Simone Inzaghi e pranoi me “keqardhje dhe zhgënjim” humbjen e Interit ndaj Juventusit, duke theksuar se skuadra e tij nuk i shfrytëzoi rastet dhe duhet të përmirësohet në ndeshjet e mëdha.
Interi, i cili kishte një javë të plotë për t’u përgatitur, humbi një mundësi të çmueshme për të kapur Napolin në krye të Serie A.
Pavarësisht shanseve të mëdha në pjesën e parë, Juventusi u tregua më i mprehtë në pjesën e dytë, ku Francisco Conceicao shënoi golin e fitores në minutën e 74-të.

“Ka keqardhje dhe zhgënjim, por djemtë luajtën me kurajo dhe organizim. Ne duhet të kishim përfunduar më mirë rastet tona”.
“Nuk e nisëm pjesën e dytë me të njëjtën qasje dhe pranuam golin që solli e humbjen. Duhet të punojmë më shumë, sepse kjo nuk mjafton”, ka thënë Inzaghi për DAZN.
Inzaghi befasoi duke bërë një zëvendësim të trefishtë në mesin e pjesën e dytë, duke sjellë në fushë emra si Carlos Augusto, Marcus Thuram dhe Nicola Zalewski.
“Nuk po luanim si në pjesën e parë. Juve u bë më i guximshëm, dhe ne nuk ishim aq të rrjedhshëm” shpjegoi ai zëvendësimet.
Kjo ishte humbja e tretë e Interit në Serie A këtë sezon dhe e dyta në 10 ditë, pas humbjes 3-0 ndaj Fiorentinës.
“Është humbja jonë e dytë radhazi jashtë fushe. Duhet të punojmë më shumë dhe të përmirësojmë rekordin tonë në ndeshjet kryesore”, deklaroi Inzaghi.

Interi ka arritur vetëm tre fitore nga 10 ndeshje kundër tetë skuadrave më të mira këtë sezon, një statistikë shqetësuese.
“Do të jetë një ndeshje e rëndësishme, por së pari duhet të fokusohemi në Genoan dhe Lazio”, përfundoi Inzaghi.