Nuk është vetëm një shtetase angleze që ka dërguar në dhjetëra transferta bankare euro dhe paund në adresë të Adem Metkolës, por nga verifikimet e kryera nga “Ora News” rezultojnë dhe dy shtetase Rumune.
Adem Metkola, një person me të kaluar të dyshimtë në Britaninë e Madhe dhe i deportuar nga ky shtet duke u riatdhesuar në Shqipëri, rezulton të ketë përfituar shumat e eurove nga dy shtetase Rumune dhe një angleze.
“Ora News” ka zbuluar emrat tre grave dërguese të parave në adresë të Metkoklës dhe gruas së tij, Arjan Xhika, të cilët janë Rumunia, Iulia Radu, Anxhela Fomina dhe anglezia Carolyn Perry.
Vetëm dy sipërfaqe toke prej 2 mijë metër Adem Metkola i ka blerë kundrejt 320 mijë euro, ku në bashkëpronësi është dhe Carolyn Patricia Perry.
Nga verifikimet e kryera në sistemin TIMS për shtetasin Adem Metkola ka rezultuar se në 24 shkurt 2007 është kthyer nga autoritetet britanike si person deportiv. Në vitin 2014 ndaj tij është depozituar kallëzim penal nga Ermira Dervishaj, për veprën penale të “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Në dosjen e siguruar nga gazetari i “Ora News”, Elton Qyno thuhet se:
”…nga informacionet e marra mbi këto shtetase ka rezultuar se shtetasja rumune Iulia Radu është kontrolluar nga policia e Peruxhas më 13 Prill 2016, në automjetin e saj me targa CD 091 XS, së bashku me personat që kanë qenë me të në automjet. Në datën 15 dhjetor 2015 është kontrolluar nga karabinierët e Aurisinas, në Itali…”.
Ndërsa gruaja tjetër dërguese e eurove në Shqipëri, Anxhela Fomina është shoqëruar nga policia italiane dhe i janë marrë gjurmët e gishtave për procedura të mëtejshme hetimore.
“…lidhur me shtetasen angleze Carolyn Perry, i hetuari Adem Metkola ka deklaruar se shumat e depozituara në llogarinë e tij, prej saj kanë qenë kapari për blerjen e një pasurie të paluajtshme në Durrës, e cila do të përdorej për të ndërtuar një resort turistik ku të dy do ta kishin në bashkëpronësi…”-thuhet në dosjen hetimore.
Ndërkohë nga informacioni i marrë nga zyra e gjendjes civile, ka rezultuar se Adem Metkola rezulton të jetë divorcuar fiktivisht me gruan e tij Arjana Xhika, por me këtë të fundit kanë vijuar transfertat si dhe kanë lindur vajzat e tyre, K.M dhe I.M., në vitet 2009 dhe 2010.
Po ashtu në vitet 2018-2019 kanë hyrje-dalje me të njëjtin automjet dhe në të njëjtat data. Arjana është e punësuar në aktivitetin tregtar të Ademit për periudhën 2020-2023, me një pagë mujore që
Të dy personat, Arjana Xhika dhe Adem Metkola disponojnë disa llogari në euro dhe në pound, në të cilat janë bërë dërgesa parash nga shtetaset e huaja.
Gjithashtu nga verifikimet e kryera në regjistrin noterial ka rezultuar se Adem Metkola, ka lidhur ndër vite disa kontrata noteriale shitje dhe blerje, si dhe ka nënshkruar edhe disa deklarate njohje detyrimi, ku shtetas të ndryshëm njohin detyrimet e marra tek ky shtetas, përmes skemës së fajdeve.
Po ashtu policia kriminale ka marrë në rrugë operative informacione se ky shtetas disponon disa pasuri të paluajtshme të llojit truall si dhe ka disa automjete të regjistruara në emrin e tij dhe të familjarëve të tij. Këto pasuri nuk justifikohen nga pikëpamja ekonomike dhe dyshohet mbi burimin e krijimit të tyre.
Ndër të tjera nga hetimi i kryer deri më tani ka rezultuar se Adem Metkola, si dhe ish bashkëshortja e tij Arjana Metkola (Xhika) kanë kryer disa transferta bankare me vlera të konsiderueshme dhe të pajustifikuara, të dyshuara që prejardhjen e kanë nga veprimtari të paligjshme të kryera nga shtetas në Angli.
Nga dokumentacioni i administruar deri në këtë fazë të hetimit ka rezultuar se në llogaritë e çiftit Metkola, në bankat e nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë për periudhat 2007-2008, 2015-2016 dhe 2020-2023 kanë mbërritur disa transferta në vlera të konsiderueshme.
Dërgesat janë bërë nga shteti anglez dhe dërgues kanë qenë shtetas të huaj, ku midis tyre dhe përfituesve nuk provohet asnjë lidhje.
Transfertat bankare në llogaritë e tyre janë bërë pa përshkrim veprimi. Dërguese të fondeve kanë qenë shtetaset e huaja Iulia Radu, Anxhela Fomina dhe Carolyn Perry.
Nga ana tjetër është provuar nga këqyrja e sistemit TIMS se shtetasit shtetasi Adem Metkola është kthyer si “deportiv”, në vitin 2007 nga Britania e Madhe, ndërsa ish – bashkëshortja e tij nuk ka qenë kurrë në këtë shtet.
Këto fakte mbështesin edhe më shumë dyshimin se prej të dyve këtyre shtetasve në bashkëpunim mes njëri tjetrin është duke u kryer veprimtaria e paligjshme e pastrimit të produkteve të veprës penale, nëpërmjet mbajtjes së kontakteve me këta shtetas të huaj.
Nga ana tjetër është provuar deri më tani se lidhur me shtetasen Carolyn Perry, shtetasi Adem Metkola ka deklaruar se shumat e depozituara në llogarinë e tij prej saj kanë qenë kapari për blerjen e një pasurie të paluajtshme në Durrës, e cila do të përdorej për të ndërtuar një resort turistik, ku të dy do ta kishin në bashkëpronësi.
Rezulton se mbi pasuritë me numër 464/30 dhe 464/17 ndodhur në ZK 1574, Currila, bashkia Durrës, është duke u zhvilluar objekti hotel me 3 kt, për ndërtimin e të cilit është miratuar leje e ndërtimit Nr.486 Prot., datë 30.01.2024 nga Këshilli Kombëtar i Territorit, në emër të shtetasve Adem Metkola dhe Carolyn Patricia Perry.
Paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme ai dhe ish bashkëshortja e tij, dyshohet se i kanë investuar në blerjen e pronave, në vende të ndryshme, në formën e pastrimit të produkteve të veprës penale./Ora News