Njësiti i specializuar i Policisë së Kosovës K-9, i shoqëruar me qentë e trajnuar policorë vijon kontrollet në fshatin Varagë afër Zubin Potokut.
Ky njësit është angazhuar në asistimin e gjetjes së mundshme të eksplozivit në këtë zonë, ku dy ditë më parë pati sulm terrorist.
Deri tani nuk dihet nëse është gjetur ndonjë sasi e pashpërthyer e eksplozivit. Ndërkohë, ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla, ka vizituar sërish zonën ku ndodhi sulmi, bashkë me ministrin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi. Nga atje paralajmëroi se kjo çështje nuk do të mbyllet lehtë.
“Nuk jam në ngjarje dhe detaje se çfarë është duke ndodhur. Unë e di që policia po e vazhdon punën e saj. Realisht, ky është sulmi më i rëndë në infrastrukturën kritike. Nëse dikush mendon se ne do ta lëmë me kaq, e ka shumë gabim. Institucionet e sigurisë dhe hetimet do të zbulojnë krejt çka ka ndodhur dhe kush e ka kryer këtë, patjetër se përgjegjësit do t’i vë para drejtësisë, kurse përgjegjësit apo urdhërdhënësit e tyre patjetër që do të marrin barrën politike”.