BE-ja po punon për ta kushtëzuar anëtarësimin e Serbisë me zbatimin e marrëveshjeve me Kosovën. Kushtëzimi i anëtarësimit ka për të pasur efekt në kalkulimet politike të presidentit Vuçiç, sipas analistëve politikë.
Në mesin e kushteve detyruese për Serbinë për anëtarësim në Bashkimin Evropian pritet të përfshihet edhe zbatimi i marrëveshjeve që Serbia i ka arritur deri tani me Kosovën në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja. Për këtë është duke punuar Komisioni Evropian, dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm i BE-së (EEAS) për ta ndryshuar kornizën e bisedimeve në kapitullin e 35 me Serbinë për anëtarësim. “Puna në këtë drejtim po vazhdon në përputhje me kërkesën e vendeve anëtare”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. Kërkesa për ndryshim të kushteve në kapitullin 35 u bë nga shtetet anëtare të BE-së, pasi Serbia zyrtarisht përmes kryeministres së saj, Ana Brnabiç, tha se “vendi i saj nuk do t’i zbatonte të gjitha marrëveshjet, për të cilat u pajtua me Kosovën”.
Kurti: Serbia nuk respekton marrëveshjen për normalizimin
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas një mbledhje të qeverisë e akuzoi Serbinë se nuk po e respekton Marrëveshjen për normalizim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. “Neni një i marrëveshjes thotë që palët, pra Kosova dhe Serbia do të zhvillojnë marrëdhënie të mira fqinjësore me njëra-tjetrën, bazuar në të drejtat e barabarta. Serbia megjithatë, zgjedh gjithçka mbi zhvillimin e marrëdhënieve të mira me neve, ajo në të vërtetë zgjedh ta sulmojë Kosovën, siç bëri më 24 shtator 2023 në Banjskë, dhe pastaj t’i mbrojë kryerësit e kësaj vepre në krye me Millan Radoiçiqin”, tha Kurti.