Vaksinimi i personave mbi 77 vjet me sëmundje kronike vazhdon edhe në ditën e dytë të vaksinimit. Imunizimi filloi në pjesën më të madhe të qyteteve, ndërsa disa qytete tjera do të fillojnë të premten. Një pjesë e qytetarëve që ndodhen në grupin e parë për vaksinim, megjithatë vendosën që ta refuzojnë vaksinën “AstraZeneca”.
Sipas të dhënave të djeshme të Ministrisë së Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i pacientëve që shërohen në Shkup dhe nëpër spitalet e vendit është 1.581 dhe ka rreth 260 shtretër të lirë.
Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, sipas paralajmërimit të Filipçes, dje duhej të mbajë mbledhje, por ai theksoi se nuk duhet të ketë masa të reja për shkak se është konstatuar se kufizimet shtesë nuk do të japin efekt.
“E pamë se çfarë po ndodh në shumë vende. Edhe në vendet ku kishte më shumë kufizime kishte valë të fuqishme. Karantinat disa ditëshe nuk dhanë asnjë efekt dhe vërteton tezën se kur infektim të gjerë e vetmja gjë që mund të bëni është që të respektohen masat e tashme”, tha Filipçe.
Ndryshe, në Maqedoni ka 19.262 raste aktive me COVID-19, ndërsa vetëm dje u regjistruan 1.511 raste të reja dhe 32 të vdekur.