I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar konfirmoi gjatë një interviste se takimi urgjent i thirrur nga BE mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Vuçiç, për uljen e tensioneve nuk do të mbahet këtë javë.
“Është tepër herët për të vendosur nëse takimi do të bëhet këtë javë. Kam përshtypjen që nuk do të bëhet, por duhet të vazhdojmë të shpresojmë për një takim të nivelit të lartë sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Escobar.
Zyrtari amerikan kundërshton gjithashtu propozimin e Kurtit që për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, palët të bien dakort paraprakisht për vijat e përgjithshme të tij, para se Prishtina të paraqesë një projekt.
“Qëndrimi ynë është se duhet të jetë një model evropian. Pra, qëndrimi ynë, qëndrimi amerikan, ka qenë gjithnjë se modeli i asociacionit duhet të jetë i tillë që të ofrojë shërbime komunale për një pakicë kombëtare të gjuhës serbe. Kaq – shërbime komunale. Ajo nuk duhet të ndërhyjë me kushtetutën e Kosovës, strukturën e saj ligjore, apo funksionalitetin e saj. Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian u ka dhënë 16 lloje të ndryshme modelesh evropiane, që do të funksiononin për Kosovën.
Në asnjë nga ato modele nuk mundet, që një vend fqinj të hyjë brenda kufijve të një vendi tjetër dhe të pengojë funksionalitetin e tij. Pra, nuk po kërkojmë një mjet matematikor midis dy qëndrimeve. Kërkojmë një version evropian. Pra, atij nuk i duhet asgjë më shumë se kjo”, u shpreh Escobar.