opinion nga Skënder Minxhozi
Trump duket se po tërhiqet edhe një herë. E ka bërë këtë shumë shpesh, aq sa i kane vënë nofkën “TACO” e cila mund të perifrazohet në “Trump gjithnjë frikësohet dhe tërhiqet”. Kriza me Iranin po njeh pas gati një muaji e gjysëm luftimesh, shkatërrimi dhe krize globale, një kthesë nga ato që vetëm Presidenti i SHBA mund të marrë. Brenda 24 orësh ai ka njoftuar se do ta zhdukë nga faqja e dheut civilizimin 3000 vjeçar iranian, për të kaluar më pas, vetëm pak orë më vonë, në pranimin në parim të një plani dhjetëpikësh të palës iraniane, i cili në fakt do të përbënte një disfatë tejet të hidhur për SHBA dhe Izraelin nëse do të miratohej qoftë edhe pjesërisht.
Sipas planit në fjalë Irani mban kontroll mbi ngushticën e Hormuzit, imponon reduktim të pranisë ushtarake amerikane në Gjirin Persik, përfiton daljen nga bllokada dhjetravjeçare e Perëndimit dhe merr garanci për një pjesë të madhe të aleatëve të vet në Lindjen e Mesme. Nëse diçka e tillë do të ndodhte, në vend të rënies së regjimit të ajetollahëve, do të kishim një afirmim të Iranit si fuqi e rëndësishme rajonale dhe si një faktor me peshë në punët e botës.
Qysh në krye të herës sulmi ndaj Iranit nuk duhej të kishte ndodhur dhe këtë na e provoi, ndër të tjera, vetë presidenti amerikan me fjalët e tij. U shokuam sesi Irani mund të sulmonte shtetet e Gjirit dhe sesi mbylli Hormuzin, deklaroi Trump para dy javësh, duke i bërë të habiten të gjithë ata që besojnë se kreu i Shtëpisë së Bardhë duhet t’i ketë të qarta të gjitha opsionet e një lufte, para se të shtypë butonin e raketave.
Pas pesë javësh sulmi mbi Iranin, Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk mundën të provokojnë ndryshimin e regjimit, nuk morën dot në posedim 440 kilogramët e uraniumit të pasuruar në masën 60% në impiantet iraniane dhe nuk arritën dot të nxjerrin në rrugë miliona qytetarë të thjeshtë për të rrëzuar qeverinë në Teheran. Për më tepër, me këtë sulm Trump dhe Netanjahu morën goditje serioze në asetet dhe interesat e tyre në rajon, shkaktuan kapitullimin de facto të monarkive të Gjirit Persik dhe krijuan problemin e vërtetë të kësaj lufte i cili rezonoi në gjithë botën: mbylljen e ngushticës së Hormuzit prej nga kalon 20% e energjisë dhe plehrave kimike të botës.
Një operacion ushtarak i planifikuar keq duket se po hedh edhe më tepër benzinë në zjarrin që digjet prej kohësh, në lidhje me rolin dhe peshën reale të SHBA në skenën botërore. Rivali i madh, shkaktari real në distancë i kësaj krize, Kina, duket se edhe kësaj radhe doli e përfituar nga ky konflikt. Anijet kineze nuk penguan në asnjë rast për të kaluar nëpër ngushticën e Hormuzit, megjithëse ashtu si në Venezuelë, një ndër qëllimet bazë të sulmit amerikan-izraelit ishte prerja e rrugëve kryesore të furnizimit me energji të Pekinit.
Nga ana tjetër fraktura mes Uashingtonit dhe evropianëve, e nisur me Groenlandën, duket se u zgjerua më tej, duke përfshirë NATO-n të cilën Trump e quajti “tigër prej letre”. I përmbledh më së miri raportet brenda kampit perëndimor komenti i fundit i kryeministrit spanjoll Sanchez, i cili pas armëpushimit tha se nuk duartroket ata që i vënë flakën botës, e pastaj shfaqen me një kovë ujë!
Donald Trump po ridimensionon në mënyrë të pakthyeshme marrëdhëniet globale, duke prishur aleanca historike e duke kryer veprime impulsive që kanë prodhuar kaos dhe pasiguri në skenën botërore. Itharët e vet e paraqesin këtë sjellje kaotike si një gjetje unikale, por rezultatet flasin për tëkundërtën. Kjo politikë e paparashikueshme dhe tejet e paqëndrueshme po e ekspozon Amerikën si një partner të pabesueshëm në të gjitha qendrat e mëdha diplomatike të planetit, përfshirë organizmat ndërkombëtare me të cilat administrata Trump tallet nga mëngjesi në darkë. Ajo po krijon rënien e kuotave të Trump brenda SHBA, pasi inflacioni dhe tensionet sociale të brendshme e kanë polarizuar rrezikshëm Amerikën aktuale.
Në pesë javë lufte Trump u betua se e kishte rrafshuar regjimin iranian, se kishte vrarë skalionin e parë, të dytë dhe të tretë të udhëheqjes vendase, se kishte zhdukur flotën detare, atë ajrore dhe infrastrukturat civile kudo në vend. Megjithatë pas pesë javësh ai e sheh veten të ulet në negociata me ata që quheshin të fshirë nga faqja e dheut. Një imazh jo dinjitoz për kreun e botës, i cili u tërhoq në mënyrën më naive në luftë nga një “client-state” (shtet klient) me më pak se dhjetë milion banorë – Izraeli! Duke e konsoliduar me këtë rast traditën e fitoreve alla-Trump, siç ndodhi në Venezuelë apo më parë me krizën e Groenlandës apo përplasjen për tarifat me trecerekun e vendeve të botës. Shko deri në zgrip e pastaj kthehu duke marrë mbi vete përqeshjen e miqve dhe të armiqve!

