Policia është thirrur në Pallatin e Westminsterit në Londër të Anglisë, pasi një burrë është parë duke u ngjitur në kullën ku ndodhet Big Ben.
Videot e publikuara në rrjete sociale tregojnë burrin e zbathur që ngjitet duke mbajtur një flamur palestinez, shkruan skynews.
“Oficerët janë në vendngjarje duke punuar për të sjellë incidentin në një përfundim të sigurt. Ata po ndihmohen nga Brigada e Zjarrfikësve të Londrës dhe Shërbimi i Ambulancës”, deklaroi policia.
Bëhet e ditur se në vendngjarje janë të paktën nëntë automjete të shërbimit të urgjencës, policia e zjarrfikësit.
Ngjarja vjen pasi qindra njerëz kanë filluar të mblidhen për një protestë pro-palestineze në qendër të Londrës.
Turma është mbledhur në cepin e Sheshit të Parlamentit dhe duket se po tregon mbështetje për njeriun që u ngjit në Big Ben.