Qytetarët nuk mund të këmbejnë më shumë se 1 milionë lekë në pikat e këmbimit valutor. Banka e Shqipërisë ka vendosur të bëjë disa ndryshime në rregulloren për licencimin, organizimin, veprimtarinë dhe mbikëqyrjen e zyrave të këmbimit valutor, duke shtuar kriteret për licencimin e zyrave të tilla, të gjobave që zbatohen në rast të shkeljes së kuadrit ligjor dhe rregullator, apo kufizuar shumën e parave që mund të këmbejnë qytetarët.
Banka e Shqipërisë thekson se zyrat e këmbimit valutor nuk mund të kryejnë transaksione në para fizike (cash), të cilat tejkalojnë një shumë prej 1,000,000 (një milion) lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, të kryera në një transaksion të vetëm ose në disa transaksione të lidhur me njëri-tjetrin. Transaksionet që tejkalojnë shumën e 1 milionë lekë ose kundërvlerën e saj në monedha të tjera të huaja, duhet të kryhen nëpërmjet llogarive bankare ose llogarive të pagesave.
Vendosja e kufizimeve të tilla bëhet për të parandaluar pastrimin e parave, apo aktivitete të tjera të paligjshme.
Nga ana tjetër, Banka Qendrore ka shtuar si kriter për licencimin e zyrave të këmbimit valutor edhe përshtatshmërinë, reputacionin e mirë dhe integritetin e aksionerit/ortakut, pronarit përfitues dhe administratorit të subjektit gjatë momentit të licencimit. Pra duhet të respektojë kuadrin ligjor e rregullativ në fuqi, përfshirë ato që lidhen me parandalimin e pastrimit të parave dhe financimin e terrorizmit, nuk duhet të ketë rekorde kriminale, ka qëndrueshmëri financiare, nuk duhet të jetë subjekt i hetimeve ose sanksioneve për mosrespektimin e kuadrit ligjor e rregullativ të zbatueshëm dhe të tjera. Në rast se nuk përmbushet ky kriter, Banka do e refuzojë kërkesën për licencim.
Zyrat e këmbimit valutor nuk mban në arkë vlera monetare (cash) mbi baza ditore, më të larta se vlera e kapitalit fillestar minimal. Kapitali fillestar minimal i kërkuar për t’u licencuar nga Banka për të kryer veprimtarinë e këmbimit valutor ishte 2,500,000 lekë më parë, ndërsa tani bëhet 5,000,000 lekë.