Janë punësuar në spitalin e Tetovës që para katër vitesh, por asnjëherë vendim pune nuk morën, shkruan Alsat.
Në prej tre muajsh janë edhe pa rrogë, ndërsa kontratat e tyre nuk iu vazhdohen. Infermierët pakënaqësinë e tyre vendosën ta shprehin para dyerve të spitalit klinik të Tetovës.
“Që prej dy vitesh kemi problem. Tashmë, katër muaj jemi pa kontrata, pa rroga. Gjithë këta pas meje që janë, kanë përvojë nuk është zgjidhje të punësohen njerëz nga jashtë. Kemi punuar atëherë kur duhej më se shumti, kur nuk flinim 24 orë pa sigurim shëndetësor, dhe merrnim rrogën minimale. Dikush të na jep përgjigje a do ketë zgjidhje statusi jonë këtu! Nëse vazhdon ky status do dalim në protesta”, Sinisha Petroski, infermier.
“Vazhdon të jetë statusi i pazgjidhur, që prej pesë vitesh, me kontrata, më së shumti pa rroga. Në kohën e pandemisë kemi qenë po ashtu të angazhuar, tash jemi dy muaj pa rrogë. Na kthyen në punë gjoja se do ketë diçka, por sërish nuk ka asgjë”, deklaroi Naidre Qamili, infermiere.
Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës Amir Elezi, pasi i pranoi në takim tha se ky staf duhet të mbetet në spitalin klinik të Tetovës, sepse institucioni ka nevojë për ta. Pritet vendimi i Ministrisë së Financave pas çka do të rregullohet edhe statusi i rreth 80 personave që deri më tani kanë qenë të angazhuar si personel në spitalin klinik.
“Procedura nga ana e Spitalit është kryer në kohë. Në ministri të Shëndetësisë dhe në Fondin shëndetësor ka kaluar, dhe priten tani miratimet në Ministrinë e Financave nga ku ende nuk kemi një shkresë zyrtare apo një dokument që të na miratohen apo jepen pëlqimet për angazhimet e tyre. Gjithsesi se jemi ende në kohë pandemie kur punësimet në shëndetësi janë të domosdoshme, jo vetëm këta njerëz por ende duhen punësime, sepse stafi mjekësor është i stërlodhur me punë”, deklaroi Amir Elezi. Drejtor i Spitalit klinik – Tetovë.
Rreth 100 persona kryesisht personel mjekësore, që prej pesë vitesh janë angazhuar në spitalin klinik të Tetovës, me kontrata në vepër, të cilat shpesh as që janë vazhduar në kohë, me premtimet se do të zgjidhet statusi i tyre, por edhe përkundër premtimeve të shumta për vite me radhë, zgjidhje nuk ka”.