Presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, i njohur si një autokrat dhe ideatori i neo otomanizmit ka zbarkuar në Tiranë, ditën e vdekjes së Heroit Kombetar, Gjergj Kastriot Skëndërbeut.
Kryeministri tha se ishte e rastësishme. Patriotët në rrjetet sociale shpërthyen.
Por, në fakt duhet të kishte një qasje tjetër ndaj gjithë axhendës së presidentit turk, për të lexuar me gjakftohtësi vizitën e këtij të fundit.
Duke lënë mënjeanë nacionalizmin në lidhje me Skënderbeun apo frymën e shekujve të shkuar. Le të kthehemi tek momenti. Tek kjo politika aktuale, e marrëdhënies së Turqisë me Shqipërinë, ku vërtetë Erdogan dhe Rama kanë një marrëdhënie speciale. Por, presidenti i Turqisë të tillë marrëdhënie ka pasur edhe me ish-kryeministrin Sali Berisha.
Kujtojmë këtu inaugurimin e Rrugës së Kombit në vitin 2009.
Ka një afeksion të Erdoganit për Shqipërinë. Por, si gjithmonë autokratët duan të kontrollojnë, të japin urdhëra për gjithçka. Dhe mjafton të lexojmë se çfarë ka ndodhur.
![](https://www.cna.al/wp-content/uploads/2021/05/fier-spitali-749x450-1.jpg)
![](https://www.cna.al/wp-content/uploads/2021/05/fier-spitali-749x450-1.jpg)
Së pari, presidenti Erdogan duhet falenderuar për ndërtimin e banesave në Laç. 502 familje, 102 familje, 30 milionë euro, 5 milionë lekë, kjo nuk ka rëndësi. Fakti është se presidenti turk ka ndihmuar vendin tonë dhe duhet të jemi falenderues.
Nga ana tjetër ndërtoi dhe një spital në Fier. Një spital të standarteve shumë të mira. Dikush thotë bën 60 milionë euro, dikush 10 milionë euro. Shifra nuk ka rëndësi. Fakti është se spitali u ndërtua.
Nga ana tjetër ka rikonstruktuar xhaminë simbol të kryeqytetit dhe për këtë sërish duhet falenderuar.
Erdhi bëri një vizitë në Tiranë, mbajti një fjalim në Parlament dhe këtu fillojnë dy fyerjet e Erdogan.
I pari është qasja që ka ai ndaj parlamentit duke folur për çështje të brendshme të Turqisë.
Ç’punë ka parlamenti i Shqipërisë, me çështjen FETO apo me Grushtin e Shtetit në Turqi? Pasi të tillë e ka njohur vetëm Erdogan, se BE dhe SHBA kanë një qasje ndryshe.
![](https://www.cna.al/wp-content/uploads/2022/01/erdogan-4.jpg)
![](https://www.cna.al/wp-content/uploads/2022/01/erdogan-4.jpg)
Për më tepër, Fetyllah Gylen, kleriku dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Erdogan jeton në SHBA, i lirë dhe nën mbrojtjen e administratës së SHBA-ve.
Ardhja e Erdogan në parlament dhe goditja duke përdorur FETO, është një fyerje për parlamentin, megjithëse atje mungojnë burrat që të ngrinin dorën dhe t’i thoshin “kjo është çështja jote personale dhe e brendshme e Turqisë, nuk ka lidhje me Shqipërinë”.
Fyerja e dytë e Erdogan ishte ajo që bëri me Komunitetin Mysliman Shqiptar.
Shkoi të inauguronte restaurimin e xhamisë së Et’hem Beut, dhe atje mungonin klerikët shqiptarë.
Mori një hoxhë nga Turqia, i vuri në rrjesht, preu një shirit dhe tha “Ta gëzoni”.
Ç’punë ka Erdogani me klerin shqiptar?
Pse nuk e njeh Erdogan Komunitetin Mysliman Shqiptar?
Ç’punë ka Qeveria e Turqisë se kush është kreu i Komunitetit Mysliman, i Kishës Orthodokse, apo i Kishës Katolike?
Pse futet tek komunitetet fetare shqiptare?
Për këto dy pika. Pra, fyerja në parlament dhe dhunimi që i ka bërë Komunitetit Mysliman janë ato që duhet të reagonte opinioni publik, përtej nacionalizmës dhe frymës së ngritur me ditën e vdekjes së Skëndërbeut, pikërisht ditën që Erdogan vizitonte Tiranën.
