Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka reaguar pas njohjes së shtetit të Kosovës nga Sudani. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kreu i qeverisë së Kosovës shpreh mirënjohjen për presidentin e Sudanit, si edhe për presidenten Vjosa Osmani. Kjo njohje vjen disa javë pasi Kenia njohu Republikën e pavarur të Kosovës.
“Shtetit tonë iu shtua edhe një njohje e re e popullit tonë një miqësi më shumë. E mirëpresim njohjen nga shteti i Sudanit, e cila vjen disa javë pas asaj nga Kenia.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes dy shteteve tona shpresojmë të zgjerohet dhe fuqizohet më tej.
Urime qytetarëve të Republikës sonë dhe faleminderit Presidentit të Sudanit për këtë vendim të rëndësishëm për marrëdhënien mes dy vendeve tona, si dhe Presidentes sonë për angazhimin e saj e miqve dhe partnerëve tanë për mbështetjen e vazhdueshme”, shkruan Kurti, përcjell A2 CNN.
Lajmin për këtë njohje të re e ndau një ditë më parë në rrjetet sociale presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Sudani është bërë tani shteti i 119-të që e njeh Kosovën, pas Kenias. Njohja nga kjo e fundit solli reagime të ashpra në Beograd me presidentin Vuçiç që e cilësoi një akt armiqësor ndaj Serbisë.