Autoritetet në Kubë konfirmuan se një person është vrarë në protestat anti-qeveritare në këtë vend.
Mediat shtetërore thanë se Diubis Laurencio Tejeda, 36 vjeç, vdiq në lagjen La Guinera të kryeqytetit Havana.
Sipas zyrtarëve, ai ishte pjesë e një grupi që sulmoi një strukturë të Qeverisë. Por, dëshmitarët thanë se forcat e sigurisë i sulmuan anëtarët e grupit.
Waldo Herrera i tha agjencisë së lajmeve Reuters se oficerët “i nxorën armët dhe filluan të qëllonin” në drejtim të protestuesve.
“Unë mendoj se komunistët e kanë humbur kontrollin. Ata nuk do të kenë zgjidhje për këtë situatë”, tha Herrera.
Deri më tani nuk ka asnjë shpjegim zyrtar se si vdiq Diubis Laurencio Tejeda. Ministria e Brendshme e Kubës tha përmes një deklarate se i vjen keq për vdekjen e tij.
Protestat e rralla anti-qeveritare në Kubën komuniste nisën të dielën.
Mijëra njerëz dolën në rrugë për të kundërshtuar rënien ekonomike, mungesat e ushqimit dhe ilaçeve, rritjen e çmimeve dhe trajtimin e pandemisë së koronavirusit nga ana e Qeverisë.
Tubimet e tilla të paautorizuara publike janë të paligjshme në Kubë dhe presidenti i vendit, Miguel Diaz-Canel, i quajti demonstruesit “anti-revolucionarë”.
Qeveria e tij pretendon se protestat janë financuar dhe nxitur nga Shtetet e Bashkuara, ndërsa për problemet e Kubës fajëson sanksionet ekonomike të SHBA-së. \Rel