Eliminimi i Chelsea në FA Cup nga Manchester City ishte i parashikueshëm. Skuadra e Pep Guardiolës është kthyer në “xhelatin” e Bluve të Londrës gjatë këtij sezoni. Pas fitores 4-0 në raundin e tretë të FA Cup, skuadra e Graham Potter e gjen veten, në janar, jashtë dy kompeticioneve të kupave (FA Cup dhe Carabao Cup) dhe 10 pikë mbrapa zonës së Champions League.
Dy humbjet e fundit radhazi ndaj “Citizens” (4-0 dje dhe 0-1 në Stamford Bridge) u paraprinë nga eliminimi në 1/16 e Kupës së Ligës, në muajin nëntor.
Kishin kaluar 25 vjet që kur skuadra blu ishte mposhtur në raundin e 3-të të FA Cup. Por, nëse numërojmë të dyja eliminimet e kupës, duhet të kthehemi 34 vjet pas për të kujtuar Chelsean e fundit që, në të njëjtin sezon, ishte lënë jashtë FA Cup dhe Carabao Cup që në ndeshjen e parë.
Edhe pse ka shumë probleme, kryesori i këtij Chelsea duket të jetë mbrojtja, edhe pse nga 350 milionë euro që skuadra londineze ka shpenzuar mes merkatos së verës dhe dimrit (investimi më i madh në transferime në historinë e klubit) më shumë se 200 milionë euro kanë shkuar për mbrojtjen.
Antonio Rüdiger, Marcos Alonso dhe Andreas Christensen u larguan nga klubi në verë si agjentë të lirë. Në këmbim, pronari Todd Boehly investoi te Wesley Fofana, nga Leicester, i cili mbërriti për 80 milionë euro pas negociatave të vështira. Më shumë se 60 milionë euro u paguan gjithashtu për spanjollin Marc Cucurella nga Brighton. Gjithashtu, në Stamford Bridge zbarkoi edhe eksperienca e Kalidou Koulibaly, kundrejt 38 milionë eurove. Disa shpenzime që, të rrumbullakosura me gati 40 milionët që kanë paguar londinezët në këtë merkato dimërore për Benoit Badiashile, arrijnë në 221 milionë euro… vetëm në mbrojtje.
Një investim që deri më sot nuk ka dhënë rezultat. Nga 25 ndeshjet që ka luajtur këtë sezon me Thomas Tuchel dhe Graham Potter në stol, Chelsea ka mundur vetëm 6 herë të ruajë portën e paprekur. Shifra shumë të këqija për një shpenzim kaq të madh. Manchester City ekspozoi edhe një herë një mbrojtje që, megjithëse nuk funksionoi në fillim të sezonit me trajnerin gjerman, nuk ishte asnjëherë kaq e tronditur kur ai ishte në krye. Që kur Graham Potter mbërriti në Londër, Blutë kanë humbur 3-0 dy herë në pjesën e parë: Brighton dhe Manchester City.
Me Thomas Tuchel në krye të skuadrës, në 99 ndeshje që zgjati në stol, kjo nuk ndodhi kurrë.