Policia në Irlandën e Veriut ka nisur një hetim për një incident të rëndë urrejtjeje, pasi në një zjarr festiv në fshatin Moygashel u dogjën manekinë në përmasa reale që përfaqësonin refugjatët të vendosur në një barkë shpëtimi. Ngjarja u zhvillua të enjten mbrëma (10 korrik) dhe u shoqërua me brohoritje nga turma ndërsa flakët përfshinë manekinët, barkën dhe një flamur të Irlandës.
Nën barkë ishin vendosur pankarta me mbishkrimet “Stop barkave” dhe “Veteranët përpara refugjatëve”. Ndërkohë zjarri ishte pjesë e festimeve tradicionale të komuniteteve besnike ndaj unionit me Britaninë, që përkujtojnë fitoren protestante në betejën e Boyne më 1690.
Policia e Irlandës së Veriut konfirmoi se po e trajton ngjarjen si një incident urrejtjeje, ndërsa politikanët e dënuan ashpër duke e cilësuar si akt racist dhe çnjerëzor.
Drejtori i Amnesty International për Irlandën e Veriut, Patrick Corrigan, tha se “autoritetet nuk duhet të kishin lejuar një shfaqje kaq të neveritshme urrejtjeje”. Ai shtoi se ngjarja dërgon një mesazh të tmerrshëm për familjet emigrante në zonë, veçanërisht pasi vetëm pak javë më parë, disa prej tyre u detyruan të largoheshin nga shtëpitë për shkak të sulmeve raciste.
Deputeti i Sinn Féin, Colm Gildernew, e quajti incidentin një përpjekje për të çnjerëzuar refugjatët dhe kërkoi që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë dhe drejtues i Partisë Unioniste Ulster, Mike Nesbitt, e cilësoi aktin si “të sëmurë dhe të turpshëm”, duke thënë se është tërësisht jashtë çdo vlere që festimet kulturore duhet të përçojnë.
Në anën tjetër, aktivisti besnik Jamie Bryson e mbrojti ngjarjen si “protestë artistike”, duke thënë se zjarri festiv i Moygashel çdo vit përfshin një mesazh politik, dhe këtë vit ishte i fokusuar në “problematikat e emigracionit të paligjshëm”.
Ngjarja vjen në një moment të tensionuar për Irlandën e Veriut, pas trazirave të fundit në Ballymena kundër emigrantëve dhe përshkallëzimit të debatit në Britani për emigracionin përmes Kanalit të La Manshit.
Ndërkohë, një tjetër zjarr festiv në Belfast ka ngjallur shqetësim për shkak të pranisë së asbestit në vendin ku do të ndizet dhe afërsisë me një nënstacion elektrik që furnizon dy spitale. Ministri i Mjedisit, Andrew Muir, i bëri thirrje qytetarëve të mos marrin pjesë për arsye sigurie.
Pavarësisht vendimit të Këshillit Bashkiak të Belfastit për të çmontuar vendin e zjarrit, ai pritet të ndizet të premten në mbrëmje. Policia ka refuzuar të ndërhyjë, duke theksuar se lejimi i zjarrit ishte më pak i rrezikshëm sesa përpjekja për ta ndaluar me forcë, pas paralajmërimeve për trazira nga grupe paramilitare.
Sinn Féin e ka kritikuar këtë vendim, duke thënë se lejimi i ngjarjes nën presion është një akt “dorëzimi përballë sundimit të turmës”./