Paul Pogba nga sezoni i ardhshëm do të nisë një aventurë të re e cila nuk është e lidhur me Manchester United dhe stadiumin Old Trafford.
Francezi vendosi të mos e rinovonte kontratën me “Djajtë e Kuq” ndërsa tashmë ka nisur negociatat me Juventus dhe PSG si dy destinacionet më të mundshme për vazhdimin e karrierës.
Mirëpo, në garë për shërbimet e 29-vjeçarit në të kaluarën e afërt ishte edhe Manchester City. Trajneri Pep Guardiola ishte i gatshëm ta integronte Pogba në mesfushën e tij dhe për ta rikthyer në versionin më të mirë.
Së fundmi, “The Times” thekson se kjo do të duhej të ishte java kur City të takohej me Pogba dhe ta bindte kampionin e botës në vitin 2018 të firmoste për ta.
Megjithatë, ky skenar ka rënë poshtë dhe nuk do të realizohet për faktin se Pogba ishte i trembur nga reagimi i tifozëve të Manchester United. Futbollisti nuk kishte asgjë kundër projektit të Cityt, por duke qenë se bëhej fjalë për të luajtur me skuadrën tjetër të Manchesterit, atëherë presioni i fansave mund të bëhej i padurueshëm.
Në këtë formë, Pogba mendoi t’i shmangej telasheve dhe vendosi të largohej përfundimisht nga Anglia, për t’u rikthyer në Itali ose vendlindje.