Një pushtet i rrethuar, por ende i palëkundur

albnews
By
10 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Viti 2025 u shënua nga kontraste të forta politike dhe shoqërore në Shqipëri, ku ambicia për t’u paraqitur si një vend në ngjitje në arenën europiane u përplas me realitetin e brendshëm ekonomik dhe institucional. Samiti i 6-të i Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur më 16 maj në Tiranë, u promovua nga qeveria si një moment kulmor i pozicionimit ndërkombëtar të vendit, duke e vendosur përkohësisht kryeqytetin në qendër të vëmendjes europiane. Megjithatë, pas simbolikës diplomatike dhe fitores së një mandati të katërt nga Partia Socialiste, viti u shoqërua me rritje të çmimeve, varfëri në rritje dhe pakënaqësi të thellë qytetare.

Në të njëjtën kohë, drejtësia dhe veçanërisht SPAK-u u shndërruan në një nga aktorët kryesorë të vitit. Hetimet ndaj ish-ministrave, kryebashkiakëve dhe funksionarëve të lartë, përfshirë figura kyçe të qeverisë aktuale, sinjalizuan një fazë të re të luftës kundër korrupsionit, të lidhur ngushtë me procesin e integrimit europian. Dosjet për tendera, koncesione, sisteme digjitale dhe projekte infrastrukturore, si dhe hetimet ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe kryebashkiakut Erion Veliaj, forcuan perceptimin se edhe “të paprekshmit” po përballen me drejtësinë, duke hapur një debat të gjerë mbi përgjegjësinë politike dhe morale të qeverisjes 12-vjeçare.

Këto zhvillime u reflektuan edhe në rrugë, ku dhjetori i vitit 2025 u karakterizua nga një valë protestash të njëpasnjëshme përpara Kuvendit, Kryeministrisë dhe institucioneve të tjera shtetërore. Të thirrura fillimisht nga parti të vogla opozitare dhe më pas të ndjekura nga e gjithë opozita parlamentare dhe segmente të shoqërisë civile, protestat kishin si kërkesë qendrore dorëheqjen e qeverisë dhe ndëshkimin e zyrtarëve të akuzuar për korrupsion. Megjithatë, pavarësisht intensitetit politik dhe simbolikës së bashkimit opozitar, mungesa e një pjesëmarrjeje masive qytetare e la hapur pyetjen nëse këto protesta përfaqësojnë fillimin e një revolte shoqërore apo thjesht një cikël tjetër presioni politik në një vit të trazuar.

Fasada europiane

Samiti i 6-të i Komunitetit Politik Evropian, i mbajtur më 16 maj 2025 në Tiranë, u shënua që në nisje nga një gjest simbolik që mori vëmendje më të madhe se vetë përmbajtja politike e takimit: kryeministri Edi Rama u ul në gjunjë përballë kryeministres italiane Giorgia Meloni. Ky veprim u interpretua  si pjesë e diplomacisë personale dhe afrimit strategjik me një nga figurat më të rëndësishme të Europës, ndërsa kritikët e panë si një shfaqje individuale që relativizoi seriozitetin institucional të një eventi ndërkombëtar.

Samiti u promovua si moment kulmor i pozicionimit ndërkombëtar të Shqipërisë dhe, për disa ditë, organizimi i tij e vendosi përkohësisht Tiranën në qendër të agjendës politike europiane.

Megjithatë, pas kësaj fasade diplomatike, viti 2025 u karakterizua nga zhvillime të forta ekonomike dhe politike që ndikuan drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve.

Rritja e vazhueshme e çmimeve të shportës bazë dhe paga minimale rreth 40 mijë lekë, pritet të rritet me 10 mijë lekë në vitin 2026, e kanë vështirësuar përditshmërinë e qytetarëve. Sipas të dhënave të fundit të Eurostat, Shqipëria kryesoi Europën me rreth 42 % të popullsisë në rrezik të varfërisë ose përjashtimit social.

“Stabiliteti i pretenduar i ekonomisë shqiptare nuk ekziston në xhepat e qytetarëve” – shprehet deputetja e partisë Demokratike Jorida Tabaku.

Partia Socialiste, pavarësisht emigrimeve masive dhe pakënaqësive sociale, fitoi më 14 maj mandatin e katërt qeverisës me në krye Edi Ramën, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”.

Zgjedhjet u kontestuan nga opozita si të manipuluara, ndërkohë që SPAK hapi disa hetime për të verifikuar akuzat e ngritura.

Procesi i integrimit europian mbetet narrativa kryesore e qeverisë, që nga marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2014 dhe hapja zyrtare e negociatave në vitin 2022. Një nga kushtet kyçe për anëtarësim është lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku reforma e “vetingut” në drejtësi konsiderohet themelore.

