, i cili u huazua fillimisht te Çelsi në 2023 dhe më pas u ble për 45 milionë paund, nuk arriti të bindë trajnerin Mareska dhe u huazua te Milani, ku shënoi vetëm tre gola në 21 ndeshje. Një rikthim në Benfika ose një transferim te Flamengo janë opsionet që po konsiderohen. Portierët Robert Sançez dhe Petroviç mund të largohen nëse vjen oferta e duhur.

Sançez, i cili u ble nga Brajtoni për 30 milionë paund, ka pasur formë të pasigurt, ndërsa Petroviç kaloi sezonin në huazim te Strasburgu. Në mbrojtje, Renato Veiga, Ben Çiluell dhe Aksel Diasi, që rikthehen nga huazimet, nuk janë në planet e trajnerit. Gjithashtu, Uesli Fofana, i transferuar për 70 milionë paund nga Lestër në 2022, mund të largohet për shkak të problemeve me lëndimet. Trevoh Çalobah, i huazuar te Kristal Palas dhe i rikthyer në janar, ndonëse ka luajtur mirë në fund të sezonit, nuk ka siguri për të ardhmen. Në mesfushë, të pasigurt janë Holl, Çukuemeka dhe Ugoçuku. Holl, transferuar për 30 milionë paund nga Lestëri, ka luajtur kryesisht në Kupat e Anglisë, Çukuemeka mbylli sezonin në huazim te Borusia Dortmund, ndërsa Ugoçuku do të rikthehet nga huazimi te Sauthamptoni pas rënies së skuadrës së tij. Ndërkaq, Rahim Stërling, me dy vite kontratë dhe rrogë prej 325,000 paund në javë, nuk ka të ardhme te Çelsi pas një huazimi të dështuar tek Arsenali, ku shënoi vetëm një gol në Kupën e Ligës.