Askush nuk flet pse u përdhos Komuniteti Mysliman Shqiptar, sepse nuk e do Erdogan kreun e Komunitetit Mysliman dhe drejtuesit e saj.
![](https://www.cna.al/wp-content/uploads/2022/01/rama-erdogan.jpg)
![](https://www.cna.al/wp-content/uploads/2022/01/rama-erdogan.jpg)
E kujt i plasi…se kë do Erdogani dhe kë nuk do.
Komuniteti Mysliman Shqiptar, është i myslimanëve të Shqipërisë. Ata kanë të drejtën e tyre, të mblidhen e të zgjedhin drejtuesin e tyre. Kanë një komunitet që përfaqësohet denjësisht. Kanë një komunitet që ka një frymë fetare bashkëpunimi, simbol, dhe jo autokrate siç e do Erdogani.
Nga ana tjetër, klerikët e Komunitetit Mysliman nuk thirren, sepse nuk i pëlqejnë Erdoganit.
Kush është Erdogani, presidenti i Turqisë?
Faleminderit për ndihmën, por shko tek shtëpia jote.
Ç’punë ka Erdogani se kush është hoxha i shtëpisë tonë?
Çfarë do të ndodhte nëse do të vinte një presidenti i Greqisë apo i Italisë e do merrte priftin me vete e do inauguronin kishat sipas qejfit të tyre?
Kjo do të ishte po kaq fyese dhe reagimi do të ishte më i ashpër.
Ajo që duhet sot të reagojnë shqiptarët është për fyerjen që Erdogan i ka bërë Komunitetit Mysliman Shqiptar.
Është fyerja që Erdogani i ka bërë parlamentit shqiptar, duke folur për grushtet e shtetit të vendit të tij.
Ç’punë ka Shqipëria me atë që ka ndodhur në Turqi?
![](https://www.cna.al/wp-content/uploads/2022/01/grushti-i-shtetit-ne-turqi.jpg)
![](https://www.cna.al/wp-content/uploads/2022/01/grushti-i-shtetit-ne-turqi.jpg)
Shqipëria është partner strategjik, e vlerëson dhe e falenderon për ndihmën. Por, nuk ka punë në çështjet e brendshme të Turqisë. Ashtu si Turqia nuk ka asnjë punë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Qoftë politike, qoftë këto edhe fetare.
Pse duhet presidenti turk të vijë këtu dhe të na tregojë leksione se kush janë hoxhallarët që do ai apo kush janë bizneset dhe organizatat që ai pëlqen, në arsim, shëndetësi, apo gjetkë.
Ajo që ka ndodhur me këto dy qasje të Erdoganit janë fyerje të vërteta që ai i ka bërë në sy të kryeministrit, përpara parlamentit të shqiptarëve dhe përpara Komunitetit Mysliman Shqiptar, që është simbol i bashkëjetësës shqiptare. Që është simbol i paqes dhe marrëdhënies së shkëlqyer shoqërore në Shqipëri.
Dhe vjen presidenti turk e lejohet nga kryeministri të bëjë çfarë të dojë, si të dojë, të dhunojë kë të dojë dhe të fyejë gjithçka ai nuk e pëlqen e nuk e zgjedh. Ja garanton me protokoll.
E këto janë dy fyerjet e mëdha që bëri Erdogani. Ngatërrimi i Shqipërisë dhe parlamentit shqiptar tek çështjet e brendshme politike të Turqisë dhe goditja, mohimi, përjashtimi, që i bëri Komunitetit Mysliman Shqiptar. Qartazi një frymë që nxit përçarje brenda Komunitetit Mysliman, që është në dëm të shoqërisë dhe shtetit shqiptar.
Qartazi një çështje e brendshme e Turqisë, çohet në parlamentin shqiptar, tek qeveria shqiptare si kërcënim. Më tej veprimi me Komunitetin Mysliman është akt që sjell pasoja të parikuperueshme dhe nxit përçarje kur kemi një bashkëjetesë shembullore. Faleminderit për ndihmën, por hallet tona i zgjidhim vetë dhe Komunistetin Mysliman e respektojmë e nderojmë me breza të pëlqen ose jo ty “sulltani i dashur” i kryeministrit tonë./CNA.al/