Një stuhi që njihet me emrin “medicane”, e ngjashme me ciklonin, parashikohet të godasë këtë javë detin Jon, duke prekur disa shtete.
Meterologët bëjnë me dije se ai paraqet një rrezik të lartë për reshje në Siçili dhe Maltë, si dhe pritet të sjellë përmbytje të mëdha në Greqi.
Modelet e vëzhguara të motit lënë të kuptohet për një formacion të tillë mbi detin Jon këtë javë, fenomen që ndodh për herë të parë në vitin 2023. Kjo konfirmohet nga pamjet satelitore të NASA-s mbi Europë.
Ndonëse nuk janë përcaktuar ende, gjurma e saktë dhe intensiteti i sistemit subtropikal, modele të ndryshme të motit sugjerojnë erëra të forta. Po ashtu priten përmbytje në ishullin e Siçilisë në Itali, si dhe në Maltë.
Zona e ndikimit mund të prekë deri Libinë Veriore. Një sasi ekstreme shiu pritet të regjistrohet në Greqi nga e marta deri në ditën e enjte. Vala e vazhdueshme e të nxehtit e regjistruar këtë verë, solli një ngrohje të ujërave, duke akumuluar shumë energji që nxit stuhi të forta konvektive.