Sekretari i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka kërkuar të dijë nga Prokuroria Speciale e Kosovës se cili është bashkëpunimi me Dhomat e Specializuara. Kjo pas deklarimeve të kryetares së saj, Ekaterina Trendafilova, se do të dënohen të gjithë ata që kanë kryer krime pa marrë parasysh etnisë.
Sherifi po ashtu ka kërkuar të dijë nëse Prokuroria Speciale ka dorëzuar dosjet që lidhen me krimet që janë kryer në Kosovë.
Nëse një gjë e tillë nuk është bërë, Nisma Social demokrate ka kërkuar që ky institucion ta bëjë.
“Nisma kërkon nga Trëndafilova që të sqarojnë nëse janë duke përgatitur aktakuza kundër përfaqësuesve serbë siç kanë deklaruar për trajtimin e krimeve pa dallim”, ka thënë ai. “Kërkojmë vepra dhe jo vetëm fjalë, nëse qëllimet e tyre s’janë vetëm propagandistike”.
Kryetari i kësaj partie, Fatmir Limaj, ishte në mesin e figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të përmendura në aktakuzën për krime lufte ndaj krerëve të UÇK-së Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.