Një vit pas konferencës për shtyp dhe largimit mes lotëve nga Camp Nou, Lionel Messi është kthyer në Barcelonë. Në distancën e 12 muajve dhe pas një sezoni me ngjyrat e Paris Saint Germain, ylli argjentinas zbarkoi në qytetin ku u rrit si njeri dhe si futbollist.
Ai përfitoi nga pushimi që klubi i dha pas fitores 5-0 në kampionat, ku numri 30 realizoi dy gola. Vizita e papritur e Messit mjaftoi që të ndizte spekulimet se sulmuesi po përgatit rikthimin te Barcelona. Rreth kësaj teme, Leo nuk iu përgjigj ngacmimeve të gazetarëve në momentin kur doli nga aeroporti.
Megjithatë, janë të shumë tifozët që e besojnë diçka të tillë, teksa edhe mediat nuk nguruan të publikonin lajmet se 35-vjeçari do të veshë sërish ngjyrat blaugrana. Bazuar në lajmet e shpërndara, ku madje flitej edhe për kontakte me klubin katalanas, përfaqësuesit e futbollistit sqaruan situatën.
Ata mohuan kategorikisht që Leo dhe presidenti Laporta janë takuar, e aq më pak që kanë biseduar rreth rikthimit të tij në Camp Nou. Gjithsesi fakti mbetet që në fund të këtij sezoni, kontrata e Lionel Messi me Paris SaintGermain skadon.
Argjentinasi do të jetë lojtar i lirë dhe përpara një viti, kur i dha lamtumirën Barcelonës ai deklaroi se “nuk ka dyshime që një ditë do të kthehet”, pasi diçka të tillë ia ka premtuar djemve.