Është konfirmuar data e publikimit të autobiografisë së shumëpritur të Princit Harry, që pritet të jetë libri më “shpërthyes” i dekadës.
Sipas New York Times, libri i Dukës 38-vjeçar të Sussex do të dalë në treg më 10 janar 2023. Publikimi do të bëhet afërsisht 18 muaj, pasi Penguin Random House njoftoi partneritetin me ish-princin, në korrik 2021.
Autobiografia e Harry -t është pjesë e një projekti më të madh nga princi dhe Meghan Markle me shtëpinë botuese Penguin Random House. Që kur u larguan nga familja mbretërore, dy dukët kanë filluar të ndërtojnë markën e tyre si manjatë mediatikë.
Përtej marrëveshjes së librit, e cila thuhet se është të paktën 20 milionë dollarë, dyshja në fakt kanë nënshkruar marrëveshje po aq fitimprurëse me Netflix dhe Spotify .
Data e publikimit të librit thuhet se është zhvendosur nga fundi i këtij viti në fillim të vitit të ardhshëm për shkak të vdekjes së Mbretëreshës Elizabeth II më 8 shtator. Në fakt, thashethemet thonë se Princi Harry dëshironte dëshpërimisht të rishkruante një pjesë të librit në vazhdën e vdekjes së gjyshes së tij të dashur.
Për çfarë do të flasë autobiografia e Harrit?
Libri, thuhet se do të përfshijë të gjithë jetën e princit, nga fëmijëria e Harrit nën sytë e paparacëve deri te detyra e tij ushtarake në Afganistan, te martesa me Meghan Markle dhe lindja e dy fëmijëve të tij: Archie, 3 vjeç dhe Lilibet 1 vjeç.
Ekspertët i kanë quajtur kujtimet e Princit Harry “një bombë me sahat”. Autobiografia ka qenë objekt spekulimesh intensive në botën botuese dhe mes fansave të familjes mbretërore. Tabloidët britanikë kanë diskutuar shpesh se sa i sinqertë do të jetë Harry në zbulimin e shkaqeve të ndarjes së tij me familjen dhe sa dëm do të jetë i gatshëm të shkaktojë në vendosjen e monarkisë.
Libri autobiografik do të botohet në një kohë delikate për kurorën dhe publikun britanik, i cili ende po përshtatet me Mbretin Charles III dhe në të njëjtën kohë me paqëndrueshmërinë ekonomike dhe politike.
Vetë libri i vendos Princin Harry dhe Meghan Markle në një situatë edhe më të vështirë. Disa zbulime mund të dëmtojnë monarkinë dhe marrëdhëniet e tyre me familjen mbretërore.
Por në një deklaratë të vjetër në lidhje me autobiografinë, Princi Harry kishte thënë: “Unë po e shkruaj këtë libër jo si princi që kam lindur, por si njeriu që jam bërë”.
“Kam vënë shumë kapele gjatë viteve, si kuptimin e parë të fjalës ashtu edhe në kuptimin figurativ, dhe shpresa ime është që duke treguar historinë time, ulje-ngritjet, gabimet, mësimet e nxjerra, mund të ndihmoj të tregoj se pavarësisht se nga vijmë, ne të gjithë kemi më shumë të përbashkëta nga sa mendojmë”.