Sedat Damka (61) nga Prizreni ka 18 vjet që merret me të gjitha llojet e punëve të përditshme, në mënyrë që të mbajë familjen e tij pesë anëtarëshe.
Ai çdo ditë pret në lagjen Bazhdarhane të Prizrenit dhe si punëtor krahu kërkon që të gjejë punën e radhës. Sipas autoriteteve lokale, “tregu i rrugës” ekziston me dekada në këtë qytet në jugperëndim të Kosovës.
Më herët, në të njëjtin vend mblidheshin dhjetëra persona të papunë, ndërsa në fundjavë, punë të rregullt në rrugë kërkonin edhe ata që kishin një vend pune gjatë javës, por nuk fitonin të ardhura të mjaftueshme për të mbajtur familjet e tyre.
Sistemet sociale kanë ndryshuar, por “tregu i punës në rrugë” në Prizren ka mbijetuar. Sot, mesatarisht 50 njerëz kërkojnë punë çdo ditë si punëtorë krahu.
Shumica prej tyre, me të cilët biseduam në prag të 1 majit, Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve, nuk duan të flasin publikisht për këtë temë, por vetëm shkurtimisht komentojnë se kushtet e jetesës janë shumë të këqija dhe se ndonjëherë nuk mund t’i përballojnë nevojat elementare për familjet e tyre.
“Gjithçka është shtrenjtuar”
Të njëjtën gjë e konfirmon për Radion Evropa e Lirë Sedat Damka, i cili para luftës në Kosovë ka punuar në Ndërmarrjen Komunale të Ujësjellësit. Pastaj, për një kohë ka shitur cigare dhe çorape në rrugë.
“Po bëhet gjithnjë e më vështirë. Në fillim kur erdha këtu kishte shumë punë, por edhe fitim. Tani askush nuk do të paguajë 30 euro në ditë dhe gjithçka është shtrenjtuar”, thotë Damka, duke shtuar se me paratë të cilat i fiton gjatë ditës, zakonisht mund të blejë pesë litra vaj ushqimor.
“Punojmë në kopshte, punojmë në ndërtim, mbajmë dru deri në katin e gjashtë edhe pse më dhemb shtylla kurrizore, pastaj nuk mund të lëviz, kam probleme me sytë, por nuk kam para për të shëruar veten”, thotë Damka, i cili tashmë është në dekadën e gjashtë të jetës, ndërsa të gjithë “kolegët” e të tij janë më të rinj në moshë.
Megjithatë, të gjithë përballen me të njëjtat probleme socio-ekonomike.
“Hyjmë në borxhe kur blejmë ushqime në dyqane sepse nëse nuk punojmë për tri ditë, atëherë nuk kemi për të ngrënë. Pas kësaj, i kthejmë paratë e kështu me radhë”, thotë ai.
Damka që nga viti 1999 ka aplikuar rregullisht në Byronë e Punësimit, por ende nuk ka gjetur punë me pagë të rregullt mujore.
“Hoqa dorë nga kjo”, thotë Damka, duke nxituar të arrijë një person i cili erdhi në lagje për të kërkuar punëtor krahu.
Mundimet e punëtorëve
Nga ana tjetër, të pakënaqur janë edhe të punësuarit në sektorin privat, disa prej të cilëve fitojnë edhe mbi 500 euro në muaj. Njëri prej tyre është edhe Elhan Shabani, i cili thotë se do të dëshironte të kishte kushte më të mira pune dhe të ardhura më të larta.
“Po pres rastin e parë për të shkuar në Gjermani sepse këtu nuk mund të mbijetoj edhe pse jam i punësuar. Kam punuar në Itali një kohë. U ktheva duke menduar se do të ishte më mirë në Kosovë. Gabova”, thotë Shabani.
Ai shton se puna dhe jeta nuk është ideale as në vendet perëndimore, por thekson se atje të paktën ka sigurime shëndetësore.
Kuzhinierët, më të kërkuarit
Rreth 2,800 të papunë paraqiten rregullisht në Zyrën Komunale të Punësimit në Prizren, edhe pse në listë janë 28,000 persona të papunë.
