Deklarata e Ambasades Amerikane një vit pas tërmetit në Shqipë:
Në 26 nëntor bëhet një vit qëkur një tërmet goditi Shqipërinë. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë në solidaritet me popullin shqiptar, ndërsa ju përkujtoni këtë përvjetor solemn. Përgjatë vitit të kaluar, Shqipëria ka treguar një forcë të jashtëzakonshme, jo vetëm në rindërtim, por edhe në përballjen me një pandemi globale. Shtetet e Bashkuara kanë qënë me ju në çdo hap të kësaj rruge dhe do të vazhdojmë të jemi me ju.
Pas dëmtimeve të menjëhershme të tërmetit, zyrtarë dhe ekspertë amerikanë ndihmuan në përpjekjet e kërkim – shpëtimit dhe vlerësuan qëndrueshmërinë e strukturave të shtëpive dhe bizneseve në zonat e prekura. Më vonë, në përgjigje të nevojës më të madhe humanitare, USAID punoi me Kryqin e Kuq Shqiptar për të shpërndarë furnizime emergjente dhe me UNICEF-in për të siguruar shërbime mbështetjeje psiko-sociale për fëmijët që pësuan humbje dhe zhvendosje.
Në muajt që vijuan, Shtetet e Bashkuara qëndruan krah jush, ndërsa shihnit drejt së ardhmes. Për të forcuar aftësinë e Shqipërisë për t’iu përgjigjur katastrofave në të ardhmen, Komanda Evropiane e Shteteve të Bashkuara (EUCOM) ndihmoi në furnizimin e rezervave që mungonin dhe siguroi pajisje kritike për raste katastrofash. USAID i siguroi fonde Kryqit të Kuq Shqiptar për krijimin e një Qendre Operacionesh Emergjente, e cila drejton përgjigjen dhe koordinimin e një krize.
Në vlerësim të trashëgimisë unike historike të Shqipërisë, ne dhamë një grant për restaurimin dhe ruajtjen e vendeve kulturore të dëmtuara në qytetin e Durrësit, qytetin e Krujës dhe fshatin e Prezës.
Për të siguruar përgjegjshmëri ndaj popullit shqiptar, në shkurt ne shpallëm krijimin e Akademisë së Transparencës SH.B.A – Shqipëri, për të ofruar ndihmë teknike në qeverisjen transparente, qeverisjen e përgjegjshme ndaj qytetarëve, trajnimin anti-korrupsion dhe reformën në drejtësi. Akademia do të fillojë së shpejti punën e saj të rëndësishme këtu në Shqipëri.
Sot është edhe Dita Amerikane e Falenderimeve, një ditë për të menduar mbi gjërat për të cilat jemi mirënjohës.
Të gjithë ne në Ambasadën Amerikane jemi mirënjohës për miqësinë midis dy vendeve tona dhe urave të shumta midis dy popujve tanë.
Së bashku, ne do të vazhdojmë të rindërtojmë Shqipërinë, do të qëndrojmë të fortë përballë fatkeqësive, dhe do të ecim drejt një të ardhmeje më të sigurt, më të begatë. Sot, Shqipëria është në mendimet tona.