Nga të dhënat e hapura rezulton që në procesin e ‘vetingut’ kanë marrë pjesë 805 gjyqtarë dhe vetëm 373 prej tyre e kaluan me sukses. Njëri prej tyre ka qenë dhe ish-kryeprokurori i Vlorës, Aurel Zarka i cili u deklarua fajtor për korrupsion dhe ndikim të paligjshëm në çështjet penale që lidhen me dosjen “Toyota Auris”.

Nga 805 gjyqtarë dhe prokurorë të përfshirë në proces, vetëm 373 e kaluan me sukses, ndërsa raste si ai i ish-kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, i shpallur fajtor për korrupsion në dosjen “Toyota Auris”, tregojnë përmasat e problematikës. Arrestimet dhe hetimet ndaj dhjetëra zyrtarëve të lartë ecin paralelisht me kërkesat e BE-së për sundimin e ligjit, por por kjo nuk na largon shumë nga ‘fajtori’ që premton integrim brenda 2030.

Një qeveri gjysmë të burgosur

Arrestimet e ish-ministrave, hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe masat e sigurisë të vendosura nga SPAK ndaj figurave kyçe të qeverisjes socialiste shënuan pikën e kthesës që nxori opozitën në rrugë. Dosjet për korrupsion, tendera, koncesione dhe shpërdorim detyre, ku përfshihen emra si Saimir Tahiri, Ilir Beqaj, Lefter Koka, si dhe hetimet në vijim ndaj kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, krijuan perceptimin se “qeveria po ha vetveten”. Sipas verifikimeve, të paktën 17 ish-ministra, deputetë dhe kryetarë bashkish socialistë janë arrestuar ose janë nën hetim, duke e kthyer kabinetin Rama në atë që opozita e quan prej kohësh “një qeveri gjysmë të burgosur”.

Në këtë klimë politike të rënduar, protestat nisën më 11 dhjetor, kur rreth 500 të rinj, të thirrur nga Arlind Qori u mblodhën përpara Kuvendit për të kundërshtuar projekt-buxhetin e vitit 2026 dhe për të akuzuar drejtpërdrejt zv/kryeministren Belinda Balluku. Ky tubim shënoi fillimin e një serie protestash që më pas u përqafuan nga të gjitha forcat opozitare, duke u shtrirë përpara Kryeministrisë, Kuvendit dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Pavarësisht formave të ndryshme të aksionit, kërkesa mbeti e njëjtë: largimi i Ballukut dhe dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.

Për herë të parë, opinioni publik po shihte se si hetimet po preknin në mënyrë të strukturuar sektorë kyç të qeverisjes dhe njerëz të lidhur ngushtë me pushtetin ekzekutiv.

Megjithatë, edhe pse dhjetori u shënua nga zhvillime të forta politike dhe hetime që prekën nivelet më të larta të pushtetit, sheshet nuk u mbushën masivisht nga qytetarët.

Protestat mbetën të fragmentuara dhe kryesisht të organizuara nga partitë politike.

“Një pjesë mendojnë se mjafton protesta në Facebook. Pastaj është lodhja. Njerëzit kanë provuar protesta, por kur protesta nuk sjell kosto për pushtetin dhe sjell kosto për protestuesin, ajo bie,” u shpreh analisti politik Lutfi Dervishi, duke shpjeguar mungesën e një reagimi qytetar më të gjerë.

Ndërsa kryeministri Rama vijon të mbrojë publikisht numrin dy të qeverisë, opozita ka tentuar ta kanalizojë pakënaqësinë përmes protestave të vazhdueshme. Partia Demokratike, si forca më e madhe opozitare, organizoi disa tubime përpara Kryeministrisë, duke e lidhur çështjen Balluku drejtpërdrejt me përgjegjësinë e kryeministrit dhe duke e paraqitur SPAK-un si konfirmim të akuzave që, sipas saj, janë artikuluar prej vitesh.

Më 19 dhjetor, Partia Mundësia protestoi përpara Kuvendit në të njëjtën ditë kur Këshilli i Mandateve shqyrtonte materialet e SPAK për Ballukun, ndërsa shoqëria civile iu bashkua simbolikisht protestës, duke folur për një front të përbashkët kundër “sistemit”.

Hetimet dhe arrestimet kanë rrëzuar mitin e të paprekshmëve, por mungesa e një reagimi masiv qytetar tregon se protestat e copëzuara, pavarësisht zhurmës politike, nuk po e kërcënojnë realisht pushtetin.

Nga ana tjetër, mbështetësit e “Shqipëria Bëhet” janë vendosur prej më shumë se dy javësh përpara Kryeministrisë, duke kërkuar jo vetëm rrëzimin e qeverisë Rama, por edhe krijimin e një qeverie teknike 12-mujore.

Por, siç paralajmëron analisti politik Lutfi Dervishi, “cinizmi është armiku më i madh i sheshit”. “Të gjithë njësoj janë”, pra pse të dal?!

Dhe pushteti ka menduar për këtë ditë në krijimin e mendimit se “kështu janë të gjithë.” – shprehet analisti politik z.Dervishi.

Shteg.org

Share This Article