Oleksandr Budko është një ushtar ukrainas 27-vjeçar, i cili humbi të dyja këmbët duke luftuar në vijën e frontit. Që nga fillimi i korrikut, ai ka qenë anëtar i Baletit të Bashkuar të Ukrainës dhe ka bërë turne në SHBA në një sërë shfaqjesh bamirësie.
Budko, i cili ishte një dizajner grafik në Kiev dhe punonte në një kafene – doli vullnetar që të shkonte në luftë menjëherë pasi Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës. Ai po shërbente në Urdhrin Sikh të Karpateve kur u plagos rëndë dhe humbi të dy këmbët gjatë një shpërthimi në zonën e Isiumit.
“Isha shtrirë me fytyrën poshtë, as zhurmën e predhës nuk e dëgjova. Gjithçka që ndjeva ishte një dhimbje skëterre, një erë mbytëse dhe papastërti në hundë”, përshkruan ai.
Mjekët fillimisht menduan se mund të shpëtonin njërën nga këmbët e tij, por pas tre ditësh të dyja këmbët u amputuan poshtë gjurit.
Duke u marrë me balet, Budko e sheh veten si një model për pjesën tjetër të ushtarëve ukrainas, të cilët po përpiqen të kapërcejnë plagët mendore dhe fizike të lëna nga lufta. Përveç shfaqjeve të baletit, ai po merr pjesë edhe në provat për të përfaqësuar Ukrainën në Lojërat Invictus për ushtarët e plagosur, që do të mbahen në shtator në Gjermani.
“Çfarë më motivon të vazhdoj? Bota. Kur dëgjoj që shembulli im i ndihmon njerëzit, e kuptoj që po bëj gjithçka siç duhet”, tha ai.
Në fund të shfaqjes së Baletit të Bashkuar të Ukrainës, i gjithë kasti këndon himnin kombëtar të Ukrainës, duke “çuar peshë” audiencën – e cila arrin 3000 spektatorë në çdo ndalesë. Falë talentit dhe përpjekjeve të tyre, trupa ka arritur të mbledhë një sasi të madhe për ndihma humanitare në Ukrainë.