Hajrulla Hoxha, drejtor i kësaj zyre, në një prononcim për REL-in, thotë se ka kërkesë për punëtorë, gjegjësisht kompanitë private filluan të kërkojnë vazhdimisht punëtorë të profileve të ndryshme gjatë pandemisë së koronavirusit.
“Ata ankohen se një numër i madh punonjësish janë larguar gjatë këtyre dy vjetëve. Kanë frikë për të ardhmen e biznesit të tyre dhe janë shumë të shqetësuar për këtë. Fatkeqësisht, ne nuk mund t’i plotësojmë nevojat e të gjithëve sepse nuk ka profesione të tilla në regjistrat tanë”, thotë Hoxha.
Kërkesa më e madhe, shton Hoxha, është për kuzhinierë dhe sipas tij, “duhet të importohet fuqia punëtore” nëse rritet kërkesa.
“Deri para disa vitesh, në evidencën tonë ishin rreth 800 qytetarë akademikë, nisur nga doktorë e deri te profesorë. Tani situata është ndryshe. Nuk ka mjekë, stomatologë, inxhinierë dhe ata me shkenca natyrore që janë të papunë. Shumica e të papunëve janë juristë, ekonomistë, sociologë, pedagogë”, thotë ai dhe shprehet se në listën e të papunëve nuk kanë asnjë teknik mjekësor sepse “në Gjermani u është hapur dera”.
Pse sindikata e kritikon Qeverinë e Kurtit?
Sindikata e pavarur e sektorit privat, me seli në Prishtinë, vlerëson se pozita e punëtorëve është përkeqësuar për shkak të pandemisë së koronavirusit. Kryetari i kësaj sindikate, Jusuf Azemi, fajëson Qeverinë e Kosovës, pasi siç thotë ai, nuk po angazhohet sa duhet.
“Vërtet nuk kemi ndonjë ndryshim për të mirë. Po të pyesni Qeverinë, thotë se ka bërë shumë, por ne nuk e ndiejmë. Fakti është se kemi pasur nëntë vdekje në katër muajt e parë të këtij vit, që është rekord”, thotë Azemi dhe thekson se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk i ka mbajtur premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore.
Qeveria aktuale e Kosovës, e cila më 22 mars ka shënuar vitin e parë në pushtet, ka thënë se në periudhën shtator 2020 – shtator 2021 “janë regjistruar mbi 25,000 vende të reja pune”.
Por, Jusuf Azemi, këmbëngul se këto shifra nuk janë reale. Sipas tij, ekziston vetëm mundësia që disa biznese t’iu kenë dhënë kontrata punëtorëve që nuk i kanë pasur kontratat, për të përfituar nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike.
Sektori privat në Kosovë punëson rreth 150,000 qytetarë, ndërsa 100,000 njerëz punojnë me honorarë.
Azemi po ashtu pohon se rreth 70 për qind e të punësuarve nuk kanë marrëdhënie të përhershme të punës dhe se një numër i madh i qytetarëve të Kosovës janë larguar nga vendi në 20 vjetët e fundit për shkak të kushteve të këqija të jetesës.
“Fakti që rreth 200,000 qytetarë tanë kanë aplikuar për të ikur nga Kosova në katër muajt e fundit, është fakt më vete. Dhe nëse diçka e rëndësishme nuk ndryshon, në vitin e ardhshëm gjysma e Kosovës do të zbrazet”, thotë Azemi, dhe shton se punëdhënësit do të mund të mbeten së shpejti pa punëtorë.
Ligji për emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani ka shkaktuar shqetësim në Kosovë se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, kryesisht punëtorë të kualifikuar, do të largohen nga vendi.
Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dy e tretat e popullsisë së Kosovës e moshës 15-64 vjeç janë të aftë për punë. Niveli i papunësisë është më i lartë te të rinjtë deri në moshën 24-vjeçare.
Rreth 44 për qind e të punësuarve kanë kontratë pune të përhershme, ndërsa 56 për qind janë me kontratë të përkohshme. Shkalla e përgjithshme e papunësisë është rreth 26 për qind. /REL/