Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është në vëmendje të qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon se nëse është e nevojshme, sekretari Antony Blinken, mund të përfshihet drejtpërdrejtë në këtë proces me synimin që të vulosë përmbylljen e tij me një marrëveshje finale me njohjen reciproke në qendër.
“Nëse ne vlerësojmë se angazhimi i Sekretarit përmes telefonit ose personalisht është përbërësi i domosdoshëm për të arritur diçka të tillë në vijën e finishit, Sekretari Blinken nuk do të hezitojë të marrë telefonin dhe t’i bëjë ato biseda”, tha Ned Price, zëdhënës i Departamentit të Shtetit.
Megjithatë, për momentin konfirmohet që SHBA-ja do të mbajë rolin e vëzhguesit në dialogun Prishtinë-Beograd.
“Ne jemi duke vëzhguar. Ne po e bëjmë këtë në partneritet me BE-në dhe po inkurajojmë të dyja palët që ta përdorin dialogun në mënyrë efektive. Është një dialog që ne e mbështesim shumë dhe mendojmë se është detyrë e të dyja palëve që ta shfrytëzojnë këtë mundësi në masën maksimale për të çuar përpara diskutimet e tyre mbi normalizimin e marrëdhënieve, të përqendruara edhe në njohjen reciproke”.
Zëdhënësi i DASH konfirmoi edhe njëherë që në këtë dialog SHBA-ja është e përfshirë me anë të të emëruarit të posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ned Price saktësoi se Escobar ishte javën e kaluar në Bruksel, ku u mbajt takimi i nivelit të lartë Kurti-Vuçiç, dhe se do të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin në sajë të bisedimeve për normalizim të raporteve mes dy vendeve.